E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toçi: “Presidenti të na ftojë në bisedime”

Autori i Lajmit: Lorena Killo
Gjatë një interviste për gazetën “Ballkan”, deputeti socialist Fatmir Toçi ka komentuar lidhur me ngjarjet më të fundit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Ai ndodhej aty pranë çadrave të ngritura në këtë bulevard, brenda të cilave janë ngukjuar deputetë socialistë e qytetarë mbështetës së tyre, që po kërkojnë zbardhjen e së vërtetës së 28 Qershorit si dhe për largimin e kësaj qeverie. Ai shprehet se, në radhë të parë, këta deputetë janë qytetarë të thjeshtë që po sakrifikojnë për problemet që ka çdo shqiptar sot. Si zgjidhet kriza? Zoti Fatmir Toçi thotë: “Kutitë, ose zgjedhje të parakohshme, por pa Berishën”.

Sot ndodhemi në ditën e katërt të grevës së urisë, si paraqitet situata e grevistëve?

Normalisht që situata sa vjen dhe vështirësohet në shëndetin e atyre që kanë vendosur të sakrifikojnë dhe sigurisht jo për problemet e tyre personale, por për të gjithë ne dhe mbarë popullin shqiptar. Ne jemi në kontakt vazhdimisht me kolegët tanë dhe ata kanë vendosur të sakrifikojnë për demokracinë. Nga pikëpamja biologjike, njeriu mund të durojë deri në 72 orë e pastaj fillojnë luhatjet e tensionit, dhimbje koke. Deri tani gjendja është e mirë por morali i tyre i lartë bën që ata të mos dorëzohen deri sa të arrijnë atë çka kërkojmë, situata e gjendjes së mjerueshme shqiptare, hapja e kutive e shumë probleme që has populli shqiptar me këtë keqqeverisje. Ka pasur komplikacione nga deputetja e Durrësit Klodiana Spahiu, e cila në orën 00:03 të mëngjesit të djeshëm ka pasur shqetësime të shëndetit dhe është dashur të çohet në spital. Gjendja e saj është e mirë, pra është kthyer në normalitet dhe do të kthehet sërish në grevë. Kanë qenë dy prej grevistëve që janë larguar, Arben Malaj e Taulant Balla, sepse u është dashur të nisen drejt Brukselit, por sapo të kthehen, do të bëhen sërish pjesë e kësaj greve. Një ndër emrat që duhet të nisej me këtë delegacion ishte edhe Ilir Beqja, por ai nuk pranoi të shkonte, por vendosi të qëndronte në grevë.

Policia këmbëngul që ju të largoheni nga bulevardi. Ata shprehen se ju nuk keni marrë leje dhe se keni bllokuar trafikun? Si qëndron realisht situata?

Unë do të thosha që e gjithë kjo, gricje nervash do ta quaja, sepse nuk mund të përdoret Policia e Shtetit për interesa të pushtetit. Në të gjitha rastet kur populli proteston, populli vetëm sa njofton në demonstrime të tilla dhe nuk merret leje. Vaj halli që ai që do të shprehë protestën e tij kundrejt një individi, duhet të marrë leje tek ai që proteston. Policia nuk na shqetëson, pra, nuk është afruar deri tek ne. Në kuadrin kushtetues ata mjaftohen me masa për sigurinë dhe është problemi i tyre se çfarë bëjnë. Kjo ka ndodhur që në fillim, kur ata kanë bërë tentativa për të na penguar për ngritjen e çadrave, por që nuk u arrit. Sot po shikojmë një lëvizje të tyre që nuk na pëlqen, ata kanë rrethuar çadrat dhe po shikohet një lëvizje e heshtur dhe është vënë një gardh që nuk ka qenë ditët e tjera. Kjo është që unë me ironi do të thosha që ata kanë dëgjuar fjalën e kryetarit të opozitës dhe janë prekur nga fjalët e tij. Ata çuan një shkresë që ka mbaruar afati, ia drejtuan Edi Ramës. Këtu është i gjithë populli dhe policia ska asnjë punë përveç sigurisë, sepse edhe deputetët në radhë të parë janë qytetarë.

