E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata liroi vrasësit e kambistit durrsak

Kapen autorët e vrasjes së
kambistit nga Durrësi,
Agush Hyzoti. Dy vëllezër
nga Elbasani dhe një i
ri nga Durrësi, të njohur si kontingjentë
të policisë, janë arrestuar
dje si autorë të dyshuar për
ekzekutimin e 45-vjeçarit durrsak.
Por ekzekutimi i kambistit mund të
ishte parandaluar. Asgjë nuk do të
kishte ndodhur nëse këta persona
do të ndodheshin ende në qelitë e
paraburgimit për të dalë para
drejtësisë për vjedhje automjetesh.
Shërbimet e Komisariatit
nr.2 të policisë së kryeqytetit i kishin
arrestuar në fund të muajit prill,
por drejtësia i la të lirë, duke u
dhënë mundësinë të vijojnë me
aktivitetin e tyre kriminal, që i mori
jetën një njeriu, një bashkëshorti
dhe babai. Mësohet se 26-vjeçari,
Luiz Vangjeli është arrestuar katër
vjet më parë, si bashkëpunëtor në
vrasjen e një 21-vjeçari nga Durrësi.
Lënia e lirë nga autoritetet pas
arrestimit të fundit të policisë vijoi
me vjedhjen e radhës për Vangjelin
dhe vëllezërit Kevin e Amarildo
Ranxha, të cilën e shoqëruan
me ekzekutimin e një kambisti që
po ngjiste shkallët e pallatit për të
shkuar në apartamentin e tij. Antikrimi
i Durrësit ka vepruar me
shpejtësi në zbardhjen e vrasjes
së Agush Hyzotit, 45-vjeçarit nga
Durrësi, i vetëpunësuar në një
Agjenci të Këmbimit Valutor, i cili
humbi jetën për paratë që mbante
me vete pas një dite të gjatë e
të lodhshme pune. Njëzet mijë
euro dhe dhjetë milionë lekë është
vlera që Luis Vangjeli dhe
vëllezërit Ranxha i grabitën
Hyzotit duke mos u mjaftuar me
kaq. Në ikje e sipër, ata i janë
përgjigjur jo vetëm rezistencës së
kambistit për të mbrojtur mundin
e djersën e tij, por edhe për të
shuar, sipas tyre, çdo mundësi
identifikimi. Motori dhe një automjet
tip "Ford" që janë përdorur
për largimin e treshes së autorëve
nga vendi i ngjarjes janë bllokuar
në cilësinë e provës materiale,
bashkë me armën e krimit, një
automatik, dy gëzhoja, si dhe një
paruke që përdorej gjatë aktivitetit
të tyre kriminal. Për të
shmangur dëshmitarët e drejtpërdrejtë
në ngjarje, autorët i
kanë zënë pusi Hyzotit, ndërsa ky
ishte futur brenda në pallatin ku
banonte. Në katin e dytë, të rinjtë
i kanë dalë përpara, i kanë
marrë me forcë paratë dhe më pas
e kanë vrarë. Drejtoria e Policisë
së Qarkut të Durrësit deklaroi se
pas një pune intensive dhe një
profesionalizmi të mirëfilltë u arrit
që brenda një kohe të shkurtër
të bëhet zbulimi i mekanizmit të
ngjarjes, identifikimi i autorëve
dhe arrestimi i tyre në orët e para
të ditës së diel. Arrestimet e autorëve
u kryen në dy qytete, aty
ku dhe banojnë. Luis Vangjeli, 26
vjeç, u arrestua në shtëpinë e vjehrrit
të tij në Shkozet të Durrësit.
Pas krimit, ai ishte larguar nga
lagjja e tij, që është njëkohësisht
dhe e viktimës. Ky veprim ka ndihmuar
për hetimet. Vangjeli konsiderohet
të jetë arkitekt i kësaj
grabitjeje, ndërsa shkrepjen e
këmbëzës së armës ia ka lënë
vëllezërve Ranxha, meqë ai "ishte
në lagjen e tij" dhe mund ta
njihnin e identifikohej lehtë.
Ndërkaq në shtëpinë e tyre në Elbasan
janë arrestuar djemtë e
Petrit Ranxhës, Kevini 32 vjeç, dhe
Amarildo Ranxha, 25 vjeç.

Autorët e kanë pritur viktimën
në katin e dytë të pallatit

Dy vëllezërit nga Elbasani dhe durrsaku rezultojnë të jenë
bashkautorë të vrasjes së ndodhur pasditen e së shtunës
në lagjen 11 të qytetit bregdetar. Ata e kanë ndjekur viktimën
dhe duke përfituar nga ora e qetë, vendi i zgjedhur për sulmin
dhe organizimi i veprimeve të shpejta, i kanë grabitur sasinë
prej 20 mijë eurosh dhe 10 milionë lekësh dhe më pas e kanë qëlluar
me armë zjarri automatike, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ata janë larguar me shpejtësi fillimisht me një motoçikletë, të
cilën e kanë braktisur jo larg vendit të ngjarjes dhe më pas kanë lëvizur
me një automjet të tipit "Ford". Ekzekutimin e kambistit që më
parë ka qenë punonjës i Antikontrabandës në Durrës e ka bërë Kevin
Ranxha, ndërkohë që i vëllai, Amarildo, ndodhej në afërsi të pallatit
për të siguruar veprimet e dy të tjerëve. Në hyrje të pallatit, Kevinin
e priste me motor të ndezur Luis Vangjeli gati për t‘u larguar menjëherë
nga vendngjarja. Pas vrasjes kanë ikur me motor, të cilin e
kanë braktisur në një distancë jo shumë të larg pallatit të viktimës.
E ndërsa policia mbërrinte në vendin e ngjarjes, ata kishin nisur
rrugëtimin e tyre. Vëllezërit drejt Elbasanit, ndërsa Luis Vangjeli, niset
për në shtëpinë e vjehrrit, në Shkozet të Durrësit. Ndaj të treve janë
ngritur akuzat për vjedhje me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim,
si dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake, vepra penale
të parashikuara nga nenet 141, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal. Për të
zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e rëndë, në përbërje të grupit
të punës përveç specialistëve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të
Durrësit dhe prokurorëve të këtij rrethi, u angazhuan dhe ekspertë
të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›