E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edi Rama nuk do të arrijë të bëjë biznes me votën e shqiptarëve”

18-12-2010 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha prononcohet për median shqiptare në Bruksel
 
Kryeministri Berisha, para largimit nga Brukseli, ku mori pjesë në samitin e Partisë Popullore Europiane, në Kështjellën Bouchout, në Meise, iu përgjigj interesimit të medias shqiptare që ndoqi këtë aktivitet, mbi çështje të ndryshme, të lidhura me punimet e samitit, por edhe të zhvillimeve të fundit në Shqipëri

Sapo dëgjuam Presidentin Martens që tha se EPP ka mbështetur të gjithë procesin e integrimit në BE. A do të ketë mbështetje edhe statusin e kandidatit, a keni biseduar për këtë?
Absolutisht kam biseduar. Kemi dhe do të kemi mbështetje dhe çdo gjë ne e bazojmë në performancë. Motoja jonë është se ky duhet të jetë një proces  bazuar në meritën dhe performancën, pasi ky është interesi më jetik i qytetarëve shqiptarë. Dhe kjo funksionon. Dita e parë e heqjes së vizave ishte një ditë mrekullie në shumë aspekte. Sigurisht që shqiptarët fituan një të drejtë që e meritonin, por edhe ata që ndruajtën, duke votuar për këtë të drejtë të tyre, panë qartë se ndruajta e tyre nuk kishte ndonjë motiv të tanishëm, por motivi i druajtjes së tyre ishte i vjetër.

Lidhur me konkluzionet e Këshillit të Ministrave që do t’i paraqiten edhe samitit, është që të kalojë sa më shpejt ngërçi politik. Lidhur propozimin konkrete nga opozita për të kaluar ngërçin, cila mendoni se do të jetë zgjidhje që parashikohet?
Së pari, Prokuroria e Shkodrës botoi hetimin dhe nuk gjeti as edhe një votë të vetme ndryshe, sa ishte shkruar në procesverbale. Kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është arsyeja që zoti Rama, pasi mbajti një vit rresht partinë e tij me kërkesën për numërim të votave, u tërhoq, se do të dilte si në Shkodër. Ne jemi të hapur për çdo formë hetimi, në përputhje me ligjet e Kushtetutën e vendit. Në mënyrë absolute, ne nuk paragjykojmë asnjë formë hetimi. Sikundër jemi të vendosur të qëndrojmë plotësisht në zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Zoti Rama ka paraqitur një kërkesë që në 9 nenet e saj, 8 bëjnë fjalë për dyshim. Por harron se në çdo vend demokratik ligjet përcaktojnë se cili dyshim hetohet dhe hetohet dyshimi i bazuar në fakte ose të dhëna. Në aspektin tjetër, ai të ngjet me një pamflet oreuellian. Në rast se zoti Rama pranon gjuhën e ligjit, pranon që këto dyshime të mbështeten mbi bazën e fakteve, grup fakteve dhe provave, që nesër, që të gjitha pa asnjë hezitim.

Megjithatë, a jeni i gatshëm që të bëni një kompromis në emër të zgjidhjes së problemit?
Pacta sunt servanda. Ky është një parim i artë. Në qoftë se zoti Rama më fton të shkelmoj një kompromis për të bërë një kompromis tjetër, kjo është qesharake. Ne kemi bërë një kompromis me zotin Rama, kemi votuar konsensualisht një ligj, kemi një Gjykatë Kushtetuese, vendimet e së cilës janë të detyrueshme të zbatohen, kemi një Kushtetutë që imponon. Zoti Rama kërkoi për 12 muaj numërimin e votave, pse nuk e kërkon tani. Ky qëndron parimësia e tij? Nuk kam thënë që të mos kërkojë numërimin e votave. Jam gati të numëroj çdo votë, jam gati të ndryshoj çdo rezultat, por me kusht që të ndiqet procedura ligjore. Edhe tani jam gati për çdo hetim, por jo ligjet sipas meje, as sipas zotit Rama, por ligjet ashtu siç janë votuar në parlament dhe kjo përbën bazën më të shëndoshë, më solide. Zoti Rama mund përpiqet të bëjë biznes me votën e shqiptarëve, por unë e garantoj se nuk do të arrijë kurrë. Mund të mashtrojë tek-tuk, por ka ikur koha, kur mund të bëhej biznes me votën e shqiptarëve.

Viti 2011 është vit vital për Shqipërinë e kemi dëgjuar dhe nga komisionari Fyle dhe nga eurodeputetët nga gjithë institucionet evropiane ju si kryeministër për çfarë angazhoheni?
Unë angazhohem për të gjitha reformat përveç  udhëheqjes së opozitës. Si kryeministër nuk kam ndërmend kurrë të udhëheq opozitës, unë respektoj opozitën, ky është qëndrimi im.

Kishit disa kontestime për progres raportin keni biseduar ju me liderët evropian për këtë?
Progres raporti në tërësi është një dokument shumë serioz dhe qeveria ime e merr me seriozitetin më të madh.  Por për problemet për të cilat ne nuk jemi dakord, absolutisht që në i përcjellim ato në të gjitha instancat në mënyrën më të hapur dhe transparente, por në tërësi progres raporti përbën një dokument shumë të rëndësishëm për qeverinë time. Ka probleme të cilat janë çështje diskutimi të hapur dhe kjo është normale.  Nëse kush mendon të fajësojë qeverinë, sepse një njeri që nuk do të njohë humbjen e zgjedhjeve, kjo nuk mund të ndodhë. Kjo s’ka vlerë. Gjithçka është transparente. Prokuroria i dha përgjigje përfundimtare zotit Rama dhe pretendimeve, ia ka servirur të gjithë bashkëbiseduesve rastin e Shkodrës, se sa anomali janë gjetur dhe doli se nuk kishte as edhe një votë të vetme. Dhe kjo sepse procedura e numërimit të votave në Shqipëri është unike në botë. Në botë nuk ka ndodhur ndonjëherë që çdo votë të numërohet me veto, të filmohet, të fotografohet, të skanohet, të transmetohet në kohë reale në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›