Meta në Gramsh: Korrupsioni i Qeverisë Berisha po shpërthen si Gërdeci
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një takim mjaft entuziast me të reja dhe të rinj të qytetit të Gramshit. Qindra të rinj gramshiotë ishin mbledhur për të pritur kreun e LSI, z.Meta, i cili shoqërohej nga Kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho dhe nga anëtari i KDK-së, Enver Roshi. Në fjalën e tij kreu i LSI-së Ilir Meta vlerësoi përkrahjen e madheqë ka LSI nga të rinjtë në të gjithë Shqipërinë, si dhe punën mjaft aktive të forumit rinor të LRI-së. Meta theksoi se rinia shqiptare nuk mund të jetë peng i kësaj qeverie të korruptuar dhe i një kryeministri të dështuar si Sali Berisha. “Gjatë viteve të fundit korrupsioni është rritur në mënyrë tepër shqetësuese, dhe aq shumë u fry korrupsioni sa këtë radhë eksplodoi përmes shpërthimit të Gërdecit duke marrë dhe gjithë ato jetë njerëzish deri dhe fëmijë. Dhe sot Berisha vazhdon të krekoset se është akoma kryeministër, jo vetëm kaq por me 21 Prill iu dhanë edhe atributet që nuk i kishte më përpara, duke e konsideruar veten që ai të jetë i pakontrollueshëm nga parlamenti. Dhe për fat të keq disa përfaqësues të PS-së u bënë bashkë me Berishën, kur kanë qenë bashkë me mua në vitin ‘94, për të rrëzuar kushtetutën e Sali Berishës në atë kohë, që kërkonte t’ia jepte të gjithë pushtetet atij, si President. Dhe po këta përkrahës të asaj nate, janë mbledhur bashkë me mua që të hartonim në ‘98 kushtetutën më demokratike që kishte Shqipëria. Ndërsa tani kemi Gërdec-kushtetutë, sepse pushtetet jo vetëm ai legjislativ dhe ekzekutiv, por dhe gjyqësori përmes zvogëlimit të rolit të presidentit, për vetë mënyrën e zgjedhjes së tij, janë tashmë të kufizuara dhe në dorë të këtij kryeministri që për fat të keq vazhdon të jetë Sali Berisha. Dhe është një kryeministër i papërgjegjshëm, i cili dëshiron të qëndrojë edhe për 30 vjet të tjera në pushtet, po t’ja bëjë ymër Zoti”, u shpreh Meta.
Në fund të fjalës së tij, kreu i LSI-së ju drejtua të rinjve gramshiotë, duke u thënë se: “Unë dua t’ju ftoj që ju të vazhdoni punën e mirë, në mënyrë që LRI-ja, LSI-ja dhe i gjithë koalicioni ynë i ri të kthehet në një uragan të papërballueshëm si nga Sali Berisha, por edhe për ata që e përkrahin atë.
19 Maj 2008