Ndihmë juridike për të marrë avokat
Projektligji për ndihmën juridike, në mbështetje të atyre shtresave që nuk kanë mundësi financiare të pajtojnë një avokat, ishte në qendër të një tryeze të rrumbullakët që u organizua dje në qytetin e Shkodrës nga Shërbimi Ligjor në Tiranë dhe me mbështetjen e Komitetit të Helsinkit, ambasadës amerikane në Tiranë dhe SOROS. Gjatë zhvillimit të kësaj tryeze pjesëmarrësit u njohën me temat e mbajtura nga ekspertët e përgatitjes së këtij projektligji si Vangjel Kosta, Dashamir Kore, Rajmonda Bozo, njëkohësisht drejtore e projektit të shërbimit ligjor falas në Tiranë. Në diskutimet e tyre ata nënvizuan se ky projektligj përcakton kushtet, llojin, mënyrën dhe procedurat për dhënien e ndihmës juridike nga shteti me qëllim mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të individit, si dhe interesat e tjera të ligjshme të tij. Sipas specialistëve, ky projektligj pritet të japë një ndikim pozitiv në komunitet, ku përparësi për të marrë të drejtën e ndihmës juridike do ta kenë ata persona të përfshirë në çështje civile ose administrative, por që nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar një avokat. Në këtë rast, personi që do të përfitojë ndihmën ekonomike, duhet të vërtetojë se përfshihet në programet e mbrojtjes sociale ose plotëson kushtet për t’u përfshirë në të. Në takim u sqarua dhe fakti se ndihmën juridike e përfitojnë edhe të miturit, për të cilët mbrojtja në procedim penal dhe në gjykim është e detyrueshme me ligj, ndihmë kjo që mund të kërkohet para, gjatë dhe pas zhvillimit të procesit gjyqësor.