E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta me Papandreun: Lehtësira për emigrantët

 

BLEDAR HOTI

Qeveria shqiptare vlerëson iniciativën e kryeministrit grek Papandreu për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE brenda vitit 2014. Një qëndrim i tillë ka ardhur nga vetë numri dy i ekzekutivit shqiptar, Ilir Meta gjatë takimit që zhvilloi dje në Athinë me kryeministrin grek, Jorgos Papandreu. Ky vizion, sipas Metës, shihet si një vazhdimësi dhe dinamikë e re e angazhimeve të Samitit të Selanikut për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Takimi
Ministri i Jashtëm Meta, gjatë pjesëmarrjes në Këshillin ministror të OSBE-së në Athinë, pati një takim të veçantë me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm grek. Sipas njoftimit për shtyp të MPJ-së, “në këtë takim Papandreu garantoi angazhimin e Qeverisë greke për avancimin dhe konkretizimin e kësaj nisme, si dhe shprehu mbështetjen e plotë të Greqisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë si dhe për vendimin e pritshëm gjatë vitit të ardhshëm për heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian”. Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të bashkëpunimit dypalësh. Zëvendëskryeministri Meta kërkoi në emër të Qeverisë shqiptare shqyrtimin nga pala greke të vendimit për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve, si dhe realizimin e një marrëveshjeje në fushën e sigurimeve shoqërore, që do t’i shërbejë integrimit të mëtejshëm të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Këto kanë qenë edhe premtime të vetë Papandreut gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme në Greqi të 4 tetorit 2009. I pyetur nga BBC për reagimin e Kryeministrit Grek ndaj këtyre kërkesave, Meta tha se “Jorgos Papandreu ishte shumë i vëmendshëm lidhur me këto kërkesa, ai u shpreh se është i vendosur që t’i mbajë ato premtime që ka bërë edhe para zgjedhjeve për përmirësimin e të drejtave të emigrantëve”. Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 4 tetorit 2009, që i fitoi bindshëm, kryeministri aktual i Greqisë u angazhua për dhënien e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve që kanë lindur apo kanë studiuar në Greqi, si dhe dhënien e të drejtës së votës për zgjedhjet lokale emigrantëve që kanë qëndrim të ligjshëm në vend. Gjithashtu mësohet se në takimin mes dy përfaqësuesve të lartë të dy shteteve fqinj, Metës dhe Papandreut është rënë dakord për mbledhjen në një kohë të shpejtë të Komisionit të Përbashkët të Bashkëpunimit Ekonomik, për të parë mundësinë e intensifikimit të bashkëpunimit në fusha me interes reciprok. Me ardhjen në pushtet të socialistëve grek, lideri i PASOK-ut, Papandreu shpalli nismën e tij për të anëtarësuar shtetet e Ballkanit Perëndimor brenda vitit 2014. Në këtë vit shënohet 100 vjetori i Luftës së Parë Botërore. Meta tha për BBC-në se “mikpritësi i ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por edhe procesin e liberalizimit të vizave”. Kjo iniciativë sipas kryediplomatit shqiptar, “synon të përmbushë ato angazhime që mori Bashkimi Evropian ndaj Ballkanit, në samitin e Selanikut të vitit 2003”. Iniciativa e Papandreut parashikon që anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor të bëhet në bllok dhe jo veçmas. Nga kjo iniciativë përfitojnë Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›