“BLD, në zgjedhjet e ardhshme në koalicionin e fitores me PD-në”

Zhvillon punimet kongresi i IV-të i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat,
TIRANE - Kongresi i IV-të i Bashkimit Liberal Demokrat, BLD që zhvilloi punimet dje në Tiranë evidentoi veprimtarinë e kësaj Partie gjatë tre viteve të fundit, pas fitores së koalicionit të djathtë në vitin 2005 dhe angazhimin e saj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Presidenti i Nderit i kësaj partie Teodor Laço tha se, “Kuvendi mblidhet në një situatë kur vendi përjeton një rritje ekonomike dhe qindra rrugë të reja dhe për vlerësimin tim personal në këtë qeveri, që udhëhiqet nga PD dhe Kryeministri Berisha, Shqipëria po i thotë lamtumirë tranzicionit dhe po hyn në epokën e stabilitetit”.
Ndërsa kryetari i BLD-së Arjan Starova, tha se “është bërë punë e madhe dhe rezultati kanë qenë zgjedhjet vendore të vitit 2007, me 127 anëtarë bashkie dhe komune të fituara në të gjihtë vendin, dyfishimi i anëtarëve të partisë dhe shtrirja në fshatra dhe komuna ku nuk ka qenë e pranishme me parë”.
Starova tha më tej se, sot disa ide liberale demokrate janë kthyer në koncepte të koalicionit të djathtë siç janë idetë e pajtimit të moralit me politikën, të rëndësisë themelore të investimeve në arsim, të lehtësimit të procedurave për biznesin shqiptar, të modernizimit të administratës publike etj.
“BLD ka burime njerëzore të pasura që kanë ditur me përkushtim të japin ndihmesën e tyre në qeverisjen qendrore dhe vendore, duke na bërë që sot të jemi më ambiciozë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në koalicion me Partinë Demokratike”.
...