E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Zgjedhjet plotësuan shumicën e standardeve

TIRANE-Një ditë pas protestave të disa emigrantëve në Greqi për hapjen e kutive të votimit në Shqipëri, Meta shprehet para anëtarëve të Ministeralit të OSBE-së që po mbahet në Athinë se, zgjedhjet i përmbushën “shumicën” e standardeve të kësaj organizate.
Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm mbajti dje fjalën e rastit në këtë Ministeral, ku vuri në dukje angazhimin e qeverisë shqiptare për të plotësuar të gjitha reformat për t’u integruar në Bashkimin Europian. “Gjatë këtij viti Shqipëria ka shënuar arritje të rëndësishme që janë ‘gurë kilometrikë’ në procesin e saj të integrimit euro–atlantik. Jo më pak e rëndësishme ishte dhe organizimi i zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor, të cilat përmbushën shumicën e standardeve të OSBE-së”, - tha mes të tjerave Meta. Sipas tij, edhe koalicioni i partive të dala nga këto zgjedhje, është i përkushtuar për të çuar përpara aspiratën e popullit shqiptar, që është integrimi në BE. Meta përshëndeti edhe vendimin e 27 vendeve të BE-së për të shqyrtuar kërkesën e saj për statusin dhe u shpreh se qeveria po bën përgatitjet e saj për “të realizuar hapat e mëtejshëm në këtë proces, që ne presim ta kthejë Shqipërinë në një vend kandidat për në BE brenda afatit më të shpejtë të mundshëm kohor”. Ministri i Jashtëm u ka bërë të ditur homologëve të tij, pjesëmarrës në këtë Ministeral, se me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, mjedisi gjeopolitik i Ballkanit nuk ka qenë ndonjëherë më paqësor dhe më i qëndrueshëm sa tani. Sipas tij, të gjitha vendet e këtij rajoni duhet të kenë vetëm një perspektivë, që është integrimi euroatlantik.
Kosova
Meta në fjalimin e tij ka prekur dhe realitetin kosovar, ku vlerësoi organizimin e zgjedhjeve në këtë shtet duke i konsideruar si “shembull tjetër i rritjes së shkallës së pjekurisë së popullit të Kosovës dhe përfaqësuesve të tij politikë”. Në prani edhe të ambasadorëve të vendeve të tilla, si Rusia apo Serbia, zëvendëskryeministri është shprehur se, Kosova e pavarur është e aftë tashmë të japë kontributin e saj për sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor. “Në këtë drejtim, ne dëshirojmë të shprehim kënaqësinë tonë për nivelin inkurajues të pjesëmarrjes së komunitetit vendor serb në këto zgjedhje. Pjesëmarrja e tyre në institucionet demokratike dhe legjitime të Kosovës së pavarur janë ndihmesa më e mirë që ata mund të japin për të ardhmen e tyre, e cila është sigurisht dhe pashmangshmërisht e lidhur me një Kosovë të stabilizuar, të begatë dhe europiane”, - është shprehur Meta. Në fund të fjalës së tij, ai ka përshëndetur kryesinë e radhës së OSBE-së, që në janar do t’i kalojë Kazakistanit. Dhe, me këtë rast ai ka shtuar ndër të tjera se, “presim me kënaqësi të bashkëpunojmë me të në të gjitha fushat, e sidomos në fushat e dialogut fetar dhe kulturor, ku dy vendet tona me të drejtë krenohen me modelet e tyre të suksesshme të shoqërive tolerante”.
Meta po dje, në përfundim të këtij Ministerali, u takua dhe me homologun e tij suedez, Karl Bildt. Ministri jonë i Jashtëm e falenderoi atë për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë për miratimin e aplikimit nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›