E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Vizat, plotësuam kushtet në 4-5 muaj

 Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta deklaroi dje në Kuvend se "Shqipëria i ka plotësuar kërkesat e vëna për liberalizimin e vizave brenda vitit 2010". Meta ishte thirrur në një interpelancë parlamentare nga deputeti i PD-së, Paulin Sterkaj, për të dhënë shpjegime për çështjen e liberalizimit të vizave. Lidhur me pyetjen se përse Shqipëria nuk përfitoi nga vendimi i procesit të liberalizmit të vizave si tre vendet, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, Meta theksoi se arsyeja ishte se në kohën kur u dha vendimi i KE-së, Shqipëria nuk kishte prodhuar asnjë pasaportë biometrike, pasi administrata ishte fokusuar te plotësimi i standardeve zgjedhore, pra në prodhimin e kartave të identitetit. "Deri më 15 korrik të '09, kur KE bëri propozimin zyrtar për heqjen e regjimit të vizave, ne pothuajse nuk kishim prodhuar asnjë pasaportë biometrike pasi e gjithë vëmendja e energjitë ishte përqendruar në kartat e identitetit", tha Meta. Ai theksoi se Shqipëria ka bërë një progres spektakolar në 4-5 muajt e fundit, duke plotësuar të gjitha kriteret dhe kërkesat që kërkon udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Për plotësimi e katër blloqeve detyruese të dokumentit evropian, kryediplomati gjatë kësaj kohe ka pasur një angazhim të madh. "Për sigurinë e dokumenteve ka një progres spektakolar, ku janë prodhuar deri më tani 1,9 milionë karta, por edhe për sa i takon numrit të pasaportave biometrike, duke arritur në 460 mijë dhe vijon me një intensitet më të lartë", tha Meta. Kryediplomati vlerësoi dhe rezolutën e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. "Dua t'ju siguroj dhe një herë të tjetër, jo vetëm që Shqipëria pothuajse ka plotësuar të gjitha standardet, por absolutisht dua të shpreh bindjen tonë se do ta fitojmë këtë sfidë të jashtëzakonshme dhe shqiptarët brenda këtij viti do të kenë mundësinë të udhëtojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të BE-së", theksoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›