Meta në Fushë-Krujë: “Shqipëria nuk ka nevojë për politikën e gënjeshtrave, por për punësim”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi një takim me përkrahës të LSI-së, banorë të Fushë-Krujës. Meta ka prezantuar kandidatin e LSI-së në këtë zonë, Agim Xheka, dhe u shpreh i sigurt për fitoren e tij. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Meta tha se tashmë ka ardhur koha që të veprohet dhe të punohet, për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza, nga papunësia dhe nga varfëria. Meta tha se Shqipëria nuk ka nevojë për politikën e gënjeshtrave, por për politikën e veprimit dhe të punësimit. “Fushë-Kruja ka qenë gjithnjë qendra e së majtës, sepse ky është një popull i mrekullueshëm, një popull solidar, një popull patriot, që e meriton alternativën tonë, si alternativa më e sigurt për të larguar njëherë e mirë pensionistin Berisha më 28 qershor, sepse rinia e Fushë-Krujës dhe e gjithë Shqipërisë nuk mund të qeveriset më nga Sali Berisha. Shqipëria nuk ka më nevojë për politikën e gënjeshtrave, për politikën e 1 prillit. Shqipëria po kërkon me vendosmërinë tuaj dhe në veçanti me vendosmërinë e rinisë shqiptare kudo, një politikë e cila punon për Shqipërinë dhe për shqiptarët sepse tani është koha për veprim. Është koha për punësim, është koha për të shpëtuar bujqësinë nga katastrofa ku e ka zhytur braktisja dhe harresa e kësaj qeverie. Sepse vendi ka hyrë në krizë nga i njëjti njeri që e la në krizë në vitin 1997, nga Sali Berisha”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
13 Prill 2009