E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta në Libanlobon për njohjene Kosovës

TIRANË- Zhvillimet në rajon, veçanërisht realiteti i ri, i krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e legjitimuar edhe nga GJND-ja, vazhdojnë të jenë çështje kryesore e axhendës zyrtare të zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur sot se shefi i diplomacisë shqiptare zhvilloi një vizitë zyrtare në Beirut, ku u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Libanit, Michael Sulejman. Gjatë këtij takimi, Meta e njohu Presidentin libanez me politikën paqësore dhe konstruktive të Shqipërisë, si dhe realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me fokus të veçantë pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Duke theksuar se "Kosova është një realitet i pakthyeshëm", Meta kërkoi nga Presidenti i Libanit që vendi i tij të konsiderojë njohjen e shpejtë të shtetit të Kosovës. Gjithashtu ai theksoi qëndrimin e Shqipërisë për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme, në përputhje me qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Ndërkaq, zv/kryeministri Meta dhe Presidenti Sulejman shkëmbyen mendime edhe mbi mundësitë e mëdha të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes reciprok. Ata ranë dakord për rëndësinë e plotësimit të kuadrit ligjor të marrëdhënieve mes dy vendeve, me qëllim nxitjen e tyre dhe nënshkrimin e shpejtë të disa marrëveshjeve që janë në proces. Nga ana e tij, Presidenti Sulejman theksoi se ekzistojnë potenciale te pashfrytëzuara në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe në këtë drejtim duhen bërë hapa përpara.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›