E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria siguron: “Brenda majit, të gjithë me karta identiteti”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Letërnjoftimet biometrike

Kreu i mazhorancës, Berisha, ka deklaruar se pretendimi i socialistëve se pagesa për kartën është taksë për votën, është spekulim primitiv. Sipas Kryeministrit, “ata që spekulojnë me të ashtuquajturën taksë vote, bëjnë një akt sharlatanizmi të paprecedent dhe përpiqen të mashtrojnë si ordinerë qytetarët. Çmimi i saj nuk ka qenë kurrë çmimi i prodhimit të mallit. Çmimi i prodhimit të mallit bazohet mbi koston dhe ka mënyrën e tij të llogaritjes. Qeveria jo vetëm nuk ka vendosur taksë mbi çmimin e prodhimit, përkundrazi për rreth 700 mijë qytetarë ka paguar çmimin në masën 80 deri në 100% të tij dhe merr nga 0 deri në 200 lekë. Në një kohë, kur në të gjitha vendet përreth, këto karta janë shitur edhe deri në 50 euro dhe këtu nuk po flas për vendet e pasura, megjithëse edhe për këto vende, me të ardhura mujore deri në 2 mijë euro, çmimi prej 50 euro nuk është pak. Ne po e japim me 1.5 euro. Po përpiqen të mashtrojnë qytetarët. Çfarë mund t u thuash qytetarëve që i kanë blerë pasaportat me çmimin 5 mijë lekë dhe nuk janë një apo dy, por 2 milionë shqiptarë dhe këtë çmim e kemi gjetur nga qeveria socialiste. Apo për certifikatat me fotografi. Ndaj ky është një spekulim shumë primitiv”, - u shpreh kryeministri Berisha. Berisha u shpreh i sigurt gjatë mbledhjes së qeverisë, se janë të gjitha kapacitetet që brenda muajit maj të mbyllet procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Kryeministri informoi anëtarët e kabinetit qeveritar për ecurinë "e admirueshme të pajisjes me letërnjoftime. Ne kemi një raport shumë të hollësishëm nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, që është pjesëmarrës i konsorciumit ALEAT, (që prodhon kartat), se kapacitetet janë të plota që procesi të përfundojë brenda majit për ata që duan të aplikojnë", tha Kryeministri. Ai informoi se "deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka arritur në 600 mijë numri i aplikimeve dhe po të ecim me këto ritme, tendenca është që numri ditor i aplikantëve të shkojë rreth 20 mijë qytetarë në ditë. Masat e qeverisë kanë qenë jashtëzakonisht të efektshme dhe aktualisht, firma e prodhimit të kartave ka hapur mbi kontratën 58 qendra të reja më shumë se sa ishin të parashikuara në kontratë". Në kuadër të këtij procesi, Kryeministri vuri në dukje hapat e rëndësishme të ndërmarra ditët e fundit për blerjen e kuponit të aplikimit nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe shpërndarjen e tij nga Posta Shqiptare për kategoritë në nevojë që përfitojnë nga vendimi i qeverisë për kompensimin e çmimit të këtyre dokumenteve. "I përgëzoj këto institucione për kapacitetet e dëshmuara për pajisjen me karta për të gjithë pensionistët me pension minimal në qytet e fshat, që nuk kanë pasaportë. Regjistri elektronik është një avantazh i jashtëzakonshëm i Ministrisë së Brendshme, e cila për një kohë të shkurtër identifikoi ata që janë në këtë kategori", tha Berisha. Sipas tij, e njëjta gjë po bëhet dhe me studentët që nuk kanë pasaportë, për të cilët ka filluar verifikimi i të dhënave.
Ky lajm është publikuar: 23/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›