E Diel, 1 Nëntor 2026

Uashingtoni emëron ambasadorin e ri, anët e panjohura

Presidenti Obama emëron Aleksandër Arvizu-n në Shqipëri. Pritet seanca në Senat

Albert Gjoka

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, e konsideruar deri tani si përfaqësia diplomatike më e rëndësishme në Tiranë, pritet që të drejtohet nga një ambasador i ri pas muajit gusht. Emri i shefit të ri të kësaj përfaqësie është Aleksandër Arvizu, i bërë i ditur nga kreu i Shtëpisë së Bardhë pasditen e datës 1 korrik. Diplomati i karrierës, që shërbeu brenda dhe jashtë vendit të tij, vjen me një karrierë rreth 30-vjeçare, ku pjesën më të madhe të kohës ua kushtoi çështjeve të Azisë dhe Paqësorit. Ai është ndër diplomatët amerikanë që është marrë kohët e fundit edhe me çështjen e programeve të armatimit të Koresë së Veriut. I emëruari në këtë funksion, që deri tani ka pasur gradën e Këshilltarit – Ministër në Shërbimin e Jashtëm në Departamentin Amerikan, zëvendëson ambasadorin John Withers II, i cili do t’i thotë lamtumirë Shqipërisë në muajin gusht. Zoti Arvizu vjen në vendin tonë në një moment të vështirë politik, por edhe pas një terreni jo pa probleme që i lë paraardhësi i tij, i cili do të mbetet si diplomati që e udhëhoqi deri në finalen e madhe procesin e integrimit të vendit tonë në Aleancën Euroatlantike. Por, kandidatura e re do të duhet të kalojë në Senatin Amerikan para se të nisë detyrën.

Emërimi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës bëri të ditur më 1 korrik kandidaturën e përfaqësuesit diplomatik të Uashingtonit në Tiranë. Ai është Aleksandër Arvizu, i cili tashmë lë detyrën e drejtorit të Zhvillimit dhe Vlerësimeve të Karrierës në Nivelin e Fillimit, në Departamentin Amerikan të Shtetit. Zoti Arvizu, i lindur në një bazë ushtarake amerikane në Japoni, nga shteti Kolorado, i diplomuar në universitetin e Xhorxhtaunit (Georgetown University), ka një karrierë në shërbimin e jashtëm e nisur që në vitin 1981. Ai ka shërbyer në disa detyra brenda dhe jashtë SHBA-ve. Diplomati me gradën Këshilltar – Ministër ka shërbyer në Korenë e Jugut, në Japoni, Kamboxhia dhe Tajlandë. Në këto vende ka qenë në pozicionin e zëvendësshefit të Misionit. Gjatë punës së tij në Uashington, Aleksandër Arvizu ka qenë drejtor për Çështjet Aziatike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në kohën e mandatit të dytë të administratës “Klinton”. Në karrierën e zotit Arvizu është edhe detyra e zëvendësdrejtorit të Zyrës për Çështjet Japoneze në Departamentin e Shtetit. Gjithashtu, gjatë karrierës së tij ai ka punuar si zyrtar në Sekretariatin Ekzekutiv të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Aleksandër Arvizu ka studiuar disa gjuhë aziatike, duke përfshirë gjuhën japoneze, atë koreane, të Tajlandës dhe atë të Kamboxhias.

Misionet
Aleksandër Arvizu, pak i mediatizuar në Amerikë dhe jashtë saj, njihet si ekspert për çështjet aziatike. Kjo, falë misioneve të tij në Japoni, në Korenë e Jugut, Tajlandë dhe Kamboxhia. Por, gjatë tri viteve të fundit ai u angazhua në çështjen e Koresë së Veriut dhe bisedimet që Uashingtoni bëri me partnerët ndërkombëtarë për armatimin bërthamor të Penjanit. Arvizu ka marrë pjesë në disa delegacione në diskutimet që janë bërë për Korenë e Veriut. Madje ai kryesoi një grup ekspertësh të DASH-it në Moskë për sanksionet ndaj regjimit komunist koreanoverior.

Paraardhësi
Diplomati Arvizu vjen në Tiranë duke zëvendësuar ambasadorin Withers, i cili ka thuajse të njëjtën eksperiencë në shërbimin e jashtëm dhe kanë një pikë të përbashkët; si njohës të çështjeve aziatike. Por, ambasadori aktual në Shqipëri ka pasur detyra dhe funksione më të rëndësishme. Zoti Withers erdhi në vendin tonë pasi kishte kryer më parë detyra si drejtor i Qendrës së Operacioneve në DASH, drejtor i Zyrës për Çështjet Europianoveriore dhe Qendrore; zëvendësshef misioni në Ambasadën e SHBA-ve në Riga, apo asistent special në zyrën e zëvendëssekretarit të DASH-it. Withers e përfundon karrierën e tij në Shqipëri pasi, siç është shprehur ai vetë në media, do të dalë në pension pas një periudhe 26-vjeçare punë aktive në shërbim të Diplomacisë amerikane.

