E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita s'ka alternative.

Tiranë (Start)-Kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur kërkesës së opozitës për mocion me debat në Kuvend lidhur me çështjen e Damir Fazlliçit. Në fjalën e rastit, e cila mund të cilësohet ndoshta edhe rekord për minutazhin që mori, gati 120 minuta, kreu i qeverisë përmë tëpër se rreth çështjes Fazlliç, ka komentuar arritjet e qeverisë gjatë këtyre tre viteve në pushtet. Ai foli mbi të gjitha sukseset e qeverisë në tre vite, ku ka theksuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, ftesën historike me Bashkimin Evropian për Asoccim Stabilizimit si dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, që sipas tij ka dhunuar kodin e vdekjes, duke e quajtur kriminel të pafajshmin.

Berisha theksoi se opozita shqiptare është e vetmja opozitë më botë, e cila nuk iu sjell qytetarëve alternativë zhvillimi, por vetëm zhurmon pa fakte.

Kreu i ekzekutivit ka sulmuar ashpër kryetarin e opozitës, Edi Rama. Ai e ka akuzuar këtë të fundit se e ka zhytur opozitën në atë që ai e ka cilësuar si “bataku i bllofeve”. Berisha deklaroi gjatë fjalës së tij se mocioni i kërkuar nga opozita ka në themel mëri, inat dhe zili primitive për zhvillimet në vend.

Zoti Berisha ka akuzuar gjithashtu të majtën, për lidhje të forta me krimin e organizuar kur ajo ishte në pushtet që, sipas tij, kontrollonte institucionet shtetërore.

Ndërkohë, ka reaguar nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe. Kërkesën për mocion, Brace e ka quajtur si një mundësi që iu dha Berishës për të dëshmuar për çështjen Fazllic dhe të gjithë prisnin që ai të thoshte të vërtetën jo gënjeshtrën si në rastin e gërdecit.

“Ju së bashku me Fazllicin, keni folur pak po dëshmuat shumë. Duke treguar se fuqia ekzekutive është në duar dhe interesat e një familje, të një klani që citohet si një nga grupet më të zeza në Ballkan”- tha ai.

Brace ka numëruar me fakte shkeljet dhe abuzimet e bëra në këtë lidhje miqësie, që nuk është çështje bese, por korrupsioni. Sipas tij, Berisha i ka dhënë rolin jolegal të lobistit, akses të paparë kudo dhe e ka shpërblyer në para, madje duke numëruar edhe 400 ditët që ai ka kaluar në një nga hotelet e Tiranës dhe ditët në zyrën kryeministrore.

Fazllic, sipas Braces, shfytëzoi nevojën e Berishës për energjinë dhe tani na merr 55 milionë euro nga paratë e koorporatës KESH, jo në gara të hapura, por me prokurim të drejtpërdrejtë, me çmime deri në 40% më të larta dhe për këtë sërish përgjegjës është Berisha.

Më tej reagoi edhe Kryetarja e Grupit Parlamentar socialist, Valentina Leskaj. “Dy janë arsyet për këtë mocion; Berisha si njeri me imunitet politik duhet të bëjë transparente marrëdhëniet me Fazllic, që kanë derivuar në afera korruptive dhe Berisha e ka borxh një rrëfim të sinqertë për lidhjet me Fazllic, lidhje që nisin nga zgjedhjet e vitit 2005. Rrëfim që PS-ja ia ka kërkuar që ai të deklaronte shpenzimet e fushatës, me kompaninë që loboi me Serbinë kundër interesave të Kosovës”- tha ajo.

Ajo i është drejtuar Berishës, për atë që ai e ka cilësuar si mikun e vet personal. “Ju keni deklaruar se ai është miku juaj personal, ndërkohë që ne jemi njohur me fakte tronditëse që provojnë se ai është përfaqësues i botës së krimit. Ju shtuat sulmet ndaj institucioneve të pavarura deri në hetim parlamentar të Prokurorisë.

Ajo që na ka shqetësuar është se çështja Fazllic nuk është çështje e një individi, por kapja e shtetit, për sa kohë që kryeministri vë në shërbim të tij mbrojtje të posaçme. Kapje e shtetit, pasi kryeministri vë në presion institucionet e pavarura e mbron atë me eskortë policore”- tha më tej ajo.

Ndërkohë, akuzave të opozitës u është përgjigjur deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferri. Në reagimin tij prej më shumë se dhjetë minutash, Xhaferri u shpreh se opozita po luan me politikat e shpifjes, duke bërë këtu krahasim midis Shqipërisë së marrë nga demokratët në vititn 2005 të cilës sipas tij socialistët e lanë të zhytur në korrupsion dhe varfëri, dhe asaj që është sot e që gëzon një imazh mjaft të përmirësuar tek ndërkombëtarët.

Nga ana tjetër, socialisti Gramoz Ruçi u shpreh se kjo është një periudhë ku shteti është i kapur nga krimi. “Është afatshkurtër se në qershor Saliu dhe shteti i tij i kapur marrin fund. Ky është rregulli i demokracisë dhe është i vetmi që Saliu nuk e shkel dot. Jo se nuk do, por se nuk mundet. Ai e di mirë se çfarë i ndodh po të guxojë ta shkelë. E provoi një njëherë në '96-n dhe jo nga rebelimi komunist, siç përpiqet Saliu të mbrohet, por nga shqiptarët që nuk e durojnë dot mashtrimin e Sali Berishës,” - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›