E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Çmimet e larta, qeveria po mbron monopolet qeveritare”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është takuar dje me banorë dhe anëtarë të LSI-së në zonën e Saukut dhe Njësisë Bashkiake Nr. 2 të Tiranës. Në fjalën e tij në këtë takim, kreu i LSI-së është ndalur në shqetësimet dhe problemet e shumta jo vetëm të këtyre banorëve, por të të gjithë shqiptarëve, të cilat janë të lidhura me rritjen e çmimeve dhe varfërinë në përgjithësi. Meta tha se shkaktare e kësaj krize është paaftësia dhe dështimi i qeverisjes së maxhorancës aktuale. “Është qeveria ‘Berisha’ që po i fut thikën në palcë shumicës së shqiptarëve. Mjafton të vini re se cila është fuqia juaj blerëse, e familjeve tuaja dhe e shumicës së shqiptarëve, jo vetëm e atyre familjeve që i përkasin moshës së tretë, por e të gjitha atyre që kanë të ardhura minimale apo mesatare”, - u shpreh ai.
Kreu i LSI-së deklaroi se shqiptarët meritojnë më tepër dhe se një gjë e tillë do të realizohet falë qeverisjes së re të LSI-së dhe të majtës në zgjedhjet e vitit 2009. “Duke ju falënderuar për mbështetjen që i keni dhënë LSI-së gjatë gjithë kohës, më lejoni t'ju them se gjithë këtë mbështetje që keni dhënë ju, ne do t'jua shpërblejmë në qeverisjen e re të vendit në 2009-n, sepse unë besoj se të gjithë ju mezi prisni për t'u ndarë sa më shpejt nga kjo qeveri, që kërkon ta paraqesë veten si qeveri e integrimit, por në fakt është qeveria e mjerimit për shumicën e shqiptarëve”, - tha Meta. Ai u ndal në analizimin e krizës ekonomike që ka përfshirë vendin. Sipas kryetarit të LSI-së, një gjë e tillë ndodh pasi qeveria ‘Berisha’ i ka zëvendësuar monopolet e vitit 2005 me monopolet e vitit 2008. “Jo më kot, qeveria nuk ndërhyn në treg për stabilizimin e tij, sepse preken interesat e qeveritarëve të lidhura me monopolet, sidomos me ato që kanë të bëjnë me artikujt ushqimorë. Nuk është thjesht një rritje kjo e produkteve ushqimore, që vjen si pasojë e sezonit ku ndodhemi, apo e rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar, por në radhë të parë është tregues i një krize të thellë strukturore, të ekonomisë shqiptare dhe akoma më shumë është një dëshmi e madhe e krizës dhe paaftësisë qeverisëse të kryeministrit Berisha. Kjo krizë është sinjalizuar për gati mëse një vit dhe vendet e tjera të rajonit, sikurse është edhe Maqedonia fqinje, i kanë marrë masat prej kohësh”, - tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›