E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta i “rrëmben” Ramës veteranët



Lëvizja Socialiste për Integrim i “rrëmben” veteranët Partisë Socialiste. Në kuadër të krijimit të koalicionit “E majta për Integrim” për zgjedhjet parlamentare të qershorit, kreu i kësaj partie nënshkroi dje një marrëveshje me Sindikatën e Pensionistëve, pjesë të së cilës janë edhe veteranët, të cilët PS i ka pasur mbështetje të përhershme. Madje, kryesocialisti Rama i ka kushtuar herë pas herë kësaj kategorie rëndësi të veçantë. Ndërsa LSI-ja ka vendosur ta godasë PS-në në pikat e saj më të forta, siç është bujqësia dhe tani së fundmi edhe veteranët, duke u munduar jo vetëm ta sulmojë, por edhe ta konkurrojë në mënyrë të dukshme. Ndërkohë kategoria e veteranëve është konsideruar përherë mbështetëse e PS-së dhe kryetari i kësaj partie nuk ka humbur rast për të shprehur vlerësime ndaj tyre, për të organizuar festa e takime me ta. Vlerësimi më i madh që ka shprehur Rama për këtë kategori ishte në prag të zgjedhjeve vendore të 2007-s. Në bazë të një dokumenti të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie thuhej se çdo kandidat për kryetar komune apo bashkie, në plotësimin e dokumenteve të tij duhet të përfshinte edhe vlerësimin e veteranëve të zonës. Megjithëse duket se ka rënë ndikimi i kësaj partie tek veteranët, pasi edhe në festën e fundit të Pezës të organizuar nga bashkia, u vu re se kishte më shumë të rinj sesa veteranë. Këtë dobësi që është krijuar tek socialistët e ka shfrytëzuar më së miri rivali i tyre, Meta, i cili duke qenë se është iniciator i një projektligji për moshën e tretë, duket se ka joshur edhe mbështetësit më besnikë të PS-së, siç janë veteranët. Humbja e mbështetjes së tyre bën që PS të mos ketë një shtresë të rëndësishme të elektoratit të përhershëm të saj, ndërsa dihet publikisht që ajo nuk gëzon as mbështetjen e pensionistëve, të ish-të përndjekurve apo të ish-pronarëve. Ndërkohë, dy partitë vijojnë ende me të njëjtat strategji, Rama duke sulmuar indirekt në emër të politikës së re, ndërsa Meta i drejtpërdrejtë. Me afrimin e zgjedhjeve, LSI-ja po zbardh pjesëtarët e koalicionit të saj, duke nënshkruar edhe marrëveshje publike, ndërsa Partia Socialiste duket se do të hyjë e vetme në zgjedhje, edhe pse gëzon mbështetjen e PSD-së, PDS-së dhe G99. PS-LSI do të hyjnë të ndara në zgjedhjet e qershorit dhe akuzat dhe sulmet mes tyre janë bërë edhe më të forta. Ndaj dy ditë më parë, në bastionin e Metës, Rama parashikoi një fushatë të fortë elektorale, duke lënë të nënkuptuar këtu akuzat e Metës në muajt në vijim.

PS: Mazhoranca të ngrejë komisionin ad-hoc

PS-ja akuzoi dje mazhorancën e djathtë se po zvarrit qëllimisht ngritjen e komisionit ad-hoc për monitorimin e përgatitjeve të procesit zgjedhor, sepse po fsheh të vërtetën. Nënsekretari për Çështjet Ligjore në këtë parti, Damian Gjiknuri, tha se ka kaluar mbi 1 muaj nga fillimi i procesit të aplikimit për kartat e identitetit dhe asnjë shtetas nuk është pajisur me një të tillë. “Mungesa e transparencës dhe mosbërja publike e një grafiku të qartë të shpërndarjes në territor, po shoqërohet edhe me refuzimin sistematik të mazhorancës për ngritjen e një komisioni monitorues parlamentar, të përfaqësuar në shumicë nga opozita. Pikërisht kjo vendosmëri në refuzimin e ngritjes dhe krijimit të aksesit të nevojshëm të opozitën në këtë proces, të bën të mendosh që vonesat më tepër se paaftësi, janë një proces i mirëmenduar, për të sabotuar këtë ndërmarrje”, - tha ai. Gjiknuri theksoi se mosngritja në kohë e komisionit parlamentar të monitorimit për këtë proces, i heq një mundësi efektive opozitës për të pasur akses dhe informacion, dhe mbi të gjitha për të përcaktuar qartë dhe përfundimisht ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia e qeverisë ndaj zgjedhësve shqiptarë.

