E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, grusht kundër Ramës

Ilir Meta i tregon forcën Edi Ramës. Me thirrjet “Vota është e shenjtë” me një

sallë që ngriti grushtet lart, Lëvizja Socialiste për Integrim hodhi dje hapin e parë të protestës ndaj përjashtimit nga përfaqësimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të cilën akuzojnë direkt kryesocialistin Edi Rama si ideator. Më shumë se një konventë që u organizua me urgjencë në dy ditët e fundit, organizatorët tentuan dhe u kujdesën që të jepnin mesazhin e një revolucioni, për të treguar forcën e duke përdorur këtu thirrje që i përshtateshin situatës, por edhe thirrje revolucione të njohura në histori. Për të dhënë një mesazh më të qartë të asaj që kërkojnë të realizojnë, Artur Zheji mori për shembull luftën kundër fashizmit në Spanjë, duke kujtuar edhe thirrjen e njohur “No passaran” (nuk do të kalojnë). Një skenar i përgatitur më me kujdes se ai i 28 korrikut të 2006-ës kur LSI-ja u ndodh në të njëjtën situatë. Ketë herë, kryetari i kësaj partie ka vendosur që protagonistë të reagimit që e konsideruan deri edhe revolucion, të jenë të rinjtë e kësaj partie. “Vota është e shenjtë”, “Vota është demokraci”,

“Jo, jo, jo diktaturës” ishin ndër thirrjet e shumta që mbizotëruan në takim.

Po dje, LSI-ja zhvilloi protestën e parë të paralajmëruar edhe më parë për të vijuar edhe me bllokim të Parlamentit në ditët në vijim. Menjëherë pas mbarimit të konventës, LSI-ja i është drejtuar selisë së OSBE-së në Tiranë, e ndodhur në një prej mjediseve më luksoze të kryeqytetit dhe pas 15 minutash, ambasadori Bosh u detyrua të dilte dhe të bashkëbisedonte me protestuesit dhe drejtuesit e LSI-së. Nga ana tjetër, që nga anëtarët më të thjeshtë e deri te drejtuesit më të lartë, janë duke u menduar hapat e mëtejshëm që të detyrojnë dy partitë e mëdha që të tërhiqen nga formula e tyre për KQZ-në. Burime nga LSI-ja thanë se është duke u menduar për një grevë urie, ashtu siç u saktësua se nuk ka asnjë diskutim konkret apo edhe vendim për hedhjen e një hapi të tillë, për momentin gjithçka mbetet një ide që zë vend në tavolina informale sesa zyrtare.

Akuzat për Ramën

Por “inati”, që në fakt duket se nuk e kanë fare ndaj mazhorancës, bie direkt mbi socialistët. Në një fjalë të gjatë mbajtur para anëtarëve të LSI-së, Meta akuzoi Ramën si pseudoopozitar, kasap të Kushtetutës dhe hapësirave publike. “Demagogjia e shitur me të madhe si një risi dhe politikë e re me sloganin "Përtej së majtës e të djathtës" është në fakt reflektimi më i qartë i natyrës autokratike dhe totalitariste që e shoqëron në çdo veprim, pasi gjithkush në Shqipëri e di fare mirë se përtej së majtës është diktatura totalitariste që lamë pas dhe përtej të djathtës është fashizmi”, - tha Meta.

Në përfundim të kësaj, ai lajmëroi fillimin e protestave për të parandaluar fatkeqësinë kombëtare, siç e konsideroi Meta, që po përgatit Rama së bashku me Berishën.