A keni përgatitur një rezolutë për tua dërguar ndërkombëtarëve sepse është folur se do të përgatitet një rezolutë?

Ne jemi në kontakt me institucionet, por është vetëm çështje teknike përgatitja e kësaj rezolute. Por unë besoj se nuk ka asgjë më shumë sesa ngritja në protestë e një populli opozitar dhe greva e urisë. Ne nuk duam të marrim pushtetin as me dhunë e as në tavolinë, por që gjithçka të bëhet transparente, sepse të mos harrojmë se po ofrojnë zgjedhjet e tjera dhe nuk mund të jemi pjesë e këtij procesi zgjedhor dhe nuk shkohet në zgjedhje me Sali Berishën. Kurse për sa i përket zgjatjes së kësaj greve, ne e kemi cilësuar pa limit.

Si e shikoni qëndrimin e LMN-së brenda Partisë Socialiste? Kemi futjen e Arben Malajt në grevë urie, e cila është komentuar shumë në media?
Tek PS-ja janë të mirëpritura edhe mendimet ndryshe, por që vullneti i shumicës duhet zbatuar. Më vjen mirë ta them që Malaj ka bërë një refleksion, sigurisht që është mirëpritur vendimi i tij. Por të thuash atë që është, Malaj kohët e fundit, pavarësisht se ka qenë kundër bojkotit të Parlamentit, i ka mbështetur gjithmonë protestat dhe ka qenë tepër i angazhuar në qarkun e Vlorës, pra në zonën e tij. Ky ka qenë një reflektim i tij dhe ka parë që është kjo rruga e vetme për të shkuar drejt transparencës.

Shërbimi mjekësor nuk është bërë tek grevistët. Si e komentoni deklaratën e Pëllumb Piperos?

Ka qenë një ndër deklaratat më trishtuese që unë kam dëgjuar nga ai njeri, sepse në fund të fundit, ata që janë në grevë, në radhë të parë janë shqiptarë, janë qytetarë të këtij vendi, pavarësisht se ata mendojnë ndryshe, kanë mendim ndryshe. Edhe në situatat më ekstreme edhe në luftërat që zhvillohen në popuj të ndryshëm, kur është dashur shërbim mjekësor, i është dhënë edhe armikut. Pra trajtohen si gjithë të tjerët dhe atë që bëri Pipero, mendoj që tregon humbjen e durimit të tyre. Nuk di si ta cilësoj atë deklaratë, mu duk shumë e çuditshme dhe vërtet më ka ardhur keq që i dëgjova ato fjalë. Kjo ishte një tregues që tregoi natyrën e tyre të egër.

Marrëdhëniet me Parlamentin si do të vazhdojnë?

Do të ketë një mbledhje të Grupit Parlamentar dhe do të merret një vendim, por unë besoj se nuk ka kuptim që ne të shkojmë në Parlament, sepse ne aktualisht, i kemi marrëdhëniet e kushtëzuara me të. Por nuk besoj se do të marrë pjesë ndonjë deputet, sepse ne jemi edhe shumë pak, shumica janë në grevë dhe ne që nuk jemi pjesë e saj, do të rrimë këtu për ti mbështetur ata.

Kryetari i shtetit nuk është pronocuar dhe nuk ka bërë ende ndonjë hap për zgjidhjen e krizës, si mendoni ju, a duhet të ndërhyjë Topi?

Diku pashë me titra që Presidenti kishte thënë që edhe heshtja ime flet dhe nuk arrij ta kuptoj se çfarë flet ai me këtë heshtje. Unë mendoj që nuk është momenti për të heshtur i zgjidhjes së kësaj situate dhe besoj që është institucioni më i përshtatshëm që duhet të detyrojë palët për tu ulur në tavolinë nuk e quaj të mbaruar përpjekjen e parë, e quaj fillim. Unë mendoj që Topi duhet të dalë të paktën në një deklaratë për shtyp dhe të ftojë palët për të dialoguar. Unë nuk e kuptoj fjalën heshtje, sepse vetëm ata grevistë me heshtjen e tyre flasin, jo një institucion që hesht, kur duhet të flasë.