Ulje-ngritjet e misionit të Withers-it në Shqipëri

Ambasadori amerikan, John Withers, mund të konsiderohet si një nga përfaqësuesit diplomatikë të Uashingtonit në Shqipëri me më shumë ulje-ngritje se të gjithë diplomatët amerikanë që kanë shërbyer në vendin tonë. Që prej fillimit të mandatit të tij, në qershor të vitit 2007 dhe deri në fund të misionit u përball me sfida të vështira, të cilat kanë regjistruar edhe suksese. Zoti Withers erdhi vetëm pak ditë pasi Tiranën zyrtare e vizitoi Presidenti amerikan Xhorxh Bush, më 10 qershor 2007 dhe kur marrëdhëniet mes dy vendeve ishin në pikën maksimale. Duke gjetur një atmosferë shumë pozitive mes dy qeverie ai vijoi punën deri në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO më 2 prill 2009. Por, pa kaluar as gjysma e mandatit, diplomati i karrierës u përfshi në vorbullën e hetimeve që u hapën për tragjedinë e Gërdecit. Emri i tij u përfol në procesin hetimor të hapur në Uashington gjatë hetimeve të kompanisë së Efraim Diverolit, “AEY”, e cila blinte municione kineze në kundërshtim me ligjet amerikane dhe i çonte në Afganistan. Për nisjen e hetimeve shërbeu dëshmia e një ushtaraku në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Por, pas seancës dëgjimore që u zhvillua nga komisioni “Waksman”, ai rezultoi i papërlyer në këtë aferë që në Shqipëri u pasua me viktima, ndërsa në Uashington u konsiderua një skandal financiar. Nisja e hetimeve nga prokuroria për abuzime nga zyrtarë të lartë në Shqipëri për tragjedinë e Gërdecit shënoi edhe ftohjen e ngadalshme që ambasadorit amerikan me qeverinë shqiptare, dhe veçanërisht me kryeministrin Berisha.
Presionet e diplomatit amerikan për një gjyqësor të pavarur, për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe luftën e ashpër kundër korrupsionit dhe krimit, u pasuan me një lloj padurimi nga maxhoranca për largimin e tij. Madje, është përfolur në media se qeveria “Berisha” ka dërguar zyrtarisht ankesë në Uashington në lidhje me punën e ambasadorit Withers. Gjithsesi, ambasadori në ikje i SHBA-ve do të mbetet ndër diplomatët më popullorë në Shqipëri; kjo jo vetëm për shkak të marrëdhënieve të ngrohta mes dy vendeve, por edhe falë aftësisë së tij për të “hyrë nën lëkurën” e shqiptarëve, falë vullnetit të tij për të njohur historinë e këtij vendi, për të prekur plagët e kaluara dhe të tanishmet, si dhe për të njohur sfidat që kanë përpara Shqipëria dhe shqiptarët.

AMBASADORËT AMERIKANË

Uilliam Rajerson (William E. Ryerson)
Misioni: 21 dhjetor 1991 - 13 tetor 1994

Xhozef Llejk (Joseph E. Lake)
17 tetor 1994 - 15 mars 1996

Mariza Lino (Marisa R. Lino)
4 shtator 1996 – prill 1999

Robert Frouik (Robert Frowick)
20 maj 1999 – 1 shtator 1999

Zhozef Limpreht (Joseph Limprecht)
8 shtator 1999 - 19 maj 2002 (pëson atak kardiak në Lurë)

Xhejms Xhefri (James F. Jeffrey)
22 tetor 2002 - 2 maj 2004

Marsi Ris (Marcie B. Ries)
30 tetor 2004 – qershor 2007

Xhon Uidhers (John L. Withers II)
28 qershor 2007 – gusht 2010

Aleksandër Arvizu (Alexander A. Arvizu)
Gusht 2010 – dhe në vazhdim (pritet miratimi në Senat)

Obama: Ndryshime ambasadorësh në disa vende

Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi të enjten emërimin e disa ambasadorëve në vende të ndryshme të botës. Ndryshimet përshinë Turqinë, Malajzinë, Uzbekistanin, Mbretërinë e Lesothos dhe Shqipërinë. Pjesa më e madhe e kandidaturave të tij janë zyrtarë në Departamentin Amerikan të Shtetit. Në momentin e emërimit të ambasadorëve, presidenti Obama u shpreh se është shumë i lumtur se këta persona kanë pranuar t’i bashkohen administratës së tij. “Kam shumë besim se ata do të shërbejnë me aftësi në pozicionet e tyre të reja dhe pres të punoj me ta në muajt dhe vitet në vijim.

Ambasadorët që emëroi Obama më 1 korrik

Alexandër A. Arvizu, ambasador në Republikën e Shqipërisë

Michele T. Bond, ambasador në Mbretërinë e Lesothos

Paul W. Jones, ambasador në Malajzi

George A. Krol, ambasador në Republikën e Uzbekistanit

Francis J. Ricciardone, ambasador në Republikën e Turqisë

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›