Bosh: Mbështesim gjithëpërfshirjen, por s’dalim dot kundër Parlamentit

OSBE-ja mbështet të drejtën e përfaqësimit të sa më shumë partive në KQZ e në strukturat e tjera të administrimit të zgjedhjeve, por nuk mund të dalë kundër vendimeve të Parlamentit. Ky ishte mesazhi i dhënë dje nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh për protestuesit e LSI-së para selisë së kësaj organizate. Pak minuta pasi protestuesit filluan thirrjet tel selia e OSBE-së, ambasadori Bosh kë lënë zyrën e tij për të dalë dhe për të biseduar me protestuesit. Bosh tha para tyre se OSBE-ja do të monitorojë procesin zgjedhor dhe nga ky institucion është kërkuar një përfaqësim i gjerë në KQZ, por nuk mund të dalë kundër vendimeve të Parlamentit. Sipas drejtuesve të LSI-së, mësohet se Bosh është shprehur për një formulë 8+1 ose formula aktuale e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por nga ana tjetër duket se dha një mesazh se protestat te OSBE-ja nuk ishin vendi i duhur. Nga ana tjetër, kreu i LSI-së, gjatë fjalës së tij në Konventën e Jashtëzakonshme kërkoi nga përfaqësia ndërkombëtare që të reagojnë seriozisht ndaj formulave tinëzare, siç i quaji ai të dy partive të mëdha. “Nga kjo tribunë sot i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar dhe të gjithë përfaqësuesve të tij në Shqipëri që ta marrin shumë seriozisht çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të ushtrojnë të gjithë ndikimin e nevojshëm, të parandalohet shkatërrimi i zgjedhjeve nga dy partitë e tjera, pasi vendi ynë nuk meriton më të vonohet për t'u bashkuar familjes evropiane”. Burime pranë LSI-së thanë se Boshi i është përgjigjur pozitivisht letrës së bërë nga të rinjtë e LRI-së për një takim me ta në ditët në vijim.

Veliaj: Meta, akuza për interesa personale

Në mungesë të Edi Ramës, i cili është nisur dje drejt Londrës, një ndër aleatët e tij më të besuar, kreu i G99-ës, Erion Veliaj, reagoi në lidhje me Konventën dhe protestën e LSI-së para selisë së OSBE-së. Veliaj shfrytëzoi një takim në Kinostudio në disa dyqane ku merrej ushqim me lista, për të deklaruar

se “asnjëherë politikanët nuk bashkohen dhe të ngrenë zërin kaq fort për kauza qytetare si varfëria, ndërkohë që sapo preken interesat e tyre të ngushta, nxitojnë të vënë në përdorim gjithë arsenalin e tyre për të kundërshtuar”. Sipas Veliajt, opozita duhet të ketë një synim të përbashkët, jetën qytetare. Madje ai kujtoi se edhe kreu i LSI-së ka qenë Kryeministër dhe se nuk është marrë ndonjëherë me probleme të varfërisë. “Ajo që duhet të kuptojmë, është se opozita duhet të ketë një kauzë të përbashkët dhe kjo duhet të jetë jeta, ajo qytetare. Ne nuk duhet të jemi naivë. Këto lista dhe kjo varfëri nuk janë krijuar tani. Ato janë mbartur nga qeveri të tjera të drejtuara nga kryeministra të tjerë. Asnjëherë nuk kemi parë ato forca që e konsiderojnë sot veten në opozitë të bashkohen dhe të bëjnë një konventë për varfërinë, ndërkohë që janë të gatshëm të harxhojnë financa pa fund në organizimet e tyre për t’u shërbyer interesave vetjake”, - tha Veliaj.

Manjani: PS-ja rikërkon dorëheqjen e Kryeministrit

PS-ja i është rikthyer sërish dje kërkesës për dorëheqjen e Kryeministrit Berisha. Sipas kësaj partie, Berisha ka gënjyer shqiptarët për Gërdecin. Në lidhje me këtë çështje kjo parti vazhdon ende të mbetet e paqartë. Pak javë më parë edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit, duke u tërhequr sërish dy ditë më vonë. Ai deklaroi se nuk kishte votat e mjaftueshme, duke iu rikthyer sërish idesë së tij të hershme që Berishën do ta largojë vetëm përmes zgjedhjeve. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani, tha se PS-ja kërkon largimin e kreut të ekzekutivit, sepse kjo është e vetmja zgjidhje që i mbetet. “Sali Berisha duhet të largohet nga çdo detyrë publike, sepse gënjeu me paturpësi shqiptarët për mosdijeni për Gërdecin, ka marrë peng shtetin, duke e vënë atë në shërbim të interesave të tij personale, ndaj duhet lejuar drejtësia të bëjë punën e saj”, - tha Manjani. Ai bëri të ditur se Partia Socialiste është e vendosur që së bashku me shumicën e shqiptarëve, të mos lejojë askënd të nëpërkëmbë drejtësinë e shqiptarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›