Servet Pëllumbi është shprehur për zgjedhje të parakohshme e ndërsa Sabri Godo ka thënë jo zgjedhje të parakohshme. Si e komentoni ju këtë, cila do të ishte rruga më mundshme?
Janë dy qëndrime politike që përfaqësojnë dy forca të kundërta politike. Kam respekt për të dy. Por PS-ja po i konsumon disa mundësi, e para hapja e kutive, për transparencë për komision hetimor dhe hapi i mëtejshëm është zgjedhje të parakohshme, sepse frika e Berishës është për pas atyre rezultateve që do të zbardhen do të kalojmë në zgjedhje të parakohshme, por jo me Berishën, por me qeveri teknike. Një qëndrimi ynë politik që do të vijë një moment që do të kërkohen zgjedhje të parakohshme, por jo me Berishën, sepse me Berishën nuk shkohet në asnjë palë zgjedhje. Shembull kemi rastin e Greqisë.

Ndërkohë opinioni është i shqetësuar, sepse të gjithë po presin liberalizimin e vizave. A do ti pengoje ata kjo situatë të lëvizin të lirë?
Kjo ka ardhur nga propaganda që ka bërë qeveria sot ndaj lëvizjes së lirë të shqiptarëve, por ne jemi shprehur kudo që qëndrimi ynë është për liberalizimin e vizave. Por në rast mosliberalizimi të vizave kjo do të vijë si pasojë e mosplotësimit të kushteve nga ana e qeverisë dhe standardeve që Evropa i ka vendosur Shqipërisë dhe nuk ka të bëjë fare me protestën tonë.

Ndërkohë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese është shprehur se në rast se opozita do të kishte bërë një kërkesë pranë kësaj gjykate do të kishte një përgjigje brenda dy muajve?

Ka një precedent që PDK e ka bërë këtë kërkesë menjëherë pas zgjedhjeve, me fakte konkrete, dhe absolutisht nuk ka një përgjigje, kjo është thjesht një shashkë kot që pse siu drejtuam Kushtetueses.

Anëtarët e LMN-së në drejtime të ndryshme

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste disa ditë më parë u vendos që do të zhvillohet grevë urie pa limit. Në mbledhjen e grupit u vu re mungesa e dy prej pjesëtarëve të Lëvizjes së Mendimit Ndryshe (LMN), Andis Harasani e Marko Bello ku sipas informacioneve të marra nga gazeta “Ballkan”, ndodheshin jashtë vendit. Sipas burimeve brenda selisë rozë, gjatë mbledhjes ka pasur diskutime ku Kastriot Islami dhe Ben Blushi, dy prej pesëshes së LMN-së, votuan kundër kësaj greve. Arben Malaj, ndryshe nga këta, jo vetëm që votoi pro, por u bë edhe pjesë e saj. Siç duket, në pesëshen e LMN-së ka diçka që nuk po shkon. Ka kohë që ata sjanë parë bashkë kafeneve apo në mbledhje të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Islami e Blushi duken të tërhequr nga situata aktuale. Harasani e Bello, sipas burimeve, ndodhen jashtë vendit, por ai që mbetet më i angazhuar dhe kësaj radhe në vijën e shumicës në PS, është Arben Malaj. I vetëm ka hyrë në këtë grevë dhe më pas i është dashur të largohet pasi është nisur drejt Brukselit për të përfaqësuar denjësisht Partinë Socialiste. Nuk dihet ende ose, më mirë të themi, është një situatë e paqartë se çfarë po ndodh realisht me pesëshen e LMN-së ku në fillimet e saj ajo ishte mjaft e angazhuar për qëndrime ndryshe brenda PS-së. Nuk është më aq e bashkuar sa në fillimet e saj ku të pestë kanë pasur të njëjtin mendim dhe kanë qenë kundër bojkotit të Parlamentit dhe jo protestave. Me kalimin e kohës, kur edhe bojkoti arriti deri në momentin që deputetët i dhanë fund, u futën për të bërë betimin dhe më pas vendosën sërish marrëdhënie të kushtëzuara me të, LMN-ja sërish ka qenë kundër këtij vendimi. Tashmë duket qartë që LMN-ja nuk është më kaq e bashkuar sa në fillimet e saj.
Ky lajm është publikuar: 04/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›