E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana: Jo më skenarë për ndarje të Kosovës

Tirana dhe Prishtina zyrtare nuk do të pranojnë skenarë të rinj për ndarjen e Kosovës, pasi çështja e saj është mbyllur dhe nuk mund të ketë rikthim mbrapa. Ky është qëndrimi strikt i Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe atij të Shqipërisë, Bamir Topi, i shprehur qartë gjatë vizitës së djeshme në Pallatin e Brigadave. Z. Sejdiu bëri të ditur se Kosova është duke përmbyllur mekanizmat e sigurisë në vend, kurse z. Topi evidentoi se marrëdhëniet në fushën e sigurisë do të intensifikohen dhe se ekziston një bashkëpunim shumë i mirë për ruajtjen e kufijve. Sipas z. Topi dhe z. Sejdiu, çështja e pavarësisë së Kosovës tashmë është mbyllur dhe nuk do të ketë ndarje të territorit të saj. "Nuk mund të ketë skenar të ndarjes së Kosovës. Kosova do të projektohet si e tillë, si një vend integral dhe multientik. Kosova është njohur nga vendet më të rëndësishme të botës dhe pavarësia tashmë është e pakthyeshme", - u shpreh z. Topi. Presidenti shqiptar vuri në dukje se Shqipëria dhe Kosova po ecin të sigurta drejt progresit. Në gjykimin e z. Topi, Tirana së shpejti do të jetë anëtare e NATO-s, ndërsa Prishtina pas 17 shkurtit ka vendosur shtetin e së drejtës, ka zbatuar ligje me parametra të demokracisë. Topi vuri në dukje se implementimi sa më shpejt i misionit të BE-së do të bëjë që Kosova të punojë si shtet më vete. Në konferencën e përbashkët për shtyp të të dy presidentëve, z.Topi u shpreh se implementimi sa më shpejt i EULEX-it në Kosovë do të sjellë një normalitet në të gjitha linjat e funksionimit qoftë politik, qoftë administrativ që Kosova të punojë si shtet i pavarur. Kurse z. Fatmir Sejdiu vuri theksin tek mbështetja e Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës, duke pranuar se ajo ka qenë shumëdimensionale, edhe në planin ndërkombëtar. “Përvoja juaj e kapërcimit të shumë situatave do të ndikojë edhe tek ne, pasi ju do të jeni model për zhvillimin tonë”, - tha z. Sejdiu.

Shqipëri-Kosovë, pasaportat jo më të nevojshme

Sejdiu: Biznesi shqiptar të privatizojë në Kosovë

Lëvizje e lirë Shqipëri-Kosove dhe përfshirje e biznesmenëve të Shqipërisë në blerjen e aseteve shtetërore që po privatizohen në Kosovë. Këto janë dy nismat e prezantuara dje në Tiranë nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Nisma e parë parashikon që pasaporta të mos jetë një dokument i domosdoshëm për të kaluar kufirin shqiptaro-kosovar, ndërsa e dyta i jep prioritet biznesit shqiptar të investojë në shtetin fqinj. Sipas z. Sejdiu, është me rëndësi që të depërtojmë me kualitetin, me konkurrencën në lidhjet bashkëkohëse të ekonomisë së tregut dhe paralelisht me këtë të krijojmë një bashkëpunim të ndërlidhur në segmente të veçanta të specifikave të secilit vend. “Për ne është me rëndësi që ky kuadër i bashkëpunimit dhe i lëvizjes së lirë të qytetarëve të realizohet. Unë dhashë idenë që duke mbështetur atë që e gjejmë gjatë muajve të verës, të lëvizjes së lirë të qytetarëve jo vetëm për pjesën e turizmit, të jetë një pjesë e lëvizjes së lirë të qytetarëve përgjatë gjithë vitit”, - tha z. Sejdiu. “Prandaj, - shtoi ai, - s’do të ketë nevojë më në fund, kjo do të jetë një çështje që do të sugjerohet dhe nga qeveritë që secili vend të ketë pasaportë, por të ketë një lëvizje normale që është ajo që e gjejmë sot në Evropë apo në Bashkimin Evropian dhe të jetë një shembull i parë i nxitimit kualitativ i ecjes sonë për të pasur edhe aksesin edhe anëtarësimin e vendeve tona në të ardhmen shumë shpejt pikërisht me këto vlera dhe duke punuar këtu lart”. Kurse z. Topi pohoi se do të ishte mirë që potencialet ekonomike të konsumohen brenda vendeve tona. Edhe pse konkurrenca mes vendeve të tjera është e lartë, ne duhet t'i japim një suport edhe biznesit në të dy krahët e vendeve tona. Topi vuri në dukje rëndësinë e projektit gjigand Durrës-Kukës-Morinë. “Rruga që lidh Durrësin me Morinën, do të jetë rrugë që do t’i shërbejë edhe popujve të tjerë. E ardhmja nuk do jetë mes dy vendeve, por mes të gjitha vendeve në Ballkan”, - theksoi z. Bamir Topi.

