E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk kemi asnjë kompleks për bashkëpunimin me PD

Hendeku i krijuar mes PS-së dhe LSI-së duket se nuk e shqetëson aspak kryetarin e PS-së, Edi Rama, për të mbrojtur dhe çuar deri në fund strategjinë e tij politike. Ndryshe nga kryetari i LSI-së, Meta, i cili gjatë një konference për shtyp nuk i ka kursyer akuzat ndaj kryetarit të PS-së dhe Kryeministrit Berisha, Rama është treguar më i qetë. Në vazhdim të procesit të konsultimit "Me Dyer të Hapura", së bashku me ekspertë, analistë dhe profesionistë të pavarur, fondacioni "Qemal Stafa", kryetari i PS-së, Rama, gjatë fjalës së tij ka kritikuar punën e qeverisë, por nuk ka harruar ta sigurojë këtë të fundit se do të ketë konsensusin e PS-së për çdo reformë që përshpejton anëtarësimin e vendit tonë në NATO. "Në këtë aspekt ne do të vazhdojmë të luajmë një rol përcaktues dhe të patjetërsueshëm për të gjitha ato reforma që i duhen vendit për të ngritur një shtet funksional dhe për të pasur një demokraci funksionale. Këto janë reforma që kërkojnë konsensuse të gjera, për të cilat ne jemi të gatshëm pa asnjë kompleks dhe pa asnjë tundim, sepse politika e vjetër e së shkuarës ka bërë që kjo ftesë të vonojë 16 vjet, ndërkohë që Shqipëria hapin e parë e bëri në vitin 1992", është shprehur Rama. U vonua 16 vjet një çështje, është shprehur Rama, për të cilën populli shqiptar nuk ka asnjë dilemë, që socialistë e demokratë e qytetarë pa parti kanë 16 vjet që janë në një mendje; që Shqipëria duhet të jetë pjesë e kësaj aleance të madhe. Ndërsa drejtori ekzekutiv i fondacionit "Qemal Stafa", Saimir Tahiri, nënvizoi: "Ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO pritet të ndikojë edhe në procesin e anëtarësimit në BE, duke fokusuar përpjekjet integruese drejt reformave të qenësishme të vendit për t‘i dhënë një ritëm të ri këtij procesi". Sipas Tahirit, duhet të diskutohen gjithnjë e më shumë roli dhe përgjegjësitë e projektuara për Shqipërinë si anëtare potenciale e NATO-s, detyrat e shtëpisë, roli i PSSH në këtë proces, si dhe ridimensionimi i trupit diplomatik për t‘iu përgjigjur më mirë sfidave integruese në diplomacinë dypalëshe dhe shumëpalëshe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›