E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta kërkon dialog, Rama i vë kufirin tek thana

Kreu i LSI-së ka përsëritur ftesën për të rinegociuar përbërjen e KQZ-së, por partia e Edi Ramës kthen përgjigje brenda ditës se s’ka ndërmend të bëjë pazar me një parti që i rrezikon t’i zvogëlojë përfaqësimin në zgjedhjet e ardhshme

TIRANE - Duke bërë përgjegjës ashtu si përfaqësues të mazhorancës, për të metat e Kodit të ri Zgjedhor, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar dje nga qyteti i Burrelit se do i kërkojë kryesocialistit Edi Rama një takim për të ndryshuar ato aspekte të Kodit Zgjedhor që do të mundësojë pjesëmarrjen e partisë së tij në KQZ dhe komisionet zgjedhore zonale. Duke folur për ndryshimet në Kushtetutë dhe miratimin e Kodit Zgjedhor para të rinjve matjanë, Meta u shpreh se ndryshimet kushtetuese u kryen në errësirë dhe mungesë transparence, “i cili praktikisht shkelmoi kolonat dhe themelet e shtetit tonë demokratik dhe evropian, të cilat ishin vendosur në mënyrë shumë transparente nëpërmjet referendumit të popullit shqiptar në vitin 1998”.
Sipas Metës, historikisht zgjedhjet nuk kanë qenë pronë as e një, as e dy dhe as e tre partive, pasi ato janë një moment vendimtar për të gjithë shqiptarët dhe se për këtë duhet që të jenë të barabarta, duhet të jenë të lira dhe duhet të jenë të ndershme.
Më tej duke folur për vizitën e tij në Bruksel, Meta tha se vetë zyrtarët e Bashkimit Evropian i kishin kumtuar se vetë shumica ankohej se ishte kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që nuk donte që të përfshirjen e LSI-së në KQZ.
“Mua më vjen shumë keq, kur takohem edhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe me shumë personalitete ndërkombëtare, të cilët më thonë që ne zoti Meta kemi folur me Kryeministrin Berisha për këtë çështje, sepse i kuptojmë shqetësimet tuaja. Ne kemi folur dhe me ministrin e Jashtëm, zotin Basha, por jemi në një pozicion të vështirë, sepse edhe kryeministri Berisha, edhe ministri i Jashtëm Basha, na thonë se shqetësimet që ngre LSI janë të drejta, dhe se LSI, si forca e tretë politike që është në vend, duhet të jetë e përfaqësuar në procesin e administrimit të zgjedhjeve, me të drejta të plota, pasi kjo është një e drejtë që i takon, dhe së dyti sepse ne nuk duam që të kontestohen zgjedhjet. Por, Berisha dhe Basha kanë deklaruar, se ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë Kryetarit të PS, zotit Rama, sepse ai na thotë nuk e votojmë Kodin në rast se LSI, nuk mbetet pa komisioner në procesin e administrimit”, bëri të ditur Meta, duke ju referuar disa takimeve me ndërkombëtarët.
Më pas, kreu i LSI-së i ka bërë ftesën publike Edi Ramës, për një takim, lidhur me diskutimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Unë do të bëja një sforco tjetër, meqenëse ka ende kohë për t’u bërë rishikimi i Kodit, në emër të evitimit të tensionit përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve, në emër të garantimit të standardeve ndërkombëtare për realizimin e këtyre zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta, do t’i jap edhe një mundësi zotit Rama që të reflektojë, duke i kërkuar atij për t’u takuar dhe për t’i ndarë nga afër edhe një herë këto principe me të. Besoj se ju jeni dakord që ne si forcë tepër civile dhe e emancipuar të bëjmë përpjekjen tonë, pavarësisht se cili do të jetë reagimi i tyre. Sepse, nuk bëhet fjalë për të mbrojtur thjesht votat e LSI. Të jeni të sigurt ju që nuk ka çfarë ti bëjë njeri votave të LSI. Por, nuk duhet që vendi të shkojë në zgjedhje me një Kod Zgjedhor diskriminues, me një Kod Zgjedhor të padrejtë, me një Kod Zgjedhor të pandershëm, sepse është një minus dhe do të jetë një minus shumë i madh për vendin dhe për perspektivën e procesit integrues në Shqipëri”, deklaroi Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›