SHISH, në duart e Berishës, apo i pavarur!?
Forum
Flasin për ndryshimin e fundit: Neritan Ceka, Petro Koçi, Stefan çipa, Fatos Klosi dhe Pirro Lutaj
Zgjerimi i gamës së punës së Shërbimit Informativ Shtetëror dhe vendosja e një mandati fiks për drejtuesin e këtij institucioni ka ndarë në dysh qëndrimet e politikanëve që kanë punuar për një kohë të gjatë në terrenin e sigurisë kombëtare. Duke komentuar nismën më të fundit të qeverisë dhe veçanërisht të Kryeministrit Berisha, janë prononcuar për “Shqip” ish-ministrat e Brendshëm, Neritan Ceka, Petro Koçi dhe Stefan çipa, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, dhe deputeti socialist, Pirro Lutaj, i cili ka qenë aktiv në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare gjatë legjislaturës së shkuar.
Neritan Ceka, ish-ministër i Brendshëm
Ndryshimi i kompetencave të Shërbimit Informativ Shqiptar, më saktësisht zgjerimi i gamës së hetimit, është një përshtatje me kërkesat e kohës, ku tashmë edhe çështje të tilla si krimi i organizuar apo edhe korrupsioni i zyrtarëve publikë, janë çështje të sigurisë kombëtare. Tashmë që ne jemi vend i NATO-s, ku dhe network-u i sigurisë ka një tjetër funksionim, fenomene të tilla si terrorizmi, krimi i organizuar apo korrupsioni, janë kërcënime të hapura ndaj sigurisë kombëtare. Ndaj mendoj se ndryshimet janë në frymën e domosdoshmërisë së zhvillimeve të kohës, të lidhura edhe me qenien tonë si anëtar i NATO-s. Ndërkaq, në lidhje me mandatin e kreut të SHISH mendoj se ky është një veprim që i jep këtij institucioni më shumë pavarësi, pasi nuk funksionon vetëm në bazë të mazhorancave apo qeverive, por ka një mandat më të gjerë. Pas përfundimit të mandatit të qeverive, kreu i SHISH-it qëndron dhe i jep këtij institucioni një mundësi për të funksionuar edhe më shumë si agjenci e rëndësishme e shtetit.
Petro Koçi, ish-ministër i Brendshëm
“Zgjerimi i kompetencave është në përputhje me kërkesat e agjencisë, që ka sjellë në Kuvend prej kohësh dhe në dijeninë time është fakti që këto kërkesa i ishin drejtuar edhe qeverisë. Për sa i përket kufizimit të mandatit, shoh një fotokopje të marrëveshjes Rama-Berisha për kufizimin e mandatit të prokurorit. Nëse kjo nuk ka të bëjë me drejtuesin aktual, atëherë opsionet janë gjithmonë të debatueshme. Për mendimin tim, më e udhës është të kishim ndryshime që forconin pushtetin e Presidentit për institucione të tilla, jo vetëm SHISH, por edhe Prokurori, apo dhe institucione e agjenci të tjera, sepse mendoj se kufizimi i mandateve i bën këta të fundit më të brishtë dhe të dobët ndaj politikës dhe i bën më të prirur drejt “mirëkuptimit” me krahët politikë në pritje të rinovimit të mandateve të dyta. Kjo është dhe arsyeja që mendoj se rritja e varësisë së emërimit apo dhe e largimit të këtyre drejtuesve të shkojë drejt Presidentit sesa drejt një mazhorance qeverisëse”.
Stefan çipa, ish-ministër i Brendshëm
Për mendimin tim, ajo që u miratua në qeveri është rimarrje e strategjisë që Berisha ka pasur sapo erdhi në pushtet në vitin 2005, kur donte që Shërbimin Informativ ta fuste nën “sqetullën” e Ministrisë së Brendshme, por që nuk ia arriti dot. Tani përdor një metodë ndryshe, që në thelb është rimarrje e strategjisë së vjetër. Berisha tha që në këtë rast ka edhe një rol Komisioni Parlamentar i Sigurisë, por faktikisht ai funksionon si Kuvendi, ku ligjin e bëjnë kartonët dhe jo logjika apo forca e ligjit.
Pirro Lutaj
“Qëllimi i Kryeministrit nuk lidhet fare me veprimtarinë e SHISH-it, pasi ajo është e përcaktuar qartë në ligj dhe nuk ka pasur probleme funksionimi. Qëllimi është ta vërë nën kontroll. Ai presupozon që me vendosjen e afatit, ndryshimin automatikisht të drejtuesve aktualë, pavarësisht se procedura është e njëjtë, pasi është dispozitë kushtetuese. është përcaktuar në draftin aktual që drejtori dhe zv/drejtori i SHISH-it do të raportojnë para Kryeministrit. Kjo ka ndodhur edhe deri tani, por vendosja në ligj në mënyrë eksplicite i jep një karakter më formal vartësisë së SHISH-it. SHISH e ka konsideruar përgjegjës për raportimin te Këshilli i Ministrave, duke e vënë nën kontroll Shërbimin. Bie në sy qartë se kjo tenton të vendosë një status-kuo të plotë në një institucion të rëndësishëm të shtetit, sëmundje e njohur për Saliun. Me dy fjalë, nuk është puna që ndryshimet do të rrisin efikasitetin e shërbimit në interes të shtetit, por kjo synon vendosjen e SHISH-it nën kontrollin direkt të Berishës.
Fatos Klosi, ish-drejtor i SHISH-it
Mendoj se çështja e mandatit ka të bëjë me marrëdhëniet mes Kryeministrit dhe Presidentit, dhe nuk është çështje e marrjes së modeleve perëndimore. Kjo është një mënyrë për të ndryshuar krerët aktualë të Shërbimit, pasi ata siç duket nuk i pëlqejnë Kryeministrit.
#