Meta në Kukës: Duhet autostradë e re drejt BE-së, fund mashtrimeve
Kukës- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta është ndalur sot në Kukës ku ka bërë prezantimin e kësaj force politike në këtë qark. Në fjalë e tij ai u shpreh se prioritet i LSI-së, mbetet punësimi, me të cilin sipas Metës dështoi qeveria.
Të votëbesojmë një ndryshim plebishitar, të vendosim një lidership të ri që na sjell më afër me Europën dhe perëndimin dhe që i jep fund përplasjeve dhe rrugës së izolimit, që i jep zgjidhje mundimit dhe halleve tuaja. Shqetësimi i shqiptareve nuk është karrigia e Berishës, të cilën mund ta marrë me vete pas 23 qershorit, por krijimi i vendeve të reja të punës- deklaroi Meta.
Më tej ai tha se qytetarët duhet të votojnë për një plan të vërtetë punësimi, dhe jo për një plan zhgënjimi, siç është premtimi i kryeministrit aktual. Ai u ka thënë kuksianëve se ata kanë në dorë të votojnë për një autostradë të sigurt që e çon Kukësin drejt BE dhe jo për një rrugë të vjetër konfliktualiteti.