OSBE-ODIHR-i, “të vegjëlve”: “Votim me lista të mbyllura”
Shaban Sulçe
Misioni i OSBE-ODIHR-it duket se ka zgjidhur mosmarrëveshjet midis partive të mëdha dhe partive të vogla rreth debatit për përdorimin e listave të mbyllura apo listave të hapura. Teksa dy ditë më parë përfaqësuesit e këtij misioni kanë zhvilluar kokë më kokë takime me të gjithë drejtuesit e partive parlamentare, ideja që ka triumfuar ka qenë ajo e përzgjedhjes së listave të mbyllura. Burime konfidenciale për gazetën “Albania” bëjnë të ditur se sugjerimi që OSBE-ODIHR-i ka dhënë për politikën shqiptare ka qenë përzjedhja e listave të mbyllura në ligjin për reformën zgjedhore. Për më tepër, edhe në rekomandimet e fundit që OSBE-ODIHR ka dhënë për zgjedhjet në Shqipëri, ky institucion ndërkombëtar ka dhënë preferencën e tij në favor të listave të mbyllura, duke e mbyllur përfundimisht kapitullin e mosmarrëveshjeve në lidhje me këtë çështje. Një gjë e tillë ka sjellë dje tërheqjen e partive të vogla parlamentare.
Partitë e vogla
Përfaqësuesit e këtyre partive e kanë lënë mënjanë presionin për kërkesën e përzgjedhjes së listave të hapura, teksa janë fokusuar në çështje të tjera të reformës zgjedhore. “Nuk do të ketë ndonjë divergjencë shumë të madhe, pasi e rëndësishme është që të gjitha partitë politike të bien dakord që duhet të eliminohet fenomeni i Dushkut, i përdorur në mënyrë të ekzagjeruar në zgjedhjet e mëparshme, duke filluar që nga viti 2001. Përsa u takon çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me këtë reformë, ka hapësirë për të biseduar dhe mendoj se do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët”, - tha kryetari i PDR-së Genc Pollo. Ndërkohë, Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, pranoi “zbehjen” e debatit për çështjen e listave. Ceka u fokusua në çështjen e përzgjedhjes së sistemit proporcional rajonal të korrektuar. “Një sistem i tillë pranon konkurrencën jo vetëm midis partive, por edhe brenda partive dhe kjo zhduk edhe diskutimin mbi listat edhe protagonizmin që mund të lindë nga një proporcional i personalizuar, pra 100 kandidatë në 100 zona do të luftojnë ashpër, kurse kur janë grupe me nga 7 apo 10 kandidatë për çdo parti, atëhere nuk ka kuptim lista", - tha Ceka.
Gjinushi
Edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, pranoi se sugjerimet e OSBE-ODIHR-it ishin kundër listave të hapura. Gjinushi tha se është më e rëndësishme që t’i jepet fund deformimit të modeleve zgjedhore. ”Përsa i takon sistemit zgjedhor, aktualisht janë dy obsione: njëri është modeli gjerman që lidhet dhe me modelin që kemi ne në Kushtetutë, ndërsa janë dhënë argumentet pse një shumicë dërrmuese partish e përkrahin këtë model dhe cilat janë përparësitë e tij. Për këtë model ka vetëm një konceptim që lidhet me problemin e listave të hapura apo të mbyllura, që opinionit i intereson pak”, - tha Gjinushi. Rreth takimeve me OHDIR-in, republikani Arian Madhi u shpreh se u parashtruan të gjitha pikëpamjet, të gjitha angazhimet dhe argumentet për të kryer një proces zgjedhor, i cili do të realizonte të gjitha standardet e kërkuara nga OSBE-ODHIR-i.
Listat e mbyllura
Listat e mbyllura nënkuptojnë vendosjen numerike dhe nominale nga ana e partive të kandidatëve të tyre që konkurrojnë në proporcional. Kjo listë depozitohet paraprakisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mbi bazën e përqindjeve të marra nga partitë në proporcional përcaktohen emrat e kandidatëve që fitojnë mandatin e deputetit.
15 Shkurt 2008