E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojet në përdorim dalin në shitje, paratë tek pronari



Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimin në ligjin e pronësisë

Rusmali: Të presim litarin e diktaturës. Majko: Po e tërhiqni dita-ditës

Bizneset të cilat kanë marrë troje në përdorim publik dhe privat, do të duhet ta paguajnë me vlerë tregu. Paratë do të kalojnë tek pronari i tokës në rast se ka. Në të kundërt, fondi kalon tek kompensimi financiar i Agjencisë së Pronave. Kjo pikë hapi dje një debat në Komisionin parlamentar të Ligjeve ku opozita dhe PR-ja e kundërshtuan, ndërsa ligji i ndryshuar për kthimin dhe kompensimin e pronave dje kaloi me votat e PD-së. Debati kaloi tej cakut të ligjit, duke u fokusuar tek e shkuara komuniste e historisë së pronës. Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve me rend dite një ndryshim në ligjin e pronave, është kthyer në gjëegjëzë për “litarin” e diktaturës. I vetmi konsensus ishte fakti që si PD-ja dhe PS-ja pranuan ekzistencën e këtij litari, i cili simbolizon praninë e komunizmit ende në shoqërinë demokratike. Projektligji i ardhur nga Ministria e Ekonomisë përcaktonte se shoqëritë që kanë në përdorim tokë apo godina, të paguajnë vlerën në bazë të tregut dhe paratë t’i kalojnë pronarit. Ky thelb për kreun e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, është “një e mesme e artë për të kënaqur të gjitha palët”, por nga e majta u interpretua si antikushtetuese, pasi pronari duhet të ketë të drejtën i pari për tokën, dhe jo shoqëria tregtare. Kjo bëri që në komision të niste edhe një debat etik mbi pronën i shoqëruar me interpretimet politike. Rusmali tha se ende vazhdon të tundet litari i diktaturës komuniste, ndaj kërkoi që të pritet. “Duhet të presim litarin e diktaturës dhe kjo bëhet që ne të mos mbajmë anë”, - tha Rusmali. Majko u kundërpërgjigj duke e mbështetur këtë ide, por shtroi se litarin që tundet ta kërkojnë nga ana tjetër dhe të mos tërhiqet dita-ditës. “Dhe këtë litar, për fat të keq, jeni duke e tërhequr dita-ditës gjithnjë e më shumë. Po ju them edhe një herë që të mos votoni për interesin e qiramarrësve. Kthejuani tokën pronarëve dhe po shoh që… keni kaq kohë që po thoni se pse nuk kërkoni ndjesë për të përndjekurit dhe ish-pronarët. Jepuni dëmshpërblimin ish-të përndjekurve dhe kthejuni tokën ish-pronarëve”, - tha Majko. Përgjigja e Rusmalit ishte tek siguria që tentohet të bëhet me pronë. “Ne nuk duhet mbajmë vetëm flamurin e ish-pronarëve, nuk duhet të mbajmë vetëm flamurin e investitorëve, nuk duhet të mbajmë vetëm flamurin e shtetit. Ne duhet të gjejmë një ekuilibër, një të mesme të artë për të kënaqur si investitorin, ashtu edhe subjektet e shpronësuara. Duhet të kënaqim çdo anë”, - deklaroi Rusmali. Në fund të shqyrtimit, shtatë prej deputetëve të djathtë e votuan ndryshimin në ligj, ndërkohë që 5 deputetë të majtë votuan kundër, të shoqëruar me një votë abstenim nga deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi. Një nga deputetët që votoi kundër ishte edhe republikani Arjan Madhi, me idenë se nuk është marrë mendimi i ish-pronarëve. Ndërsa deputeti tjetër i PR-së, Galip Ramadhi, votoi pro nismës, ndryshe nga kryetari i tij i grupit parlamentar. Projektligji përcakton se Drejtoria e Pronave Publike në Ministrinë e Financave ndjek procedurat e shitjeve të trojeve të marra në përdorim nga shoqëri tregtare për biznes. Trualli shitet me çmim tregu dhe paratë i kalojnë pronarit ose subjektit të shpronësimit në rast se ka të tillë. Në rast se toka është shtetërore, atëherë paratë e grumbulluara kalojnë në fondin e kompensimit financiar për ish-pronarët.

