Rama: “Të rinjtë, zëdhënësit e bashkimit të ri të shqiptarëve”
Nisi muaji i “Dialogut me Shqipërinë” i kryetarit të PS-së Edi Rama, ku tema kryesore e këtij turi do të jetë “Rinia”. Gjatë gjithë muajit maj në të gjithë vendin, me të rinj e të reja, në qytet e fshat, do të dialogohet për problemet e të rinjve. Rrugëtimi ka nisur me takimin e të rinjve në fshatin Dushk, ku kryetari i PS-së ka kërkuar që rinia të jetë zëdhënëse e bashkimit të ri të të gjithë shqiptarëve. Gjatë fjalës së tij me banorët e Dushkut, Rama tha: “Dua t’ju ftoj sot të gjithëve që të bëhemi zëdhënës të nevojës së madhe për t’i kapërcyer kufijtë e partive, të bëhemi zëdhënës të nevojës së madhe për një rrjet solidariteti të madh, nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat, nga çdo fshat në çdo qytet, në të gjithë Shqipërinë, një solidaritet njerëzor, në emër të së drejtës për të ëndërruar në vendin tënd. Në emër të së drejtës për t’u shkolluar në atdheun tënd. Në emër të së drejtës për të pasur një punë dhe pa cenuar të drejtën e punës së ndershme në atdheun tënd. Në emër të së drejtës për ta parë talentin dhe meritën tënde të vlerësuar dhe jo të nëpërkëmbur”.
3 Maj 2008