Meta mban fjalim në Ministerialin e NATO-s: “Misioni i NATO-s, i papërfunduar në rajon”
Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka mbajtur një fjalim në Ministerialin e NATO-s, të zhvilluar në Estoni. Meta, ndërsa e ka cilësuar të suksesshëm misionin e NATO-s në rajonin e Ballkanit, e ka cilësuar të papërfunduar këtë mision për shkak se nuk janë anëtarësuar ende të gjitha shtetet e Ballkanit. “Përqasja e NATO-s në rajonin tonë ka qenë një histori suksesi, por ne mbetemi të mendimit se NATO ka ende një punë të ‘papërfunduar’ në rajon. Ne vlerësojmë faktin që në takimin tonë të ministrave të Jashtëm në dhjetor kemi ftuar Malin e Zi për t'u bashkuar me Planin e Veprimit për Anëtarësim dhe afirmuam mbështetjen tonë për pjesëmarrjen e Bosnjë-Hercegovinës në PVA (MAP). Në këtë kontekst më lejoni të përsëris se nuk ka asgjë më me ndikim dhe më relevante për vendet aspirante, sesa perspektiva e anëtarësimit në NATO. Ftesa për përfshirjen e Bosnjë-Hercegovinës në Planin e Veprimit për Anëtarësim do të shërbejë jo vetëm si frymëzim i brendshëm për përparim dhe reforma të mëtejshme në fushat politike dhe të mbrojtjes, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë. Është bindja jonë e fortë se Bosnjë-Hercegovina duhet të ftohet të jetë pjesë e MAP-it gjatë këtij ministeriali dhe ne pajtohemi plotësisht me tezën, e cila bën thirrje për të shfrytëzuar momentin dhe të ftojmë Bosnjë-Hercegovinën në këtë plan”, - është shprehur Meta. Më tej Meta ka vlerësuar angazhimin e Shqipërisë në Afganistan. “Ne përkrahim fuqishëm prioritetet e vendosura nga NATO në kuadër të Planit Strategjik Politiko-Ushtarak, në fusha shumë të rëndësishme si trajnimi dhe këshillimi i Ushtrisë Kombëtare Afgane, mbështetja për Policinë Kombëtare Afgane dhe për procesin e pajtimit dhe riintegrimit kombëtar. Më tej, ne kemi miratuar parimet e përcaktuara qartë në dokumentin e tranzicionit, të cilat mundësojnë qartësimin e kritereve për mënyrën se si duhet të realizohet tranzicioni. Republika e Shqipërisë iu përgjigj menjëherë thirrjes për kontribute të mëtejshme në Afganistan përmes shtimit të personelit me 35 trupa ushtarake dhe 30 trajnerë ushtarakë për misionin e ISAF-it, të cilat priten të bashkohen me operacionin e ISAF-it, pas përfundimit të përgatitjeve të nevojshme”, - është shprehur Meta.
24 Prill 2010