Mungon uji, banorët paguajnë zjarrfikëset t'i furnizojë
PROBLEMI/ Prefekti i Vlorës shprehet se kjo situatë vjen si pasojë e zbatimit të projektit të ujësjellësit në qytet
VLORË - Furnizim për popullatën nëpërmjet boteve të zjarrfikëseve. Kjo ka qenë zgjidhja e propozuar nga prefektura e Vlorës, në kushtet kur furnizimi me ujë të pijshëm ka pësuar çrregullime, duke munguar thuajse tërësisht në zona të caktuara. Prefekti i Vlorës, Hasan Halili, pohon se kjo situatë ka ardhur si pasojë e zbatimit të projektit të ujësjellësit, nga i cili ka ndërprerje të ujit, por edhe ulje të nivelit të prurjes së tij. Në këto kushte Halili bën me dije se ka nisur furnizimi me ujë nëpërmjet boteve të zjarrfikëseve në disa zona, përfshi edhe spitalin.
"Është një zgjidhje emergjente, në kushtet kur disa zona nuk kanë ujë të pijshëm. Për të mos lënë pa ujë popullatën, si dhe ambiente të spitalit, vendosëm që uji të çohet me botet e zjarrfikëses. Problematike për këtë është vetëm karburanti, për të cilin ne nuk mund të përgjigjemi, por është biseduar të kihet bashkëpunim, qoftë me institucionet që furnizohen me zjarrfikëset apo edhe nga vetë banorët. Ata do të sigurojnë karburantin dhe ne u kemi vënë në dispozicion mjetet. Një zjarrfikëse me kapacitet 14 tonë ujë është vënë në dispozicion të këtij furnizimi, ndërkohë që vetëm po të ketë situata zjarresh, ajo do të kalojë për emergjencën që zakonisht mbulon". Që të enjten mjetet zjarrfikëse i janë drejtuar spitalit të qytetit, ku kanë bërë të mundur mbushjen e boteve me ujë. Ndihmë e tillë është dhënë edhe në repartin e infektivit, por edhe në repartet e tjera të bllokut qendror të spitalit rajonal të Vlorës.