E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në fshatin Priskë: “Qeveria po kërcënon të drejtën kushtetuese për të votuar”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë dje në fshatin Priskë të Tiranës, ku ka zhvilluar një takim spontan me banorët e këtij fshati. Edi Rama ka dëgjuar prej tyre mjaft dëshmi të familjeve me numër të madh pjesëtarësh të papunë apo në pension, të cilët e kanë fare të pamundur të pajisen me karta identiteti. Dëshmitë e banorëve të fshatit Priskë, shumë pak kilometra larg kryeqytetit, flasin qartë për koston e lartë të këtyre letërnjoftimeve për ata që jetojnë në fshat, apo që janë të papunë. Nga Priska, Rama ka bashkuar apelin me të gjithë banorët e saj për letërnjoftime falas për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të mos shkelet e drejta kushtetuese e askujt për të shprehur mendimin e tij me votë. Duke dëgjuar dëshmitë personale të shumë banorëve të këtij fshati, kreu i PS-së vuri theksin në kërcënimin qeveritar që i vjen të drejtës kushtetuese për të votuar: “Të gjitha dëshmitë tuaja janë dëshmi kuptimplota, që tregojnë se jo këtu, por në të gjithë Shqipërinë, varfëria dhe papunësia që janë ulur këmbëkryq në çdo familje, veçanërisht në fshat. Varfëria dhe papunësia e bëjnë të pamundur blerjen e kartës, që deri më 28 qershor është një e drejtë. E drejta e votës nuk blihet, e drejta e votës është një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutë nga populli sovran dhe as mund ta shesë qeveria të drejtën, ashtu siç shet një shërbim. Ne duam që zgjedhjet të jenë shprehje e vullnetit të popullit, që duhet të votojë pavarësisht se sa mundësi ka për të blerë një kartë identiteti. Ditën e zgjedhjeve qytetaret dhe qytetarët janë të barabartë, qofshin të pasur, qofshin të varfër, qofshin në punë, qofshin të papunë. Për ne kjo është themelore. E drejta e votës është një e drejtë themelore që po kërcënohet nga kjo qeveri, që e ka taksuar këtë të drejtë. Kjo qeveri ka vënë një taksë mbi votën, një taksë të papërballueshme. Ne do të bëjmë gjithçka që të garantojmë të drejtën e votës së gjithsecilit”, - tha Rama.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›