E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta i ‘dorëzon’ Ramës, Mediun dhe Bashën

Autori i Lajmit: Suela Topi
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir meta ka zhvilluar dje një takim me prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. në takimin e zhvilluar në ambientet e ministrisë është folur për detyrimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit. Por një tjetër temë diskutimi ka qenë dhe ajo e imunitetit të zyrtarëve të lartë. I pyetur për imunitetin e Mediut dhe të Bashës, Meta ka pohuar se sa herë qe prokuroria do të kërkojë heqjen e imunitetit do të ketë votën e mazhorancës. Me këtë rast ai ftoi përsëri opozitën në Kuvend. Vizita e Metës në zyrën e kryeprokurores duket se është në hap i parë në sheshimin e marrëdhënieve shpesh konfliktuale mes Ekzekutivit shqiptar dhe organit të akuzës.
Deklarata
Pas takimit me kryeprokuroren Rama, Meta ka sqaruar për median se takimi me Prokuroren e Përgjithshme ka qenë thjesht një takim pune në kuadër të koordinimit tonë me gjithë institucionet e pavarura për të përmbushur të gjitha detyrimet që kanë të bëjnë me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, dhe në përgjithësi për procesin e integrimit evropian. “Ka qenë një takim shumë i frytshëm dhe bashkëpunues”, - tha ai. Per sa i përket mundësisë së thyerjes së akullit mes Ekzekutivit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, numri dy i Qeverisë tha se do të bashkëpunohet shumë ngushtë me organin e akuzës por dhe me institucionet të tjera të pavarura. “Ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me Prokurorinë dhe me gjithë institucionet e tjera të pavarura, pasi shteti është një, pavarësisht nga funksionet e ndryshme. Ne të gjithë duhet të bashkërendojmë punën për të zbatuar ligjin me forcë, me qëllim forcimin e shtetit ligjor dhe arritjen e standardeve evropiane”, - tha ai. Një tjetër temë diskutimi shumë e rëndësishme mes Metës dhe Ramës ishte dhe ajo e imunitetit të zyrtarëve të lartë. I pyetur për këtë çështje zëvendëskryeministri tha se “gjatë takimit me Ramën kemi folur për koordinimin e përbashkët për përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave, dhe në përgjithësi për procesin e integrimit evropian. Për sa i përket çështjes së imuniteteve, mendoj se përgjigjja është dhënë me kohë. Sa herë që Prokuroria të kërkojë heqjen e imunitetit për cilindo deputet do të ketë votën time, dhe besoj se do të ketë votën e të gjithëve në parlament. Dhe së dyti, për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e imuniteteve, ne ftojmë opozitën të hyjë në parlament dhe të votojë për kufizimin e imuniteteve”. Çështja e imunitetit është kthyer në debatin politik të ditës pas deklaratës të bërë pak ditë më parë nga ambasadori amerikan Xhon Uidhers sipas të cilit abuzuesit me ligjin nuk duhet të fshihen pas mburojës së imuniteti. Duke cituar zëvendëssekretarin për Evropën në Departamentin Amerikan të Shtetit, Uidhers ka bërë të qartë se SHBA kërkon një gjë të tillë dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve të drejtësia. “Disa ditë më parë para Komitetit të Helsinkit zëvendëssekretari për Çështjet Evropiane në Departamentin Amerikan të Shtetit, zoti Xhons, tha këto fjalë, “ne vazhdojmë të inkurajojmë qeverinë që të risë mbështetjen e saj për institucionet e pavarura gjyqësore dhe ato të prokurorisë dhe heqjen e imunitetit parlamentar në rastet përkatëse”. Zoti Xhons donte të thoshte që imuniteti nuk duhet të sigurojë strehë për ata që përballen me masa ligjore dhe janë në ndjekje penale. Gjithashtu ai nuk duhet të jetë një mundësi për të mbrojtur atë që është fajtor dhe personat në pozita drejtuese”, - është shprehur Uidhers. Ambasadori i rikujtoi gjithashtu kryeministrit premtimin për shembjen e murit të imunitetit si një detyrim që sipas tij nuk duhet të minojë besimin e qytetarëve për integritetin e sistemit politik e gjyqësor. “Disa muaj më parë Kryeministri Berisha tha se përpjekje të mëdha që të shembet muri i imunitetit. Në vetëm mund të duartrokasim dhe të mbështesim pikëpamjet e Kryeministrit për këtë çështje. Ne shpresojmë që qëllimet e tij të bëhen realitet në një të ardhme të afërt. Ai gjithashtu tregoi se të drejtosh me integritet është të vesh interesat e qytetarëve të parat dhe jo të fundit. Nuk duhet të abuzuar me masat e sigurisë që përfshihen në ligj për të parandaluar akuza politike dhe ligjore të panevojshme dhe të rënda”, - ka thënë Uidhers.

Ky lajm është publikuar: 04/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›