E Hënë, 2 Nëntor 2026

Burg pa afat për pengmarrësin e autobusit Eduart Rexhepi

23/04/2010 Intervista: Autobusin e mora për detyrimet e mbingarkimit të ekuilibruara

FIER- Edhe pse i deklaruar nga të afërmit dhe avokati i tij mbrojtës si person me probleme të shëndetit mendor, ka qenë e rreptë masa e sigurisë për 32-vjeçarin Eduart Rexhepi banues në “Lagjen e re” të qytetit të Patosit. “Burg pa afat”, kjo ka qenë masa e sigurisë dhënë për Eduard Rexhepin, autorin e pengmarrjes së bujshme përpara tri ditësh. Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka dhënë dje vendimin për masën e sigurisë ndaj shtetasit Eduard Rexhepi i akuzuar për shkatërrim të pronës me zjarr dhe heqje të paligjshme të lirisë, duke marrë peng autobusin e linjës Tiranë-Sarandë, me 6 pasagjerë në bord. Gjykata e Fierit pasi ka dëgjuar kërkesën e Prokurorisë, ka vendosur lënien e masës arrest me burg pa afat deri në përfundim të hetimeve ndaj 32-vjeçarit Eduart Rexhepi. Megjithëse avokati i tij kërkoi masë më të lehtë sigurimi për klientin duke thënë se Eduart Rexhepi vuan nga probleme mendore dhe për rrjedhojë ka nevojë për mjekim të specializuar, i cili nuk mund t’i ofrohet në paraburgim.

Ndërkohë prokurori i çështjes kërkoi mbajtjen e të pandehurit në burg deri në përfundim të hetimeve për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore që paraqet vepra penale e kryer nga Eduart Rexhepi. Prokurori ka deklaruar se do të vijojnë hetimet dhe një ekspertizë më e detajuar e gjendjes mendore e Edurad Rexhepit. Ndërkohë mësohet se tashmë organi i akuzës ka arritur të posedojë të gjitha materialet që i duhen për hetim, ndërsa pritet që në ditët në vijim Eduardi t’i nënshtrohet pikërisht një vizite. Të qara si të një fëmije kanë qenë dënesat e pengmarrësit, i cili përveçse bërtiste, bënte edhe gjeste të pakuptimta për të fituar lirinë. Ka qenë pikërisht dalja përpara togave të zeza ajo çka e ka bërë autorin ta përjetoj keq këtë çast. “Më çoni në shtëpi se kam mamanë sëmurë dhe një motër të sëmurë. Më çoni në shtëpi se nuk kam faj. Unë e bëra detyrën time ndaj atdheut nuk marrë urdhra dhe kërkesa nga asnjeri. Jam vetvetja dhe dua të jem mes njerëzve. Do ta mbroj vetveten. Ky avokati juaj nuk bën, le të japë dorëheqjen ky dhe dua të më sjellë një avokat familja. Pres familjen time. Më lajmëroni familjen të vij këtu”. Për të treguar se ishte i pafajshëm Eduard Rexhepi nuk heziton as të na përgjigjet.

Je takuar në burg me vëllain?

Jo, nuk jam takuar me asnjë.

Asnjë?

Jo. Ku është. Dua të vij të më takojë. Ku janë, lajmërojini, ka telefon, ka numër shtëpie.

Kush të tha që ta merrje autobusin?

Hiç, gjëra hapësinore.

Pse e more?

Për detyrimet e mbingarkimit të ekuilibruara.

Ku do ta çoje?

Ku do ta çoja? Do të vazhdoja të ekuilibroja atdheun. Isha i detyruar ta bëja. Për përmbytjet e mëtejshme. Duhen ndalur. Nuk e di, i shikoni emisionet apo jo. Atmosfera është shumë e rënduar, në mos unë, një tjetër do të detyrohej të bënte këtë gjë. Do ta bënte këtë detyrim për tokën. Njerëzit dua t’i mbroj se janë gjaku im, janë atdheu im që më kanë sjell kokën. Dua të jem në shtëpi. Bëra një gabim, mbase e quani gabim, por unë e quaj mbrojtje të atdheut. Doja të ikja në Greqi, dhe të mbroja tokën çame. Ka shumë konflikt atje. Grekët duan të na marrin atë që është e jona. Ne nuk duhet t’i lejojmë. Po këtu nuk ka shtet, nuk ka patriotë…

Po qenin pse e vrave tek shtëpia?

-Pse ta mbanim. Kot sa hante bukën. Ulërinte dhe sillte keq për njerëzimin. Lehjen dhe ulërimën e tij se dëgjoja dot as unë, as njerëzit…

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›