E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi e Bregu: E sotmja, shans i humbur për opozitën



Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, e cilësoi bojkotin e opozitës një shans të humbur në kushtet kur Bashkimi Evropian po hap portat për Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Patozi tha se opozita humbi edhe shansin për të qenë në Kuvend për buxhetin. “Partia Socialiste duhet të ishte këtu edhe për një arsye tjetër, po kaq të rëndësishme, sa edhe diskutimi i buxhetit. Kjo është seanca e parë që mbahet pas lajmeve të mëdha të këtyre ditëve për vendin dhe për çdo shqiptar”, - tha Patozi. Ai akuzoi më tej kreun e PS-së, Edi Rama. “Përpara se të fërkosh duart për rënien e Shqipërisë në ranglistën e raportit të Transparencës Ndërkombëtare, duhet të pranosh përgjegjësinë e rëndë për gjendjen e nderë të korrupsionit të Bashkisë së Tiranës me lejet e ndërtimit. Në raportin e fundit “Doing business” të Bankës Botërore, Bashkia e Tiranës gjendet në bishtin e vendeve më problematike të botës, njësoj siç ndodhej Shqipëria në hartën e Transparencës Ndërkombëtare, përpara se ne të vinim në pushtet”, - tha më tej Patozi. Kurse Ministrja Majlinda Bregu theksoi në Kuvend se Rama nuk po bën opozitën që i duhet vendit, por interesave personale të tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›