E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat amerikane të konfiskuara nga Enver Hoxha, kompensim me vlerë tregu

Qeveria shqiptare ka premtuar kompensim në para për pronat e qytetarëve amerikanë të cilëve u është konfiskuar prona e tyre gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Edhe nëse ata kanë vdekur, do të përfitojnë familjarët e pronarit të dikurshëm, qofshin ata dhe shqiptarë. Siç bën të ditur Zëri i Amerikës në një raport të tij, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ende të hapur programin për kompensimin e shtetasve amerikanë që humbën pronat në valën e konfiskimeve nga qeveria komuniste e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore. Kryetari i Komisionit për kompensimin e shtetasve amerikanë nga vende të huaja, juristi Mauricio Tamargo, shpjegon procesin e kompensimit dhe kushtet që duhet të plotësojnë individët për të përfituar nga ky program. Në bazë të një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare në mars të vitit 1995, në kuadrin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, Komisioni për pronat e shtetasve amerikanë në vende të huaja, krijoi programin për kompensimin e shtetasve amerikanë, pronat e të cilëve ishin konfiskuar nga qeveria shqiptare para vitit 1995. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, shpjegon kryetari i këtij komisioni, Mauricio Tamargo, qeveria shqiptare ka rënë dakord të paguajë një shumë parash për kompensimin e këtyre ish-pronarëve, qoftë kur ata banojnë aktualisht në Shtetet e Bashkuara apo në Shqipëri. Shuma është përcaktuar në bazë të standardeve ndërkombëtare të konvertimit të vlerës së përgjithshme të pronave që u përkasin shtetasve amerikanë me origjinë shqiptare. Zoti Tamargo shpjegon kushtet që duhet të plotësojë shtetasi amerikan për të përfituar kompensim në bazë të këtij programi. “Për të përfituar nga ky program, prona e shtetasit amerikan duhet të ketë qenë marrë nga një qeveri e huaj, individi duhet të ketë qenë shtetas amerikan kur prona e tij është konfiskuar ose dëmtuar, dhe prona nuk i është kthyer ose kompensuar familjes në ndonjë formë tjetër. Ne i pranojmë të gjitha rastet dhe për ato që janë faktike ne i kompensojmë pronarët për humbjet që kanë pësuar”, - thotë ai.

Nëse shtetasi amerikan, të cilit i përket prona, ka vdekur, kompensimin e përfitojnë familjarët e tij në bazë të trashëgimisë natyrale, por gjithnjë nëse ata janë shtetas amerikanë. Tamargo shpjegon se nëse shtetasi amerikan është martuar me një shtetas shqiptar që nuk ka marrë shtetësinë amerikane, siç ka qenë rasti i shqiptarëve që u kthyen në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore, bashkëshorti përfiton pjesën e pronës sipas ligjit në Shqipëri, që nuk kompensohet, ndërsa fëmijët e shtetasit amerikan, të cilët konsiderohen edhe ata shtetas amerikanë, kompensohen për pjesën që u takon atyre. Vlera e kompensimit, shpjegon zoti Tamargo, llogaritet sipas normave ndërkombëtare. “Pronari kompensohet në bazë të vlerës së pronës në kohën e konfiskimit. Komisioni përdor mënyrën e krahasimit për prona të ngjashme në zonë, ashtu siç veprohet edhe në Shtetet e Bashkuara. Në bazë të ligjit ndërkombëtar të kompensimit, kësaj vlere i shtohet një interes bazë prej 6% në vit”.

“E gjithë praktika e Komisionit për kompensimin e shtetasve amerikanë që kanë humbur pronat në shtetet e huaja, - thotë Mauricio Tamargo, - është e arkivuar dhe e hapur për publikun”. Për këtë komisioni ka faqen e tij të Internetit http://www.usdoj.gov/fcsc me informacionin që u duhet individëve të interesuar në këtë program, ku ka publikuar edhe rastet që ka marrë në shqyrtim. Po ashtu komisioni jep informacion edhe nëpërmjet imejlit info.fcsc@usdoj.gov, si dhe me telefon në numrin 202-616-6975.

Komisioni për kompensimin e pronave të shtetasve amerikanë të konfiskuara në vende të huaja është krijuar rreth 50 vjet më parë pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe ka gjykuar qindra padi nga shtetas amerikanë kundër rreth 20 shteteve në kuadrin e mbi 40 programeve të kompensimit.

Raporti i 2007-ës

Si rezultat i shumë përpjekjeve, Komisioni vazhdoi të merrte në konsideratë ankesat e amerikanëve ndaj Shqipërisë në vitin 2007 dhe mori në total 339 kërkesa. Në vitin 1997 ankesat të cilat ishin parë si të kompensueshme, Komisioni mori për to në total shumën prej 1,28 milionë dollarësh. Megjithatë, vazhdon të mbetet dhe një fond prej 1 milion dollarësh për kërkesat e tjera që do të cilësohen të pranueshme. Një amendament që u bë në vitin 2006 mbi marrëveshjen e vitit 1995, eliminoi disa pengesa dhe lejoi Komisionin që të merrte në konsideratë shumë kërkesa të qytetarëve amerikanë dhe u rihapën çështjet e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›