E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Prokuroria të hetojë aferën korruptive të Prifti”

25/08/2010 PS vijon akuzat për Ministrinë e Ekonomisë

Hysi: Faktojmë përmasat e vërteta të korrupsionit

Partia Socialiste zbardh të tjera fakte lidhur me pasurinë e ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti. Kështu përmes një deklarate për shtyp, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, argumentoi akuzat e ngritura nga kjo parti në adresë të ministrit Prifti. Për këtë arsye, deputetja socialiste preferoi që të ndalet që në fillimet e nisjes së aktivitetit të kompanisë që i solli të tilla fitime ministrit Prifti. “Kompania Fortis 2 është regjistruar në vitin 2007 me një kapital themelimi 1 milion lekë të vjetra. Sipas bilanceve të vetë kompanisë për vitet 2007 dhe 2008, pra, në këto dy vite kompania nuk ka realizuar as edhe një lekë fitim. Përkundrazi rezulton që në këto dy vite humbjet të kenë qenë mbi 66 milionë lekë”, u shpreh Hysi, gjatë fjalës së saj. Sipas këtyre të dhënave, në fillim të vitit 2009, vit gjatë të cilit ministri Prifti shiti 30.5% të aksioneve të kësaj kompanie, ajo rezulton të ketë pasur detyrime ndaj palëve të treta në vlerën 6 311 336 000 lekë ose më shumë se 5 milionë euro borxh. Në vijim, Hysi sqaroi se “ndërkohë që ministrat e kabinetit Berisha konsultohen me kunetërit dhe kunatat, ju informojmë se këtij borxhi prej mbi 5 milionë eurosh në vitin 2009 i është shtuar edhe një kredi tjetër mbi 1.5 milionë eurosh. Pra, në total në vitin 2009 kompania ku ishte aksioner ministri Prifti kishte detyrime totale ndaj palëve të treta prej përafërsisht 7 milionë eurosh”. Në këtë mënyrë, sipas saj, kemi një kompani që është krijuar me 1 milion lekë të vjetra, që në dy vjet nuk ka prodhuar as edhe një tullë, nuk ka nxjerrë asnjë qindarkë fitim dhe ka një borxh prej rreth 7 milionë eurosh dhe tre persona të punësuar. “Si shpjegohet që 30.5% e aksioneve të kësaj kompanie me bilanc falimenti, që në dy vjet nuk ka prodhuar as edhe një tullë, nuk ka nxjerrë asnjë qindarkë fitim dhe ka një borxh prej rreth 7 milionë eurosh shiten nga ministri Prifti dhe blihen për 1.8 milionë euro nga biznesmeni Rasim Hamzaraj, kushëriri i ministrit tjetër të LSI Petrit Vasili”, vlerësoi Hysi, duke i kërkuar organeve të drejtësisë që “të reagojnë duke nisur hetimin për këtë aferë korruptive”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›