“Qeveria në tre vjet, ndryshoi kushtet e mjerueshme të arsimit”

Pas shpifjeve të opozitës, reagon këshilltari i kryeministrit për arsimin Myqerem Tafaj
Qeveria hedh poshtë akuzat e PS për bllokim masterash dhe doktoraturash. Këshilltari për Arsimin i kryeministrit Berisha, Myqerem Tafaj, deklaroi se këtë vit akademik në arsimin e lartë publik janë hapur 120 drejtime dhe profile të reja studimi në nivelin master dhe kanë filluar studimet 4 mijë të rinj e të reja shqiptarë. Sipas tij, asnjë program doktorate nuk është i bllokuar. Sistemi i vjetër i doktoratës vazhdon të zbatohet deri në përfundimin e doktoratave të nisura, ndërkohë që ka filluar shkolla e re e doktoraturës sipas sistemit të Bolonjës.
TIRANE - “Arsimi shqiptar ka njohur një reformë të thellë dhe një ndryshim të gjithanshëm gjatë tre viteve qeverisje të mazhorancës së djathtë”.
Kështu deklaroi dje Këshilltari për Arsimin i Kryeministrit, Myqerem Tafaj, në përgjigje të akuzave të përfaqësuesve të PS, se qeveria ka bllokuar masterat dhe doktoraturat.
“Partia Socialiste prodhoi një tjetër deklaratë për arsimin, e mbushur si zakonisht me të pavërteta dhe trillime. Por kjo deklaratë përmbante edhe një element tjetër; ajo kishte dhe një frymëzim të qartë ideologjik. Kuptohet një frymëzim që buron nga ideologjia e origjinës së kësaj partie. Kjo qeveri e gjeti arsimin shqiptar plotësisht të harruar nga qeveritë socialiste dhe të gjithë shqiptarët e shohin përditë se arsimi shqiptar në të gjitha nivelet e tij po ndryshon dhe po modernizohet. Arsimi shqiptar ka njohur një reformë të thellë në këto tre vite qeverisje dhe një ndryshim të gjithanshëm”, u shpreh Tafaj.
Në kuadër të reformës në Arsim, këshilltari i kryeministri, iu referua rritjes së pagave të arsimtarëve, të cilat po shkojnë drejt dyfishimit, ndërtimit dhe rikonstruksionit të shkollave e konvikteve, si dhe ngritjes së kabineteve të informatikës, që do t’iu mundësojnë të gjithë nxënësve të lundrojnë në internet.
Duke folur për reformën e thellë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor z. Tafaj tha se ajo ka hyrë në fazën kulmore të zbatimit të saj.
“Për herë të parë nga kjo qeveri, si dhe në bazë të ligjit të ri të arsimit të lartë kanë filluar të zbatohen plotësisht ciklet ose nivelet e studimeve në përputhje me sistemin e Bolonjës”, tha ai.
Sipas Tafajt, në të gjitha shkollat e larta, universitetet publike e private, sot niveli i parë i studimeve bëhet sipas sistemit të Bolonjës. Këtë vit akademik në arsimin e lartë publik janë hapur 120 drejtime dhe profile të reja studimi në nivelin master dhe kanë filluar studimet 4 mijë të rinj e të reja shqiptarë.
“Asnjë program doktorate nuk është i bllokuar. Sistemi i vjetër i doktoratës vazhdon të zbatohet deri në përfundimin e doktoratave të nisura, ndërkohë ka filluar shkolla e re e doktoraturës sipas sistemit të Bolonjës. Buxheti i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vitin 2009 është 2.2 herë më i lartë se në vitin 2005, ku për herë të parë arsimi i lartë shqiptar ka 100 milionë dollarë buxhet. Në kërkimin shkencor ka 6 milionë dollarë ndërkohë që në vitin 2005 ishin vetëm 800 mijë dollarë”, tha këshilltari Tafaj.
Ai theksoi se për herë të parë qeveria ndërmori dy programe të rëndësishme për zhvillimin e burimeve njerëzore në Shqipëri: programin Brain Gain, një iniciativë e Kryeministrit Berisha dhe që po jep frytet e tij dhe programit për Fondin e Ekselencës i cili është në vitin e dytë të zbatimit të tij.
“Është e para qeveri që për të realizuar një program të tillë mobilizoi fonde nga buxheti i shtetit. Ky program ka bërë të mundur që të krijohet një kuadër krejt i ri ligjor dhe nënligjor, i cili lehtëson kthimin e të rinjve dhe të rejave shqiptare që kanë studiuar në universitetet e huaja. Ky është një kuadër që krijon vërtet një mjedis mirëseardhës për çdo të ri dhe të re që ka studiuar jashtë dhe dëshiron të kthehet në Shqipëri. Ky kuadër i ri ligjor bëri të mundur që në shkollat e larta të konkurrojnë për herë të parë rreth 100 kandidatë me mastera dhe doktorë të shkencave të realizuara në universitetet prestigjioze të botës në kuadër të paketës të vendeve të reja të punës, një paketë me 550 vende të reja pune që qeveria u dha universiteteve me qëllim që të krijonte mundësi reale që universitetet të kishin shanse të thithin mastera dhe doktorata nga universitetet e huaja”, nënvizoi më tej Tafaj....