E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Transparencën e zgjedhjeve e garanton Kodi Elektoral”



Zëvendëskryeministri Ilir Meta ka përfituar nga një takim me struktura të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Elbasanit për të folur edhe për reformën zgjedhore. Sipas tij, transparencën e garanton vetëm një kod gjithëpërfshirës i bazuar në rekomandimet e ndërkombëtarëve. “Gjithmonë kemi kërkuar transparencën e zgjedhjeve dhe transparencën e garanton vetëm një kod gjithëpërfshirës zgjedhor. Kjo është arsyeja që dhe institucionet europiane dhe OSBE/ODIHR-i kanë apeluar që kjo reformë zgjedhore të bëhet sa më shpejt, të jetë gjithëpërfshirëse dhe të ketë në konsideratë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit në Shqipëri”, - u shpreh Meta.

Topalli përshëndet miratimin e Rezolutës nga PE-ja

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë seancës së djeshme plenare, përshëndeti miratimin e Rezolutës për Shqipërinë nga Parlamenti Europian sapo ajo u aprovua. “Sapo u miratua në Parlamentin Europian Rezoluta për Shqipërinë, e cila mbështet liberalizimin e vizave. Ky është një ndër momentet më të rëndësishme historike për vendin tonë, kur Parlamenti Europian, me një shumicë të madhe votash, mbështet heqjen e vizave për Shqipërinë dhe kjo vjen për shkak të progresit të jashtëzakonshëm gjatë këtyre muajve, për shkak të reformave që qeveria dhe Parlamenti ka ndërmarrë. Unë dua të falënderoj të gjithë deputetët që gjatë këtyre muajve kanë kaluar ligje të reformave të mëdha, që kanë kërkuar shumë punë, kurajë, vizion dhe që në fakt, ua kishim borxh shqiptarëve”, - është shprehur Topalli.

Demi: “Ligji i SHISH-it, të hënën një ekspert britanik në Komision”

Deputeti demokrat Leonard Demi, njëkohësisht kryetar i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, ka deklaruar gjatë 60 minutave të diskutimeve në seancën e djeshme parlamentare, se ligji i SHISH-it po rishikohet. Drafti i mëparshëm u kthye mbrapsht nga maxhoranca pak momente përpara miratimit, për shkak të oponencës së fortë që i bëri jo vetëm opozita, por edhe ndërkombëtarët, madje zyra qendrore e NATO-s. Ndërkaq, Demi bëri të ditur se ditën e hënë do të jetë i pranishëm në Komision një ekspert britanik që i dërgohet për asistencë ligjore Parlamentit shqiptar nga OSBE-ja. Demi tha se projektligji synon të përcaktojë rregullat të qarta të kontrollit të punës së SHISH-it nga Kuvendi përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut si dhe për mënyrën e përdorimit të burimeve financiare. Ai i ftoi deputetët socialistë të marrin pjesë në mbledhjen e Komisionit.

Malaj: “Aksionet e Ndërtimores, dështim i qeverisë”

Deputeti socialist, Arben Malaj, reagoi ndaj aksioneve për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Hamallaj të Durrësit dhe në Ksamil. Aksioni i fillim korrikut në Hamallaj shkaktoi përleshja midis forcave të policisë dhe banorëve të bashkisë Hamallaj, ku mbetën të plagosur tre efektivë të policisë. Deputeti Malaj e cilësoi aksionin të shëmtuar dhe dështim të qeverisë. “Askush nuk mund të kuptojë se cilat janë interesat që qeveria, ndërsa fle gjumë për 5 vjet, një ditë të bukur, pikërisht në prag të fillimit të sezonit turistik, kur vëmendja edhe e medias ndërkombëtare drejtohet drejt promovimit të potencialit turistik të vendit, ajo, me forca policore fillon një aksion spontan të prishjeve formale”, - tha Malaj nga foltorja e Kuvendit. Sipas deputetit socialist, ngjarjet në Ksamil, Vlorë e Hamallaj janë konkrete për dështimin e qeverisë.

9 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›