Rrëzimi, kandidatura e Sokol Çomos përçan koalicionin LSI-PD
Ashtu sikurse ishte bërë e ditur, Partia Demokratike miratoi gjatë seancës së djeshme kandidaturën e Medi Bicit për anëtar të Gjykatës së Lartë, me 71 vota pro.
Ndërsa kandidatura e Sokol Çomos përçau koalicionin PD-LSI; kjo për shkak se deputetët demokratë miratuan me 64 vota kundër tij, 4 deputetët e LSI-së votuan pro tij, ndërsa 3 deputetë të tjerë abstenuan. Deputetët demokratë votuan në mënyrë nominale duke e thënë me zë dhe hapur votën e tyre, e cila ishte e unifikuar. Ndërsa deputetët socialistë u larguan para fillimit të votimit, pasi nuk u mor në konsideratë propozimi i kryetarit të Grupit, Gramoz Ruçi, për zhvillimin e një seance me debat për çështjen e dekreteve. Në emër të PS-së, deputeti Xhafa e cilësoi të turpshme seancën për dekretet dhe e akuzoi PD-në se po bën një tjetër ekzekutim politik të dekreteve të Topit. “Sot, në këtë seancë, jemi përballë një akti të kryer, jemi përballë një ekzekutimi politik të një tjetër dekreti të Presidentit. Grupi i PS-së thekson se është i papranueshëm qëndrimi i qeverisë ndaj dekretit të Presidentit. Ky është një proces i montuar politikisht dhe ndikon në integritetin e gjyqtarit Çomo, por edhe të të gjithë trupës së gjyqtarëve. Rasti i Çomos sot është njëlloj si rasti i Kristaq Trajës rreth dy vite më parë, si dhe si rasti i Vangjel Kostës dy muaj më parë. Për komunitetin e juristëve në këtë vend këta emra thonë shumë, pasi janë juristët më të njohur në vend dhe tani kthehen në viktimat e radhës nga PD-ja. PS-ja e dënon me forcë këtë diktat politik. Kjo është goditja përfundimtare të pushtetit gjyqësor. Ne nuk qëndrojmë me ju në këtë sallë. Nuk jemi as bashkëpunëtorë dhe as përgjegjës”, - është shprehur Xhafa, ndërkohë që i gjithë Grupi Parlamentar i PS-së braktisi sallën e Kuvendit para se dekretet e Topit të hidheshin në votim të hapur nominal.
9 Korrik 2010