Topi me diplomatët, sulmon Ramën: Lëri interesat imediate

Tiranë, 20 Janar NOA Presidenti i Republikës
Bamir Topi shfrytëzoi sonte në mbrëmje një takim me përfaqësues të trupit
diplomatik dhe zëvendëskryeministrin Ilir Meta për të sulmuar kryesocialistin
Edi Rama dhe ta akuzojë atë për interesa të ngushta, referuar bojkotit
parlamentar.
Ne i kemi të gjitha aftësitë që gjatë këtij
viti të tregojmë më shumë mençuri, përgjegjësi, vizion e besim për të orientuar
energjitë dhe kohën tonë shumë të vlefshme drejt një debati konstruktiv, për
tu ngritur mbi interesat imediate pavarësisht çmimit që kërkohet, për të
ndërtuar së bashku shoqërinë e vërtetë demokratike, - deklaroi z.Topi në
fjalimin që mbajti para trupit diplomatik shqiptar dhe shumë diplomatëve të
huaj që gjendeshin në takimin e zhvilluar sonte në Pallatin e Brigadave, duke lëshuar
kështu një mesazh politik direkt për Partinë Socialiste, kreun dhe deputetët e
saj ende jashtë Kuvendit.
Ndërsa duke iu drejtuar diplomatëve shqiptarë,
Topi tha se politika e jashtme e Shqipërisë, tashmë me një përvojë dhe bilanc
të çmuar, do të tregojë edhe gjatë vitit 2010 qëndrueshmërinë e saj në
procesin, detyrat e sfidat euroatlantike, në zhvillimin e marrëdhënieve dy dhe
shumëpalëshe me vendet e Bashkimit Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
dhe vendet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, vendet mike të Evropës,
Azisë, Amerikës e kontinenteve të tjera, me vendet e Ballkanit Perëndimor, me
Kosovën, për të cilën do të vazhdojmë mbështetjen për njohjen e saj
ndërkombëtarisht dhe organizatat ndërkombëtare.
Më tej Topi vlerësoi se gjatë vitit që kaloi
Shqipëria përmbylli me sukses kapitullin e rëndësishëm të anëtarësimit me të
drejta të plota në NATO për të vazhduar me përmbushjen e detyrimeve dhe
përgjegjësive që lindin nga ky anëtarësim, përgjegjësi në planin e brendshëm,
në atë rajonal e global.
Aspekti i përgjegjësive rajonale dhe frymës së
bashkëpunimit për një rajon të qetë, të sigurt dhe të integruar, - theksoi Topi,
- mbetet përparësi e politikës së jashtme të Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s.
Kurse pohoi se suksesi i politikës rajonale të
Shqipërisë nuk është i rastësishëm dhe as i pamerituar dhe shtoi: Ai ka ardhur
si rezultat i një qëndrimi të matur, të pjekur e të koordinuar ndaj të gjitha
çështjeve delikate, të shtruara për zgjidhje dhe një harmonizimi të drejtë të
interesave e përparësive kombëtare me ato rajonale dhe ndërkombëtare.
Në këtë pikë, Topi tha se rruga që kemi nisur
i shërben të ardhmes së përbashkët evropiane, sepse kemi bindjen dhe besimin se
kjo sjellje i bën qytetarët shqiptarë dhe ata të gjithë Ballkanit Perëndimor të
barabartë me ata evropianë sa në respektimin e vlerave, aq edhe në të drejtën e
madhe për jetuar e lëvizur të lirë.
Unë dëshiroj të besoj se viti 2010 do të
vendosë edhe një gur të fuqishëm në urën e bashkëpunimit Shqipëri - Bashkimi
Evropian, duke u rikthyer qytetarëve të vendit tim të drejtën e mohuar nga
regjimi komunist që në vitin 1945, të drejtën për të lëvizur të lirë në Evropën
e lirë dhe të Bashkuar, - deklaroi kryetari i shtetit.
e.rNOA