E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta me të rinjtë në Elbasan: “Ju nuk e meritoni diktatin e Berishës”



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar dje një takim me përfaqësues të Lëvizjes Rinore për Integrim të qytetit të Elbasanit. Pasi ka marrë pjesë në takimin në formë dialogu të zhvilluar nga Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës, lideri i LSI-së është ndalur më pas në një takim me LRI-në e qytetit të Elbasanit. E veçantë e këtij takim me të rinjtë e LRI-së ishte shpërndarja e 250 teserave të reja për anëtarësime të reja në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Gjatë këtij takimi të zhvilluar me të rinjtë e LRI-së, kreu Lëvizjes Socialiste për Integrim ka mbajtur fjalën e rastit, ku është ndalur në pozicionin që të rinjtë duhet të mbajnë në pozicion me të ardhmen e tyre dhe të vendit në tërësi. Përveçse ka ftuar të rinjtë e Elbasanit që të marrin pjesë në Lëvizjen Rinore për Integrim, lideri Ilir Meta i ka ftuar gjithashtu që ata të jenë pjesë e vendimmarrjeve publike. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk i është shmangur në fjalimin e tij as situatës politike në të cilën gjendet vendi ynë, për shkak të ndryshimeve të ndodhura në Kushtetutë, që lidhen me politikën e mbrapshtë të Sali Berishës.
“Rinia shqiptare është sovrane për të vendosur mbi të ardhmen e saj dhe të vendit dhe kështu ajo nuk pajtohet me politikën e mbrapshtë të Sali Berishës”, - tha Meta. I pranishëm në këtë takim ishte dhe sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Rinore për Integrim, Besjan Pesha, i cili në fjalën e tij theksoi se angazhimi i të rinjve në LRI do të jetë kontrata e suksesit për fitoren e Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të zhvillohen në vitin 2009.
“Lëvizja Rinore për Integrim ka qenë gjithmonë aktive në veprimtarinë e saj dhe ka zhvilluar takime organizative në rrethe të ndryshme të vendit, ku qëllimi ka qenë thithja e anëtarësimeve të reja dhe rifreskimi i strukturave. Çdo ditë e më shumë të rinj nga të katër anët e vendit anëtarësohen në Lëvizjen Rinore për Integrim, duke parë te kjo e fundit shpresën për një të ardhme më të mirë”, - tha Pesha.

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›