E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbatimi i “Antimafias”, Basha takon Ina Ramën

 TIRANE - Vënia në zbatim e ligjit "Antimafia" i cili ka hyrë në fuqi pak kohë më parë, ishte dje në qendër të takimit mes Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe Prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe stafeve respektive. Në takimin e parë të punës mes krerëve të dy institucioneve, është diskutuar bashkëpunimi që policia duhet të ketë me Prokurorinë, me qëllim vënien në jetë të paketës ligjore "Antimafia", e cila në themel të saj ka zbulimin dhe sekuestrimin e pasurive të vëna nga veprimtaria kriminale. Sipas burimeve zyrtare, Ministri Basha dhe Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama evidentuan dje gjatë takimit, fushat kryesore ku nevojitet thellimi i bashkëpunimit mes strukturave të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. "Ministri i Brendshëm dhe Prokurorja e Përgjithshme shprehën angazhimin e plotë për të nxitur dhe inkurajuar një bashkëpunim sa më intensiv Polici-Prokurori në luftën kundër krimit të organizuar", thuhet në njoftimin zyrtar. Sipas tij, në takim u diskutua si një çështje e veçantë edhe projektligji i ri i përgatitur për Policinë Gjyqësore dhe modalitetet përkatëse të tij. Dy zyrtarët e Lartë të ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë, biseduan dje në takimin e zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme duke përcaktuar detyrat konkrete për strukturat e hetimit të policisë dhe Prokurorisë për zbatimin e ligjit "Antimafia", një instrument shumë i rëndësishëm ligjor për të goditur krimin e organizuar dhe asetet e tij ekonomiko-financiare. Një tjetër temë e diskutimit ka qenë thellimi i bashkëpunimit Polici-Prokurori në zbardhjen e krimeve të vjetra të mbetura pa autorë.             tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›