Debati në Komisionin e Ligjeve

Pandeli Majko

Ky projektligj vendos që të drejtën e parablerjes ta ketë shoqëria dhe jo pronari. Tani më thoni se në cilin vend të botës bëhet kjo.

Arjan Madhi

Ne nuk po gjejmë një shkresë të ish-pronarëve në rast se është marrë mendimi i tyre. Duhej të merrej vendimi i tyre për këtë projektligj.

Besnik Dervishi

Këtij projektligjii nuk i dihet rëndësia e tij. Duket që ai është bërë për të kënaqur disa interesa të ngushta të shoqërive që disponojnë troje apo godina.

Pal Dajçi

Më duket se po keqinterpretohet, pasi projektligji i qeverisë u vjen në ndihmë ish-pronarëve ashtu edhe shoqërive. Ne e shohim që edhe në zonat tona që mjaft prej këtyre pronave po degradohen dhe mendojmë se ky projektligj do të ndihmojë në gjallërimin e tyre.

Spartak Braho

Ky ligj është katrahurë. Duhet të rregullohen këto parregullsi në marrëdhëniet shtet-pronar. Ky projektligj në thelb është antikushtetues ashtu si ai i legalizimeve që hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese, sepse shteti vendos për pronësinë dhe jo pronari. Shteti nuk duhet të vendosë për pronësinë.

Eris Hoxha

Projektligji është korrekt dhe përfaqëson një marrëdhënie kontraktuale të qartë mes shtetit dhe shoqërive, njëkohësisht edhe me pronarët.

Ilir Rusmali

Duhet ta votojmë këtë projektligj të qeverisë. Ne nuk duhet të mbajmë vetëm flamurin e ish-pronarëve, nuk duhet të mbajmë vetëm flamurin e investitorëve, nuk duhet të mbajmë vetëm flamurin e shtetit. Ne si ligjvënës duhet të krijojmë siguri për këtë çështje fondamentale, të cilën na e kanë kërkuar edhe ndërkombëtarët për çështjen e sigurisë. Bëhet fjalë për pak shoqëri dhe kjo nismë që ka ardhur nga ministria është e mirë. Ne duhet të gjejmë një ekuilibër, një të mesme të artë për të kënaqur si investitorin, ashtu edhe subjektet e shpronësuara. Duhet të kënaqim çdo anë. Duhet të presim litarin e diktaturës dhe kjo bëhet që ne të mos mbajmë anë.

Pandeli Majko

Më pëlqeu shumë kjo thënia e Rusmalit se duhet të presim litarin e diktaturës. Tani ky projektligj shkel gjithçka. Po votoni shpronësimin për interes të qiramarrësit. Në asnjë rast, dhe kjo është ironia më e madhe për shqiptarët, sepse në rast se ka ende litar varur, nuk është këtej majtas, po është në krahun tuaj. Dhe këtë litar, për fat të keq, jeni duke e tërhequr dita-ditës gjithnjë e më shumë. Po ju them edhe një herë, që të mos votoni për interesin e qiramarrësve. Kthejuani tokën pronarëve dhe po shoh që… keni kaq kohë që po thoni se pse nuk kërkoni ndjesë për të përndjekurit dhe ish-pronarët. Jepuni dëmshpërblimin ish-të përndjekurve dhe kthejuani tokën ish-pronarëve.

