Pëllumbi: Bojkoti i PS, protestë e organizuar ndaj manipulimeve
Aristir LumeziNë vazhdim të intervistës së tij, profesori i socialistëve, duke bërë analizën e efekteve që bojkoti i deputetëve socialistë ka dhënë në politikën e vendit, shprehet se ai ka pasur dhe efekte pozitive. Mungesa e PS-së në Kuvend ka lejuar Qeverinë të miratojë ligje, të cilat PS i ka cilësuar si antikushtetuese, por për shkak të bojkotit nuk ka mundur t'i ankimojë në Gjykatën Kushtetuese. Mendoni, se kjo ndikon negativisht përballë elektoratit të saj për ligje të tilla që japin efekt në jetën e qytetarëve dhe biznesit, si moratoriumi i skafeve, ngritja e Inspektoratit Special të Ndërtimit, etj?është fakt që shumica qeverisëse e ndjen, por nuk e pranon hapur, se pa opozitën nuk mund të qeveriset, të ketë jetë parlamentare dhe funksionim normal e demokratik të tre pushteteve. Megjithatë, shumica e sotme qeverisëse, në vend që të shqetësohet dhe të kërkojë rrugën e dialogut dhe të kompromisit me opozitën për zgjidhjen e krizës, që nuk është vetëm parlamentare, bën të kundërtën, zgjedh atë të presioneve antidemokratike dhe të zgjidhjeve antikushtetuese, rrugën e kërcënimeve ndaj opozitës për "thyerje dhëmbësh, dhëmballësh e nofullash", tipike për diktaturat. Ndërkohë, qeveria e dalë nga votat e manipuluara, vazhdon të spekulojë me mesazhet e faktorit ndërkombëtar. Madje, duke dashur që opozitës t'i kundërvënë edhe popullin, drejtuesit e Qeverisë deklarojnë me naivitet, se "për fajin e opozitës po u vonohet shqiptarëve lëvizja pa viza nëpër Evropë". Sikur shqiptarët të kishin sot vetëm hallin e vizave dhe evropianët, që monitorojnë situatën në Shqipëri, të ishin ndër politikanët më naivë të planetit!. Ditët e para të janarit u shoqëruan me përmbytje të mëdha në zonën e Shkodrës, të shoqëruara me një faturë të majme financiare. Do të kishte qenë një seancë e jashtëzakonshme parlamentare, një arsye bindëse që deputetët socialistë të hynin në Kuvend për të bërë betimin, duke kërkuar nxjerrjen e përgjegjësive për këtë ngjarje?Po, e kam quajtur oportune dhe kam sugjeruar, që opozita të thërriste Kuvendin në një sesion të jashtëzakonshëm, menjëherë pas vitit të ri, pa pritur të hënën e tretë sipas Kushtetutës, pikërisht kur përmbytjet në Veri morën përpjesëtime tepër shqetësuese dhe duheshin masa urgjente të nivelit kombëtar. Qeveria duhej të raportonte e të programonte gjithçka sipas kërkesës së momentit dhe të opozitës, e cila për një rast të tillë, mund t'i jepte fund bojkotit, pa hequr dorë nga kërkesat e veta për hetimin e zgjedhjeve. Lidhur me opsionin e bojkotit të Kuvendit nga 64 deputetët socialistë, ç'koment mund të bëni, a u ndoqën procedura të rregullta në marrjen e vendimit dhe ç'të mira e ç'të këqija ka ky hap i PS-së, që së shpejti mbush gjashtë muaj? Bojkotimi i Parlamentit nga 64 deputetët e opozitës bëhet për deformime serioze të rezultatit të zgjedhjeve dhe për mos pranim të hapjes së një numri kutish, veçanërisht të dyshuara për vjedhje të votave, në rrethet Tiranë, Shkodër dhe Berat. Qeveria Berisha, e vetëdijshme për çka ka bërë me kutitë në këto rrethe e gjetkë, "fshihet" pas një vendimi të Kolegjit Zgjedhor, që përligji shkeljen e ligjit nga KQZ dhe nuk pranon një kusht të tillë të opozitës. Formalisht ka të drejtë të mbrohet pas Kushtetutës. Realisht, është vetë Berisha "që e mbolli" bojkotin dhe e ka zhytur vendin në një krizë politike, që po shoqërohet me bllokimin e procesit politik, të reformave e ligjeve të rëndësishëm, me një klimë të përgjithshme mosbesimi ndaj një "gjysmë-parlamenti" dhe një Qeverie të djathtë të shartuar me një "bistak të majtë", që po manifeston jo vetëm pa aftësi, por dhe shenja të qarta "të kapjes së shtetit nga korrupsioni". Ndërkohë, me interes më duket edhe një analizë e shkurtër e bojkotit të PS-së, sidomos e disa shqetësimeve që kanë lindur brenda vetë bojkotuesve, por dhe nga krahasimet që bëhen me bojkotime të mëparshme. Bojkoti, që po i bëjnë Parlamentit deputetët socialistë, meriton të vlerësohet, së pari, si një formë e organizuar proteste dhe mosmiratimi të praktikave të Qeverisë Berisha që çuan, e përsëris, në deformimin e votës dhe mos plotësimin e standardeve të zgjedhjeve të lira; së dyti, si një mjet presioni demokratik për të hetuar rreth asaj që ndodhi me zgjedhjet e 28 qershorit, me qëllimin e mirë që t'u pritet rruga praktikave manipuluese, që vazhdojnë prej vitesh dhe që zgjedhësit shqiptarë të binden për peshën e votës dhe të numërimit të saj me ndershmëri. Deri këtu gjithçka është në rregull dhe e pranueshme. Këto mund të jenë ndër vlerat relative të bojkotimit të tanishëm, por për to mund dhe duhej të debatohej, sepse, dihet, që bojkoti mund të jetë i mirë në rrethana të kufizuara si mjet presioni demokratik, por ai shndërrohet shpejt në të kundërtën e vet në rrethana të tjera, e sidomos kur fetishizohet. Në këtë rast, në mënyrë të natyrshme do të shtroheshin pyetjet: A është i mjaftueshëm bojkoti, që gjithsesi, njihet si një formë pasive e luftës politike, për të realizuar atë që kërkon opozita? A mos do të ishte më mirë një gërshetim i bojkotit me shfrytëzimin e tribunës së Parlamentit nga 64 deputetët e opozitës për interesat e vendit dhe të demokracisë? A nuk përmban bojkotimi i zgjatur pa fund rrezikun e një mbivendosjeje të së drejtës politike mbi atë kushtetuese? Si mund t'i shpëtohet rrezikut të izolimit politik nga ajo pjesë e faktori ndërkombëtar që nuk preferon bojkotin, por pjesëmarrjen dhe vazhdon t'i bëjë thirrje PS-së për të hequr dorë nga bojkotimi? Dhe, së fundi, nëse opozita nuk do të dijë të korrë favore politike nga bojkoti i tanishëm, a do të ketë arsye të mjaftueshme që t'i kërkohet llogari për "harrim" të sentencës filozofike; "ç'të mbjellësh do të korrësh"? Si mund që palët të arrijnë në zgjidhjen e këtij ngërçi politik profesor?Kjo situatë zgjidhet përmes dialogut, tolerancës, përgjegjshmërisë të lartë qytetare. Këto tre fjalë bëjnë çudira, kur përdoren në vendin dhe në kohën e duhur!