E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Alia, një gënjeshtar kontinental, nuk ia vjen t i përgjigjem”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Shefi i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, ka përgënjeshtruar dje në mbrëmje deklaratën e ish-presidentit Ramiz Alia, i cili e akuzonte se Berisha ishte një nga shkaktarët e prishjes së marrëdhënieve me Kinën në vitet e komunizmit. Berisha ka thënë se “ai është një gënjeshtar kontinental, sepse është një arkitekt i terrorit në vend dhe nuk ia vlen t u përgjigjem deklaratave të një gënjeshtari”. Berisha ka bërë një pasqyrë të përgjithshme mbi vizitën e tij në Republikën Popullore të Kinës, ku veçoi ndër të tjera: “Shkova në Kinë në kuadër të 60-vjetorit midis dy shteteve, që të hapim një marrëdhënie të re. Kina është fuqi e tretë botërore ekonomike, Shqipëria shumë herë më larg dhe dhjetëra vite larg. Iu ofrova biznesmenëve më të mëdhenj të Shenzhenit lehtësira për ndërtimin e fabrikave dhe bizneseve të tyre në Shqipëri. Në takimin me zyrtarë të lartë në Pekin mora sigurinë se tashmë do të kemi një erë të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës. Biznese të fuqishme kanë ndërmend të ndërtojnë bizneset e tyre ne Shqipëri. Kryeministri kinez më siguroi se do të mbështesë që korporatat kineze të investojnë në Shqipëri dhe se qeveria kineze do të kreditojë qeverinë shqiptare në infrastrukturë, shëndetësi, bujqësi, arsim dhe kulturë. Ramë dakord që këtë 60-vjetor ta festojmë me zhvillime të rëndësishme në arsim dhe kulturë. Administratori i përgjithshëm i Hong-Kongut pranoi të vizitojë Shqipërinë. Vizita tek Muri Kinez, kësaj here ishte ndryshe, pasi më duhej të ngjitesha sa më lart edhe në kuadër të zgjedhjeve, duke thyer të gjitha rekordet e ngjitjes së murit. Më dekoruan edhe me një certifikatë të posaçme, por që unë nuk e mora”, - tha Berisha.
Deklarata e Alisë
Më tej Berisha i është përgjigjur edhe interesimit mbi deklaratat e ish-presidentit Ramiz Alia për një implikim të Kryeministrit në prishjen e Shqipërisë me Kinën në kohën e komunizmit, duke thënë: “Ai është një gënjeshtar kontinental, sepse është një arkitekt i terrorit në vend dhe nuk ia vlen t u përgjigjem deklaratave të një gënjeshtari”.
Kredite nga Kina
Kreu i ekzekutivit iu përgjigj më pas edhe interesimit të medias për çështje të ndryshme të ditës. Për sa i përket se a ka grant konkret për investimet kineze në infrastrukturë nga qeveria kineze, Berisha tha: “Po, është një grant konkret. Ata do të japin një kredi të butë për këtë çështje. Në dogana, në Igaverment, dhe informatikë. Kina do të shqyrtojë kredi të buta për projektet e modernizimit të doganave, në fushën e shëndetësisë, arsimit etj., si dhe do t i akordojë Shqipërisë një grant prej 10 milionë juanë. Ne duhet të ulemi të paraqesim projektet t i hedhim ato në letër që ata t i miratojnë e të lëvrojnë fondet”.
Dënimi i Bollanos
Ndërsa për vendimin e Gjykatës së Vlorës për dënimin e Bollanos si dhe deklaratat e OMONIA-s dhe PBDNJ-së për një rishikim të mbështetjes ndaj qeverisë, shefi i ekzekutivit tha se “kanë marrë një përgjigje që ka dalë në uebin e Kryeministrisë. Unë kam dhënë mbrëmë një përgjigje të plotë”.
Rruga Durrës-Kukës
Më tej ai shtoi se “rruga Durrës-Kukës-Morinë do të përfundojë përpara zgjedhjeve dhe pushtuesit nga Kosova do të vijnë në plazhet e Shqipërisë më lehtë dhe më shpejt”.
Kontestimet e opozitës për kartat
Kryeministri tha të mërkurën në mbrëmje se "uroj që vendimet e opozitës të mos diktohen nga vendimet familjare Rama-Eftimi". Berisha iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me qëndrimin kontestues të opozitës për pajisjen e shtetasve me karta identiteti. "Opozita është sovrane dhe uroj që vendimet e saj të mos diktohen nga familja Rama-Eftimi, të cilët i kanë lejuar vetes të marrin nga 28, 19 leje ndërtimi në Tiranë. Ky është një akt poshtërues për qytetarët, për vendin dhe për shtetin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës është zhveshur lakuriq, jo si herën e parë, po dy herë më keq, me këtë që ka bërë kësaj here. Para 10 ditësh porosit një gazetë kroate që të publikojë një trillim që e përgënjeshtroi edhe vetë qeveria kroate. Kryetari është, fale zot për këto që bën. Botoi, nga miq të tij kroatë në Kroaci, dhe shkon sot dhe u thotë shkodranëve nuk do ta lejojmë. Tani do ta transferojë në Sarandë centralin dhe do të fillojë të paguajë një tjetër gazetë që të fillojnë protesta në Sarandë. Të gjithë personat që nuk kanë pasaporta do të pajisen me karta, për ata që kanë pasaporta ka qenë vetë opozita që ka thënë të përjashtohen”, tha ai. Kryeministri ripërsëriti se procesi i letërnjoftimeve po shkon normalisht dhe se qeveria garanton pajisjen me to për 700 mijë shtetas që nuk e kanë këtë dokument. Ndërsa për sa u përket listave të kandidatëve për deputetë të PD-së për zgjedhjet e 28 Qershorit, shefi i mazhorancës tha se “kandidatët do të shpallen në afatin ligjor të përcaktuar. Do të jenë një kompleks kriteresh për kandidatët, duke filluar nga integriteti moral dhe politik, kontributi, aftësitë etj”.
Licenca e operatorit të katërt
Ndërsa për sa i përket çështjes së licencës së operatorit të katërt, Berisha komentoi se “Edili bashkë me Edvinin ishin dy pretendentë kryesorë të licencës, e kuptoni ju apo jo? Dhe tani thonë njëlloj, i keni parë se si turfullojnë për ARMO-n vetëm se Besniku i Tajvanit ngeli pa marrë, paçka se kishte futur 30 mln më pak me Edi Ramën në ofertë. Ishte 100 mln oferta e tyre, ishte 130 mln oferta e atyre që fituan. Dhe një vit rresht Teleedili nuk thotë gjë tjetër vetëm erret dhe gdhihet me ARMO-n, tani na doli dhe licenca. Po është e vërtetë, po licenca e Edilit dhe Edvinit ishte nja 2 ose tre milionë më pak sesa kjo tjetra. Njëri, Telekom Kosova ofroi shtatë milionë, ndërsa EDIL-i ofroi katër milionë. Interesi publik na shtyu që licencën për operatorin e ri celular t ia japim kompanisë që ofroi shumën më të madhe. Ajo që ka dhënë shumën më të madhe dhe kushtet më të mira është kompania që ka në përbërje Postën dhe Telekomunikacionin e Kosovës (PTK), që ofroi mbi 7 milionë euro”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 23/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›