MTKRS: Skandali i black-out, OSSH nuk siguroi energjinë elektrike

Tiranë, 20 Janar NOA Zbardhet një dokument që
provon fajësinë e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes OSSH në skandalin e sotëm
të ndërprerjes së energjisë elektrike që për mëse 90 minuta shtyu zhvillimin e pjesës
së dytë të ndeshjes miqësore që transmetohej njëkohësisht në shtatë televizione
të rëndësishme botërore.
Më datë 18 janar 2010 pra dy ditë më parë, me
një shkresë me numër protokolli 286, nga drejtoria e Stadiumit, i është kërkuar
zyrtarisht OSSH (Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes), që të garantojë
sigurimin e energjisë elektrike në ndeshjen Real i Madridit-Gramozi i Ersekës,
zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin kombëtar Qemal Stafa.
Mministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe
Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, tha sonte në Tv Klan, se ditën e nesërme, do të bëhet një
mbledhje e posaçme e cila do të vendosë shkarkimin e Perikli DHalesit si
drejtor i stadiumit, për shkak se lejoi që të luhet ndeshja pa u kontrolluar nëse
ishte në rregull dhe i garantuar furnizimi me drita, konform edhe kërkesës që i
ishte bërë OSSH-së.
Drejtori i stadiumit, si drejtues i shoqërisë
aksionare që administron stadiumin, nuk duhet të lejonte zhvillimin e ndeshjes
pa u marrë në dorëzim nga OSSH gjeneratori i kërkuar, deklaroi Xhaferraj sonte
në një prononcim mediatik.
Ndërkohë OSSH deklaroi se kishte ngritur dy
grupe pune, por megjithatë nuk u dërgua në stadium gjeneratori që të siguronte
në rast emergjence, energji elektrike.
Por Xhaferraj hodhi dyshime edhe për një
sabotim të mundshëm lidhur me mungesën e energjisë, duke shtuar se nuk përjashtohet
as konkurrenca e kompanive konkurrente me Taçi Oil.e.r/NOA