E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja: Qeveri teknike nëse zgjedhjet dështojnë

Socialistët përgatisin projektin sekret. Plan 7-pikësh për të dalë nga kriza e kartave

Luis Tanushi
Partia Socialiste po përgatit një plan masash në rast se qeveria dështon në plotësimin e standardeve të zgjedhjeve. Një nga pikat e këtij plani, që mbahet tepër sekret, është krijimi i një qeverie teknike, që do të mundësojë realizimin e infrastrukturës për zgjedhjet e përgjithshme deri në krijimin e qeverisë së dalë nga zgjedhje të rregullta dhe sipas standardeve të kërkuara nga faktori ndërkombëtar. Sipas burimeve nga PS-ja, socialistët janë në pritje të ecurisë së shpërndarjes së kartave. Kanë mbetur edhe 67 ditë nga data e votimeve dhe numri i qytetarëve që nuk kanë mundur të pajisen me pasaporta ose me karta identiteti llogaritet të jetë 500 mijë. Socialistët janë në pritje të masave që do të marrë qeveria për ta përmbyllur shpërndarjen e kartave. Plani që ata kanë përgatitur përmban shtatë pika.
Plani
Sipas burimeve nga selia rozë, një ndër pikat kyçe të planit është krijimi i një qeverie teknike në rast se dështon mbajtja e zgjedhjeve më 28 qershor. Ndërkohë që plani rezervë përbëhet prej 7 pikash, të cilat në thelb synojnë pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime.
Drejtuesit socialistë kanë deklaruar se kjo është java e fundit kur njerëzit kanë mundësi të aplikojnë për kartat që të fitojnë të drejtën për të votuar. Këtë muaj do të bëhet pajisja e atyre qytetarëve që nuk kanë aplikuar për dokumente identifikimi. Rrjedhimisht, sipas tyre, qeveria nuk ka shumë kohë që të plotësojë njërin prej standardeve të zgjedhjeve, pajisjen me karta identiteti. Ndaj edhe një nga opsionet e planit të masave, që do të propozojë PS-ja në rast të pranimit të dështimit nga ana e qeverisë, është plani me shtatë pika. Deputetët socialistë i kanë kërkuar qeverisë që të nisë shpërndarjen e kartave falas për të gjithë qytetarët. Sipas tyre, skema e rimbursimeve që qeveria do të përdorë nuk do të funksionojë. Një kërkesë tjetër e të majtëve ka qenë edhe ngritja e pikave të lëvizshme në zona të ndryshme për aplikimin për karta identiteti nga qytetarët. Dy ditë më parë, në Komisionin Ad-hock, deputeti socialist Kastriot Islami u shpreh se PS-ja është e angazhuar që zgjedhjet të mbahen më 28 qershor. Por, sipas tij, gjendja për përgatitjen e infrastrukturës së zgjedhjeve, që ka të bëjë me pajisjen e qytetarëve me karta, është bërë alarmante. ”Nëse e analizojmë informacionin e ardhur nga Ministria e Brendshme del se ne kemi pasur jo vetëm të drejtë, por situata paraqitet akoma e rëndë”, - është shprehur Islami për mediat pas mbledhjes së Komisionit Ad-hock. Për më tepër pritet që edhe presioni politik të rritet me afrimin e hapjes së fushatës zgjedhore. Kjo do të bëjë të domosdoshme edhe hedhjen në tregun politik të këtyre propozimeve nga ana e socialistëve. Ndaj dhe drejtuesit e selisë rozë kanë nisur përgatitjet në mënyrë që të mos vonohen në dhënien e zgjidhjeve për daljen nga kriza paraelektorale. Në planin e masave do të ketë edhe të tjera propozime të natyrës teknike, por që nuk bëhen të ditura aktualisht. Asnjë prej zyrtarëve socialistë nuk preferon të deklarojë publikisht në lidhje me punën që po bëhet, në mënyrë që kjo të mos interpretohet keq edhe politikisht. Për përfaqësuesit e shteteve dhe të organizatave ndërkombëtare në Tiranë, dështimi i procesit zgjedhor do të ishte një shans i humbur për klasën politike dhe për vendin në ecurinë e procesit të integrimit në BE.

13 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›