E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta ndryshon ambasadorin shqiptar në Greqi

23/04/2010 Kuvendi jep pëlqimin për Dervishin në vend të Minarollit

Shqipëria me përfaqësues diplomatik edhe në Bosnjë

Interesat e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj, Greqi, do të mbrohen nga një tjetër ambasador shqiptar. Në vend të ambasadorit aktual, Vili Minarolli, Ministria e Jashtme i ka propozuar Kuvendit një ambasador të ri, Dashnor Dervishin. Ky i fundit, pasi të marrë postin e ambasadorit të deritanishëm që do të lëvizë drejtë Vjenës, premtoi para ligjvënësve se do t’i ketë shqiptarët në qendër të vëmendjes për sa i përket respektimit të të drejtave të tyre. Ky ka qenë thelbi i objektivat dhe prioritetet e tij në ushtrimin e kësaj detyre që Dervishi, një diplomat karriere prej 30 vitesh, prezantoi para anëtarëve të Komisionit të Jashtëm. Ai e cilësoi emërimin e tij si një detyrë të rëndësishme për sa i përket rritjes së bashkëpunimit dhe forcimit të urave lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas tij, detyra e tij si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Athinë ka një rëndësi të veçantë, pasi Greqia është një partner strategjik politiko-ekonomik, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, evropian, por edhe më gjerë. “Greqia është për Shqipërinë një partner strategjik për sa i përket marrëdhënieve politiko-ekonomike, bashkëpunimit evropian, por edhe më gjerë. Një nga detyrat kryesore do të jetë vendosja e kontakteve në nivel presidencial, qeveritar dhe parlamentar, në thellimin e bashkëpunimit, rritjen e shkëmbimit të vizitave si dhe forcimin e këtyre urave të kontaktit”, – tha ai. Po ashtu, Dervishi vuri theksin edhe tek rëndësia e thellimit të bashkëpunimit me Greqinë lidhur me shkëmbimet tregtare. Komisioni i Politikës së Jashtme dëgjoi edhe Flamur Gashin, një ish-gazetar që drejton prej disa vitesh Institutin e Diasporës në Ministrinë e Jashtme. Ai ashtu si edhe ambasadori i parë, u propozua nga Sekretari i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu, i cili vlerësoi të dy emrat si dinjitoz për përfaqësimin diplomatik të vendit tonë. Gashi është emëruar ambasador në Sarajevë, ku përfaqësia shqiptare hapet për herë të parë. “Detyra jonë e rëndësishme imediate mbetet ministeriali që do të mbahet në qershor në Sarajevë ku pritet të shpallet liberalizimi i vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën”, - nënvizoi ai në fjalën e tij. Duke vënë në dukje se për herë të parë Shqipëria do të ketë përfaqësinë e saj diplomatike në Bosnje-Hercegovinë, Gashi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve që do të shkojnë drejt intensifikimit të mëtejshëm. “Vlen për t’u theksuar pakicat shqiptare në Bosnjë, të cilat do të jenë një pikë kyçe për sa i përket bashkëpunimit të dy vendeve. Promovimi i vlerave kulturore shqiptare në Bosnjë, si dhe rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, do të jenë pjesë e objektivave kryesore në këtë detyrë”, - përfundoi ai.

Objektivat e Dervishit

Greqia si anëtare e NATO-s dhe e BE-së, Greqia si një partner i rëndësishëm ekonomik dhe financiar të Shqipërisë, dhe shtetasit shqiptarët që rrojnë atje, ishin faktorët kryesore mbi të cilat do të mbështeten objektivat e ambasadorit Dervishi gjatë ushtrimit të detyrës si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Greqi. Detyra e tij pritet të jetë jo e lehtë, referuar edhe incidenteve të kohëve të fundit nga pala greke.

Procedurat

Pas seancës dëgjimore që Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme pa prezencën e opozitës, zhvilloi me kandidaturat e propozuara nga Ministria e Jashtme për ambasadorë, Dashnor Dervishi për Greqinë dhe Flamur Gashi për Bosnjë-Hercegovinën, emrat do t’i përcillen për dekretim Presidentit të Republikës Bamir Topi. Ato pritet gjithashtu të marrin edhe pëlqimin e vendeve ku janë emëruar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›