Meta: Zgjedhjet në 18-19 maj, garë në të gjitha nivelet
18-19 maji do të jenë datat e mbajtjes së Konventës Zgjedhore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo është konfirmuar nga vetë kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, i cili në mbledhjen e kryesisë tha se në zgjedhje do të kandidohet në mënyrë alternative në të gjitha nivelet, duke filluar nga vetë posti i kryetarit.
Në këtë kontest ai u shpreh se përpara castit final do të mbahet konventa e Gruas për Integrim (LGI) dhe ajo e LRI, ndërsa ka theksuar se LSI duhet të bëjë një rivlerësim programi, duke u përqëndruar në angazhimet në qeverisjen aktuale, por duke mos lënë në plan të dytë dhe në atë të ardhmen.
Më tej ai ka vlerësuar 2012 si një vit të rëndësishëm për historinë e popullit shqiptar dhe në këtë kontekst ai u shpreh se LSI do të përmbushë të gjitha angazhimet e saj në këtë drejtim.
“LSI si forcë e rëndësishme dhe pjesë e kualicionit do të përbushë të gjitha angazhimet e saj. Që të jetë një vit i sundimit të ligjit për të forcuar themelet e këtij shteti edhe në 100 vitet e ardhshme. Së bashku me sekretarin e përgjithshëm kemi përcaktuar një axhendë për 6 muajt e parë “-përfundoi Meta.