Koalicioni, Ceka bisedime me PD, Demeti me LSI

Në një kohë kur kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, po zhvillon bisedime me PD-në e Berishës, nënkryetari Arben Demeti po negocion me LSI-në e Metës, për mënyrën e përfaqësimit në zgjedhjet e 28 qershorit. Por kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, iu përgjigj dje zërave kundër brenda partisë së tij lidhur me bashkëpunimin e kësaj partie me PD-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në një komunikatë për shtyp të PAD-së, kryetari i saj, Ceka, sqaron se negociatat janë zhvilluar me PD-në, por edhe me LSI-në. Lidhur me bisedat që janë kryer me LSI-në është ngarkuar Arben Demeti, ndërsa Ceka ka zhvilluar bisedime me demokratët. Në këtë njoftim sqarohet se në përfundim u pa se bashkëpunimi me PD-në është rruga e duhur për PAD-në. "Kam zhvilluar negociata me PD-në, ndërsa z. Arben Demeti ka zhvilluar negociata me LSI-në. Personalisht kam menduar që aleanca është më e favorizuar me Partinë Demokratike, që përkthehet në vende më të sigurta në Parlamentin e ardhshëm. Dhe do të mbështes më 28 shkurt këtë alternativë", - u shpreh Neritan Ceka, kryetar i PAD-së. Aleanca, sipas drejtuesve të saj, ende nuk e ka përcaktuar koalicionin në të cilin do të bëjë pjesë, megjithëse pak ditë më parë u prezantua si zyrtar bashkëpunimi i Cekës me Berishën.

Teliti: Kartat e identitetit, procesi sipas parashikimit

Ministria e Brendshme, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile bëri të ditur dje se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime po ecën sipas parashikimeve dhe në zbatim të një kalendari të qartë, që në përfundim të tij do të bëjë të mundur, pajisjen e të gjithë qytetarëve që nuk disponojnë pasaporta, por jo vetëm të tyre, me dokumentet e nevojshëm për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Në një njoftim për shtyp thuhet se çdo ditë shtohen pikat e aplikimit, çdo ditë qytete të reja futen në skemën e aplikimit, ndërsa dje ka filluar procesi i aplikimit në Bashkinë e Fierit dhe pritet të fillojë procesi në Vlore, Berat, Sarandë e me radhë deri në mbulimin e plotë të të gjithë popullsisë dhe territorit. Njëkohësisht bëhet e ditur se shumë shpejt do të fillojë edhe procesi i shpërndarjes së letërnjoftimeve, që për hir të së vërtetës është një proces shumë më i thjeshtë dhe më i shpejtë se procesi i aplikimit.

KQZ, sot vendimi për anëtarin e shtatë të KZAZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë sot në shqyrtim, si dhe do të shpallë shortin për caktimin e anëtarit të shtatë të KZAZ-së. Fillimisht komisioni do të shqyrtojë projektvendimin për miratimin e procedurës për hedhjen e shortit për caktimin e partisë, që do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve. Dhe më pas do të shqyrtojë projekt-vendimin për shpalljen e rezultatit të shortit për caktimin e partisë që do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve. Në bazë të ligjit janë të përcaktuar gjashtë anëtarët e KZAZ-së dhe është e detyrueshme hedhja e shortit për anëtarin e shtatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›