E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILDKP dhe OSBE diskutojnë me faktorët mediatikë për luftën kundër korrupsionit

18-12-2010 / Gazeta 55

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) prezantoi projektin e bashkëpunimit me median dhe shoqërinë civile për hetimin në terren të pasurive të zyrtarëve. Me anën e një strategjie të planifikuar tashmë, Inspektorati i Lartë do të krijojë grupe hetimi së bashku me gazetarë dhe operatorë të shoqërisë civile, për të zbuluar dhe vënë para drejtësisë zyrtarë që përfitojnë në mënyrë abuzive nga pushteti. Projekti është prezantuar dje, në takimin “ILDKP dhe roli i medias në luftën kundër korrupsionit”, i cili u organizua në bashkëpunim me Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian. Në këtë tryezë, ku merrnin pjesë gazetarë dhe drejtues të medias së shkruar dhe asaj vizive, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, Adriatik Llalla, u shpreh, ndër të tjera, lidhur me nismën për hetim të përbashkët në terren. “Hetimi i thelluar në terren është një sfidë e rëndësishme institucionale, e cila kërkon padyshim bashkëpunimin e faktorëve të tjerë të shoqërisë shqiptare, në mënyrë që të përcjellë impaktin e duhur tek publiku dhe të rrisë besimin e tij në institucionet publike shqiptare”, u shpreh Llalla. Duke theksuar rolin bashkëpunues të media e shoqërisë civile në aktivitetin institucional të ILDKP, Llalla theksoi se “e themi me bindje se do të jetë sukses, pasi do të jenë të ndërthurura interesat madhore të medias me misionin e Inspektoratit të Lartë; vënia para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve që abuzojnë me pushtetin që ushtrojnë si dhe përmirësimi i situatës së përgjithshme social-ekonomike të qytetarëve”. Për t’i dhënë një impakt më pozitiv këtij projekti që do të aplikohet së shpejti, si edhe për të krijuar lehtësira praktike, Inspektori i Përgjithshëm u shpreh në takim se “për të pasur sukses të garantuar në këtë projekt bashkëpunimi, Inspektorati i Lartë po punon paralelisht për ngritjen e sistemit të deklarimit të interesave private “on line” nga ana e zyrtarëve, projekt për të cilin tashmë kanë filluar bisedimet e para me faktorin vendas, por dhe atë ndërkombëtar. Ky sistem do të ofrojë një menaxhim më të mirë të të dhënave pasurore të subjekteve deklarues dhe do të ndihmojë që, në kohë reale, të përcaktohen problematikat në pasuritë e zyrtarëve, si edhe të evidentohen në kohë rastet e konfliktit të interesave”. Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Eugen Wollfarth, vlerësoi bashkëpunimin me ILDKP, duke u shprehur se, “prej disa vitesh, për të rritur ndërgjegjësimin e zyrtarëve publikë lidhur me çështje që rrethojnë konfliktin e interesit”. Tryeza e rrumbullakët u karakterizuar nga diskutime të shumta, të cilat kishin në qendër të tyre përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet Inspektoratit të Lartë dhe medias për çështje të korrupsionit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›