Sondazhi i UNIFEM-it: Gratë në politikë pengohen nga burrat

Organizata UNIFEM në bashkëpunim me disa shoqata në Shqipëri, organizoi një sondazh në lidhje me pjesëmarrjen e gruas në politikë. Në total, sondazhi me 1200 të anketuar, 73 për qind e tyre mendon se gratë duhet në përfshihen në jenë publike të vendit. Sondazhi ka arsyetuar edhe pengesat e futjes së grave në politikë dhe njëra prej tyre ka qenë, burrat. Pyetjes së çfarë i pengon femrat që të zgjidhen, shumica e pjesëmarrësve në vrojtim prej 45,6% thanë se perceptojnë se ka një sërë pengesash që e pengon zgjedhjen e femrave. Sipas sondazhit, vihet re sidomos se pengesa kryesore e renditur ishte mungesa e mbështetjes nga politikanët meshkuj me 38,6% dhe mungesa e mbështetjes nga partitë politike me 21,6%. Pyetjes: “Sikur kësaj të diele të mbahen zgjedhjet vendore dhe në zgjedhje të kishte dy kandidatë, një mashkull dhe një femër, a do të kishte më shumë mundësi të votonit për kandidaten femër?” më shumë se një e treta e pjesëmarrësve në vrojtim thanë se ishin të pavendosur në lidhje me faktin se si do të ndikonte në vendimin e tyre gjinia e kandidatit. Kështu, përgjigja e përgjithshme për këtë pyetje duket se është “i pavendosur”. Për pyetjen: “Sipas mendimit tuaj, do të ishit dakord që një femër të mund të zgjidhet/emërohet në postin e mëposhtëm?” përgjigjet tregojnë se në përgjithësi, njerëzit janë të hapur që femrat të jenë në poste të veçanta udhëheqëse më konkretisht, në kujdesin social, shëndetësi dhe drejtësi. Megjithatë, kur bëhet parashikimi për gratë në postet më të larta (kryetar komune, kryeministër dhe president) në përgjigjet e tyre pjesëmarrësit ndihen pak më mirë me gratë në këto poste drejtuese. Është sidomos interesante të vëresh se si pjesëmarrësit meshkuj edhe ato femra dhanë përgjigje shumë të ngjashme për këtë pyetje.

Pronat, Bakalli, nismë për shtyrjen e dorëzimit të kërkesave

Deputeti Gilman Bakalli dorëzoi dje në Kuvend një nismë ligjore, sipas të cilës kërkohet shtyrja e afatit të depozitimit të kërkesave të ish-pronarëve për kthim ose për kompensim prone. Ligji aktual kishte vendosur si afat fundin e vitit 2008, por z. Bakalli ka kërkuar që kjo të shtyhet deri në 30 qershor të vitit 2014. Në relacionin e këtij ndryshimi ligjor, Bakalli arsyeton se ka mjaft ish-pronarë, të cilët nuk kanë bërë aplikimin për njohjen e pronës së tyre. “Miratimi i këtij ligji ishte një hap përpara në krahasim me ligjet e tjera, por subjekteve të shpronësuara do t’u kërkohej hapja edhe një herë nga fillimi i dosjeve pranë degëve të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qarqe, pasi sipas këtij ligji, por edhe ndryshimeve të mëpasme të tij, subjektet e shpronësuara duhet të plotësonin një sërë dokumentesh të reja sidomos plan-vendosjet (hartat) e pronave”, - thuhet në relacionin e këtij amendimi. Deputeti Bakalli shprehet se nuk është kurrë vonë të kërkohet prona. “Nisur nga këto fakte, por edhe sepse e drejta e pronësisë nuk mund të shuhet me një datë, duke pasur parasysh faktin se kaluan 50 vjet dhe nuk u shuajt e drejta për ta kërkuar pronën, nisur nga fakti domethënës i vendosur nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin nr. 24, viti 2002 dhe ligji nr. 7698, dt. 15.04.1993, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve ”, nuk janë mënyra të reja të fitimit të pronësisë, por korrigjim i padrejtësisë së bërë dhe për këtë qëllim, shfuqizojnë ipso lege të gjitha aktet e mëparshme ligjore, me të cilat u ishte marrë prona pronarëve padrejtësisht. Ato nuk krijojnë një situatë të re (nuk kanë efekt konstitutiv), por ristabilizojnë ligjshmërinë dhe drejtësinë”, - thuhet në relacion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›