E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Skrapar: Rinia, viktima e madhe e tranzicionit të zgjatur

• Kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke përshëndetur konferencën e LRI-së së Skraparit, shprehu keqardhje për tranzicionin e stërzgjatur që po kalon vendi dhe ku rinia është viktima më e madhe e tij.“Sot rinia është një nga viktimat kryesore të zhgënjimit dhe të tranzicionit të tejzgjatur përtej çdo pritshmërie dhe parashikimi që mund të jetë bërë”, tha Meta. Duke iu drejtuar rinisë së Skraparit, kreu i LSI, Meta, tha se unë e di që sot rinia e Skraparit, ashtu sikurse e gjithë rinia në vend, përballet me vështirësi të mëdha, të cilat e pengojnë atë të ecë dhe të zhvillohet si vendet e tjera të Bashkimit Evropian. “Rinia ka gjithnjë dëshirë të vijë me LSI dhe e gjen veten te kjo forcë, pasi LSI është një forcë energjike dhe me vizion, pozitive dhe konstruktive”, tha Meta. Duke prekur problemet infrastrukturore që kanë banorët e kësaj zone, Meta tha se do t’i kërkojë Kryeministrit Berisha të përfundojë rrugën e Çorovodës. “Ne do të kërkojmë me insistim që të përfundojë rruga e Çorovodës, që kemi nisur së bashku prej vitesh, ashtu sikurse premtoi Kryeministri në fjalën e tij në Parlament, se do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Të shpresojmë që Kryeministri të përfundojë rrugën e nisur brenda kohës së premtuar, ndërsa ne këtë rrugë në momentin që do të vijmë në pushtet do e çojmë deri në Përmet”, deklaroi kreu i LSI dhe deputeti i Skraparit, Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›