E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta mbledh të gjithë ambasadorët në Tiranë

Ministria e Punëve të Jashtme organizon paraditen e sotme punimet e Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë të akredituar në botë


Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja, sqaroi dje se cilat do të jenë e detyrat e diplomacisë shqiptare për vitin që vjen


TIRANË- Të gjithë ambasadorët shqiptarë, kudo që ndodhen do të mblidhen sot në një takim të veçantë ku do të përcaktohen detyrat e reja dhe vija diplomatike që do të ndjekë Shqipëria. Takimi është organizuar nga Ministria e Jashtme dhe përveç ambasadorëve do të jenë të pranishëm edhe kryeministri Berisha e Presidenti Topi.


Lidhur me këtë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja, sqaroi dje për mediat se cilat do të jenë detyrat e diplomacisë shqiptare për vitin që vjen. Ai tha se diplomacia e sivjetme do të vazhdojë të ketë në fokus proceset e mëdha të integrimit, integrimin e plotë të vendit përtej liberalizimit të vizave, integrimin në BE. Sigurisht, nënvizoi zyrtari i lartë i MPJ, që diplomacia shqiptare do të ketë në fokus procesin e vazhdimit të njohjes së Kosovës si shtet i ri dhe i pavarur.


Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, vlerësoi gjithashtu se konferenca e Ambasadorëve është ngjarja më e rëndësishme në jetën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të shërbimit të jashtëm në përgjithësi.


"Kjo për arsye se, është një shans i madh për të komunikuar me të gjithë rrjetin e shërbimit të jashtëm, meqenëse të gjithë punonjësit, krerët e misioneve tona jashtë shtetit mblidhen në një sallë dhe kanë mundësinë të komunikojnë jo vetëm me Qeverinë dhe institucionet qendrore, me Ministrinë dhe drejtuesit e saj, por të komunikojnë edhe me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë eksperienca, të marrin edhe informacionin e duhur për punën e tyre dhe ju e dini që në shërbimin e jashtëm shkëmbimi i informacionit është kyç për suksesin diplomatik", deklaroi Belortaja.


Këtë vit, vijoi zyrtari i Ministrisë së Jashtme, kjo konferencë ka një rëndësi të veçantë për arsye se vjen pas një mungese dy ose tre vjeçare në organizimin e konferencave të tilla dhe veç kësaj ka mjaft substancë e cila do të përbëjë thelbin e bilancit të analizës së sivjetshme. Ai tha se në këtë konferencë Ministria e Jashtme, shërbimi i jashtëm vijnë me një bilanc vërtet të pasur.


Numri dy i diplomacisë shqiptare nënvizoi se në këtë konferencë diplomacia e jashtme vjen me anëtarësimin e vendit në NATO, me punën e lavdërueshme për liberalizimin e vizave, me kalimin e të gjitha detyrave me sukses për plotësimin e standardeve për këtë hap të rëndësishëm dhe me një punë shumë të frytshme në drejtim të integrimit europian të vendit.


Krahas kësaj, Belortaja u shpreh se këto arritje shërbejnë gjithashtu dhe si indikacione dhe si referime për të përmirësuar punën në të ardhmen, sepse proceset që unë përmenda më sipër dhe jeta e përditshme e punës së shërbimit të jashtëm sugjerojnë drejtime të reja.


"Kuptohet që diplomacia e sivjetme do të jetë së pari, do të vazhdojë të ketë në fokus proceset e mëdha të integrimit, integrimin e plotë të vendit përtej liberalizimit të vizave, integrimin në BE.


Sigurisht që do të ketë në fokus procesin e vazhdimit të njohjes së Kosovës si shtet i ri dhe i pavarur, një punë që do të intensifikohet mjaft gjatë këtij viti, duke filluar me sesionin e OKB-së që është duke ardhur edhe problemet e mëdha të marrëdhënieve diplomatike, politike dhe ekonomike bilaterale", sqaroi shtyllat që do të përbëjnë diplomacinë tonë të jashtme, zëvendësministri i Jashtëm.


Në një njoftim për mediat, zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme njofton se gjatë kësaj Konference do të bëhet një analizë e hollësishme e aktivitetit të shërbimit të jashtëm shqiptar gjatë vitit të kaluar. Gjithashtu bëhet e ditur se do të mbajnë fjalën e tyre në këtë takim dhe Kryeministri Berisha, si dhe Presidenti Bamir Topi.


Sqarimi
MPJ: Çdo të ndodhë në konferencën vjetore të ambasadorëve

Në një njoftim të dërguar nga zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme sqarohet se "më 25-26 gusht 2010, Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, do të thërrasë në Tiranë Konferencën vjetore të Ambasadorëve, ku do të marrin pjesë Ambasadorët dhe Kryetarët e Misioneve Diplomatike të Republikës së Shqipërisë të akredituar në botë".


