E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Beograd: Të lëmë pas të “keqen” për në Bruksel

Në fjalimin e mbajtur në këtë kongres, Meta tha Partia Demokratike e Serbisë ka qenë motori i transformimit dhe Europianizimit të Serbisë post-konfliktuale.

Sipas z. Meta, kjo parti përfaqëson platformën për të cilën një njeri i madh si lideri i ndjerë Zoran Xhinxhiç dha një kontribut të jashtëzakonshëm, dhe mbi të cilën u adoptua një vizion i ri për të ardhmen e Serbisë dhe popullit të saj, vizionin e vlerave Evropiane. Sipas Metës, përtej alternativave politike dhe ideologjike qëndrojnë disa vlera të tjera, me universal në substancë, të cilat përcaktojnë ekzistencën e vërtetë të civilizimeve tona dhe të ardhmen e tyre: humanizmi, respekti reciprok dhe toleranca.

“Kjo është në themel të vizionit tonë të përbashkët për të ardhmen e popujve tanë. Trashëgimia e së kaluarës nuk mund të na ndalë nga të qenurit kurajoz për të përqafuar një të ardhme tjetër: Një të ardhme që nuk ka luftëra dhe gjakderdhje dhe që vlerëson përpjekjet e përbashkëta për të jetuar në paqe dhe prosperitet; Një të ardhme që i jep shpresë të gjithëve se kontributi i çdo gjenerate do të trashëgohet dhe pasurohet nga gjeneratat që do të vijnë”, vijoi ai. Ai përmendi vendimin për heqjen e vizave midis dy vendeve, si dhe rritjen e bashkëpunimit kundër krimit të organizuar.

 “Ne jemi të interesuar të kemi projekte të përbashkëta, përtej zhvillimit të mëtejshëm të rrjetit strategjik infrastrukturor. Rruga nga Nishi në Prishtinë, nga Prishtina në Kukës, dhe me tej në Portin e Durrësit, e cila do të përgjysmojë distancën nga Serbia në Adriatik, nuk është një dëshirë, por tashme një pjesë e saj është një realitet dhe ne mund të punojmë së bashku për të krijuar arterie që do të lidhin kombet tona”, tha gjithashtu Meta. Sipas kreut të LSI-së, të gjithë kombet tona dhe qytetarët tanë janë të ndarë në shumë shtete, duke shtuar se zgjedhja e tyre është bashkimi në Bruksel.

“Le të inkurajojmë qytetarët tanë të kontribuojnë për një jetë më të mirë, duke ndarë së bashku kontribute dhe përgjegjësi, kudo që ata jetojnë në Kosovë, në Bosnjë, në Preshevë, në Maqedoni edhe gjetkë; le t’i japim më pak rëndësi kufijve dhe vijave tona ndarëse dhe le t’i arrijmë objektivat reciproke duke u bashkuar në veprime të përbashkëta. Le ta bëjmë integrimin mes nesh objektivin sublim të rajonit tonë”, vijoi.
 
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Meta është ftuar në këtë aktivitet nga Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, njëkohësisht edhe kreu i Partisë Demokratike serbe.

                                                                                             2010-12-19 09:35
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›