Rezoluta, Berisha pranon hetimin e materialeve zgjedhore
Eljona Ballhysa
Fill pas miratimit të Rezolutës për Shqipërinë nga Parlamenti Europian, kryeministri Berisha deklaroi dje në seancën parlamentare se është i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën për hetimin e materialeve zgjedhore. Berisha u shpreh gjatë fjalës në Kuvend se hetimi i materialeve zgjedhore është e ligjshme dhe se çdo deputet ka të drejtë të ndërmarrë një nismë të tillë. Socialistët duket se kanë bërë një gjysmë hapi përpara, pasi ata nuk arritën të marrin mbështetjen e ndërkombëtarëve për hetimin dhe hapjen e kutive të votimit, por morën mbështetje për hetimin e materialeve zgjedhore. Duke iu referuar deklaratës së Berishës, por edhe Rezolutës së PE-së, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, u shpreh se PS-ja ka 12 muaj që kërkon pikërisht hetimin e materialeve zgjedhore.
Debati
Fill pas miratimit të Rezolutës nga PE-ja, në sallën e Kuvendit shqiptar vjen kryeministri Berisha, i cili, ndërsa përshëndet Rezolutën, me një ton të zbutur e fton PS-në që të bashkëpunojë për zbatimin e dispozitave të saj. “Erdha të përshëndes Rezolutën e PE-së. Përshëndes mbështetjen që PE-ja i jep anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe heqjes së vizave për shqiptarët. Rezoluta vlerëson rezultatin e reformave të gjithanshme që janë ndërmarrë nga qeveria dhe Parlamenti shqiptar. Në Rezolutën e PE-së, siç është në traditën e këtij parlamenti, shtrohen detyra për qeverinë shqiptare. Unë garantoj para jush se qeveria ime është e vendosur të ndërmarrë çdo reformë dhe të miratojë çdo ligj në mënyrë që procesi i integrimit të jetë i pandalshëm. Rezoluta i referohet kërkesës së opozitës për hetimin e materialeve të votimit. Unë bej thirrje që të fillojë sa më parë hetimi i materialeve të votimit. Ky është një detyrim moral që maxhoranca ka karshi opozitës, por është njëkohësisht edhe një e drejtë ligjore për çdo qytetar, për çdo deputet që të njihet me materialet zgjedhore. Rezoluta kërkon që opozita të ketë rolin e saj dhe unë ju garantoj se do të keni të gjitha mundësitë për hetimin, do të kenë kryetarin dhe shumicën në komision”, - është shprehur Berisha. Më pas ai i bëri thirrje opozitës që të përgatitë amendamente për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Ndërsa duke iu referuar ndryshimit të Rregullores së Kuvendit, Berisha tha se rregullores iu bënë përmirësime që janë në përputhje me frymën e Kushtetutës së vendit. Pas tij fjalën e mori kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili bëri të ditur se ajo çka parashikohet në Rezolutë është kërkuar prej 12 muajsh nga PS-ja. Ruçi e cilësoi të vonuar miratimin e Rezolutës për integrimin e Shqipërisë në BE nga Parlamenti Europian. “Kjo nuk është një rezolutë për vizat, siç tha zonja Topalli, por është një rezolutë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe është e vonuar. Është shtyrë dy herë dhe miratohet pas Bosnjës. Por, gjithsesi, PS-ja e mbështet miratimin e saj dhe ngre me shqetësim pyetjen që pse është shtyrë disa herë kjo rezolutë dhe pse miratohet me kaq vonesë? Në këtë rezolutë kërkohet domosdoshmëria e hetimit të zgjedhjeve parlamentare, ku PS-së t’i garantohet kryetari dhe shumica e komisionit hetimor, si dhe e drejta e përcaktimit të objektit të hetimit; kërkesë kjo që është bërë 12 muaj më parë nga ne”, - është shprehur Ruçi. Duke iu përgjigjur ftesës për bashkëpunim të bërë nga Berisha, Ruçi tha se “ne i kemi paraqitur nismat tona, ju i keni rrëzuar ato”, duke iu referuar ndryshimit të Rregullores, ngritjes pa konsensus të Kodit Zgjedhor, si dhe rrëzimit të dekreteve të Presidentit.
Nuk dihet ende se kur do të fillojë puna për hetimin e materialeve zgjedhore tani që të dyja kampet e politikës ranë parimisht dakord, ndërsa Kuvendi e mbyll sesionin parlamentar më 22 korrik.
9 Korrik 2010