"Gjatë kësaj Konference do të bëhet një analizë e hollësishme e aktivitetit të shërbimit të jashtëm shqiptar gjatë vitit të kaluar, dhe do të diskutohet mbi sfidat me të cilat përballet diplomacia shqiptare aktualisht si dhe mbi organizimin e punës për vitin që vjen", njofton Ministria e Jashtme.


Gjithashtu, në këtë njoftim thuhet se në këtë kontekst pritet të vihet theksi në forcimin, profesionalizmin dhe rritjen e efikasitetit të Shërbimit të Jashtëm në shërbim të sfidave të brendshme zhvillimore të vendit dhe rolit të ri dinamik të Shqipërisë në arenën rajonale dhe ndërkombëtare. MPJ sqaron se vëmendje e veçantë do t'i kushtohet situatës në rajon, veçanërisht pas Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.


Sekretari i MPJ

Turdiu: Konferenca e Ambasadorëve, një traditë për shërbimin e jashtëm

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu, deklaroi dje se Konferenca e Ambasadorëve është kthyer në një traditë për shërbimin e jashtëm shqiptar sikurse është një traditë në shumë shërbime të jashtme nëpër botë.


Sipas tij, ideja është që, në harkun kohor të një viti gjatë funksionimit të shërbimit të jashtëm, në qendër dhe në përfaqësi, grumbullohet informacion, zhvillohen procedura, të cilat sigurisht, janë një përvojë dhe në qoftë se ne i ndajmë, i diskutojmë dhe i trajtojmë me njëri-tjetrin, kjo na ndihmon për të strukturuar punën tonë.


"Kështu që, pas një viti, në fund të pushimeve të verës, ne mblidhemi këtu, shefat e përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore nëpër botë vijnë në Tiranë dhe takohen me drejtuesit kryesorë të shtetit, që kanë rol kryesor në drejtimin e politikës së jashtme, Ministri i Jashtëm, Kryeministri dhe Presidenti i Republikës", sqaroi Turdiu.


Gjithashtu, theksoi ai, diplomatët diskutojnë me kolegët e tyre të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të nivelit Drejtor dhe Drejtor i Përgjithshëm, trajtojnë çështje, të cilat janë ndjekur në harkun e këtij viti dhe natyrisht strukturojnë punën për vitin që vjen.


Axhenda e Konferencës vjetore të Ambasadorëve

Dita e parë, 25.08.2010
Seanca e paradites
Përmbajtja: Seancë politike
Pjesëmarrës:Titullarët e përfaqësive tona diplomatike, personeli drejtues i MPJ, niveli drejtor i përgjithshëm dhe drejtor, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë
Ora 10:00 Seanca e hapjes, në podium Kryeministri, z. Sali Berisha, dhe Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta
Ora 10:00 Fjala e hapjes së Konferencës, Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta (10 minuta)
Ora 10:10 Fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha. (35 minuta)
Ora 10:45 Pushim 15 minuta
Ora 11:00 Fjala e Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi (30 minuta)
Mbyllja e seancës së paradites
Transferim i pjesëmarrësve në MPJ, ku Konferenca vazhdon punimet pa praninë e mediave.

VËZHGIM

Përfaqësitë e mëdha diplomatike, pa përfaqësues në Shqipëri


Përfaqësuesve më të lartë diplomatik të atashuar në vendin tonë u ka përfunduar mandati i tyre. Fillimisht ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara ë Amerikës, Xhon Uidhers, i cili dorëzoi detyrën e tij, duke u rikthyer në atdheun e tij.


Në vend të tij, është përcaktuar Aleksandër Arvizu. Një tjetër ambasadë e rëndësishme në vendin tonë është përfaqësia diplomatike e Gjermanisë. Përfaqësuesit gjerman, Bernard Boshardt, i ka mbaruar mandati i tij si ambasador në vendin tonë. Boshardt do të largohet nga vendi ynë në fund të muajit gusht.


Një tjetër post i rëndësishëm diplomatik i atashuar në vendin tonë është edhe delegacioni i Këshillit të Europës. Kreu i kësaj përfaqësie diplomatike, Helmut Lohan, është në përfundim të mandatit të tij si i dërguar i Këshillit të Europës.


Të tre këta diplomatë të rëndësishëm për vendin tonë do të mbahen mend gjatë për rolin që kanë pasur në marrëdhëniet e tyre me politikanë. Shpeshherë, përmes qëndrimeve diplomatike të vendeve të tyre, Uidhers, Boshardt dhe Lohan, kanë bërë që politika shqiptare t'i rikthehet dialogut dhe t'i zgjidhë problemet midis tyre me anë të negociatave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›