Bashkëpunimi

Kreu shqiptar dhe ai kosovar siguruan se çështjet e sigurisë, bashkëpunimit ekonomik dhe marrëdhëniet e ndërsjella janë në rrugën e duhur dhe do të kenë rezultate pozitive. Presidenti Topi vlerësoi rrugën Durrës-Kukës-Morinë, si një projekt mjaft të rëndësishëm infrastrukturor jo vetëm mes dy vendeve. Sipas tij, situata e krijuar në rajon e në Kosovë pas pavarësisë, imponon nevojën e stimulimit të nevojës ekomomike. "Marrëdhëniet reciproke do të jenë në infrastrukturë, bujqësi, në turizëm dhe në sektorin universitar", - u shpreh Topi. Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu pohoi se integrimi në NATO dhe në BE është objektivi i përbashkët, si i Kosovës, ashtu dhe i Shqipërisë. Gjatë fjalës së tyre, dy presidentët shqiptarë theksuan si përparësi të Tiranës dhe Prishtinës kontrollin e kufijve, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Marrëdhëniet në fushën e sigurisë do të intensifikohen. Ekziston një bashkëpunim shumë i mirë për ruajtjen e kufijve”, - vlerësoi Presidenti Topi. Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu vlerësoi gjithashtu dhe bashkëpunimin e mirë me NATO-n dhe trupat e saj. “Për sa i përket sigurisë, jemi në përmbyllje të mekanizmave të sigurisë. Kjo do të jetë në partneritet me miqtë e Kosovës dhe në bashkëpunim me vendet e tjera”, - nënvizoi Presidenti Sejdiu.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për Presidentin kosovar

Presidenti Topi i akordoi dje homologut Fatmir Sejdiu Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu". Ky urdhër iu dorëzua Presidentit Sejdiu me motivacionin "Për kontributin e shquar në udhëheqjen e rezistencës popullore kosovare dhe të gjithë veprimit politik për fitoren e pavarësisë së Kosovës dhe ndërtimin e një shteti të ri demokratik, për rolin e tij të rëndësishëm si politikan i respektuar nga populli i tij dhe faktori ndërkombëtar, për krijimin e ekuilibrave politikë dhe institucionalë". Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu shprehu falënderimet dhe e pranoi këtë urdhër si "nder i veçantë që i bëhet popullit të Kosovës dhe aspiratës për liri, pavarësi dhe demokraci". Presidenti Sejdiu u prit në një ceremoni zyrtare në mjediset e Pallatit të Brigadave nga homologu i tij shqiptar, Bamir Topi. Presidenti Sejdiu po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Zgjerim hartës së njohjes së Kosovës

Presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu, vlerësoi dje njohjen e deritanishme të pavarësisë së Kosovës nga 52 shtete dhe sidomos rolin e Shqipërisë në këtë proces. Sipas z. Sejdiu, është tepër e rëndësishme mbyllja e ciklit të njohjes së pavarësisë së shtetit më të ri në botë nga vendet e rajonit, me përjashtim të Serbisë. “Deri tani na kanë njohur vende të rëndësishme, madje edhe nga BE-ja. Shqipëria ka miq dhe njohje dhe shpresojmë të kemi njohje të mëtejshme”, - tha Sejdiu. Gjatë vizitës në Shqipëri, Sejdiu vlerësoi lëvizjet diplomatike të Tiranës zyrtare, duke thënë se Prishtina do të vazhdojë të mbështetet te ky rrjet për të zgjeruar hartën e shteteve që njohin Kosovën.

Berisha: Shqipëria, mbështetje e fortë për Kosovën

Kryeministri Sali Berisha e siguroi dje Presidentin Sejdiu se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për intensifikimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike. Kryeministri shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të ketë një perspektivë shumë të mirë në interes jo vetëm të të dy vendeve, por të gjithë rajonit. Nga ana e tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, vuri në dukje se “të gjitha zhvillimet pozitive në Shqipëri, për Kosovën janë pjesë e përvojës së rëndësishme dhe një model se si të ecim përpara”. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha, Presidenti Sejdiu vlerësoi mbështetjen e fuqishme që qeveria shqiptare u ka dhënë zhvillimeve në Kosovë. Duke e konsideruar Shqipërinë si pjesë e zhvillimeve historike të Kosovës, Presidenti Sejdiu vuri në dukje se "pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka hyrë në një stad tjetër të zhvillimeve, ku përsëri gëzon mbështetjen e plotë të Shqipërisë dhe vendeve aleate. Objektivi ynë është një jetë më e mirë e qytetarëve, plotësimi i ambicies sonë për të qenë partnerë të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal dhe për të lëvizur më shpejt drejt proceseve të integrimeve euroatlantike", - tha Presidenti Sejdiu.

Sipas tij, "ftesa që ka marrë Shqipëria për anëtarësim në NATO është vetëm një dëshmi e përkushtimit që Shqipëria ka bërë për përmbushjen e kritereve të rëndësishme, si dhe një garanci e rëndësishme për të ardhmen". Presidenti Sejdiu vlerësoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi është një sinjal i rëndësishëm i partneritetit aktiv dhe bashkëpunimit mes vendeve tona për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›